Zërat
Prof.dr.sc. Akil Koci
Prof.dr.sc.
Akil
Koci

Muzika sakrale e këtij kompozitori ka një forcë hyjnore

Zërat June 17, 2017 - 10:56

Përcaktimi i drejtë i çdo vepre artistike, vlerësimi relativ i tyre, gjykimi kritik dhe trajtimi në shumë aspekte, e veçmas në atë estetik dhe artistik, pa dyshim paraqet një sfidë të madhe në shumë aspekte me të cilën ballafaqohet edhe autori i librit “Prenkë Jakova”, Spiro Ll.Kalemi, emër i shquar dhe i nderuar i muzikologjisë tonë shqiptare, i cili me një mori veprash të botuara siç janë: ““Kur dëgjojmë muzikë,”1973,”, ”Historia e muzikës shqiptare”,1979, ”Arritjet e artit tonë muzikor”, ”Vepra e krijues të muzikës shqiptare”1982, vepra këto të shkruara në kohën e monizmit dhe të realizmit socialist dhe mund thotë ndonjëri se nuk paraqesin vlera dhe gjendjen reale. Kjo edhe ndoshta mund të jetë mendim individual -subjektiv, mirëpo pos vlerës shkencore- muzikologjie në çdo aspekt për vlerën që kanë ato, me siguri mund t'u shërbejnë pos tjerash edhe shumë muzikologëve të ardhshëm që ta studiojnë edhe ketë periudhë dhe të shohin qartë se në çfarë gjendje ka qenë vendi dhe e tërë kultura, shkenca dhe krijimtaria artistike në Shqipëri, në kohën e një regjimi monist, të egër dhe të papresedan në çdo aspekt.

Pra, jo, assesi nuk duhen të mohohen, por të rivlerësohen dhe ta kenë vendin në historinë e muzikës, prandaj edhe autori duke e ditur ketë gjendje, bën një pauzë të madhe dhe plotë 19 vite nuk shkruan asnjë studim serioz, mendoj në ndonjë libër deri te botimi për primadonën tonë të shquar të muzikës klasike ”Maria Kraja”, 2001, kompozitorin e njohur ”Tonin Harapi”, 2003 dhe me veprën e prezantuar për të cilën vepër nuk mendojmë se është edhe vepra më e re që është botuar në vitin 2006, me titull” Prenkë Jakova”, duke dhënë një kontribut të madh dhe të çmuar jo vetëm për muzikologjinë tonë edhe ashtu të re dha pa ndonjë traditë të madhe, por edhe për historinë tonë muzikore si shkencë, duke na njohur me veprimtarinë e krijuesve dhe artistëve tanë e sidomos atë krijuese të kompozitorit të shquar shqiptar dhe themeluesit të gjinisë së operës kombëtare shqiptare, me dy veprat, operën “Mrika” dhe “ Gjergj Kastrioti Skëndërbeu”, që paraqesin krijime antologjike, jo vetëm si veprat e para, por edhe me veçantinë e tyre në kontekstin muzikor edhe më gjerë, pra edhe estetik, si kontribut i çmuar në këtë lëmi, falë pleksjeve dhe refleksit personal me përmasa jo vetëm kombëtare, por edhe universale, nga muzika si gjuhë dhe art i të menduarit me tingujt e saj që koncepton një univers, duke përjetuar jo vetëm çaste të bukura, por edhe kënaqësi shpirtëro deri në pikat kulmore për të krijuar një vepër me vlera artistike.

Spiro Ll. Kalemi nuk gjurmojë të gjejë metafora për ta ngritur dhe për të bërë elozhe për një krijues me një përkushtim të madh artistik, me ndjenja të sinqerta, siç ishte kompozitori Jakova, por u përpoq të nxjerr në shesh artin e vërtetë të krijimtarisë së këtij eruditi, duke pasur të qartë se arti paraqet përsosmërinë, e me të edhe qartësinë e shprehjes muzikore që qëndron mbi artet tjera.

Pra, në prezantimin e krijimtarisë, autori në fjalë nuk fillon nga ato shënime të formës klasike siç jemi mësua të lexojmë, pra, shkrime biografie e krijimtari shterpe, por na prezantohet me një semantikë të gjerë të përsosur, analizë të mirëfilli të bazuar në kodet relevante muzikologjie dhe me një shpjegim të qartë, por të thellë esencial dhe të qenësishme, bazuar në mendimin estetik dhe më një shprehje të bukur si art fjalor dhe pikë qendrore të narracionit dhe të ligjërimit artistik.

Në parathënie dhe hyrje autori përqendrohet jo vetëm në muzikën e kultivuar shqiptare, por edhe në panoramën politiko -shoqërore shqiptare që nga shekulli XX, për të cilën autor thotë se “karakterizohet për liri e pavarësi” dhe si studiues i historisë së muzikës ai nuk hedh vështrimin vetëm në historiografinë më të re shqiptare, por përfshinë periudhat më të hershme që nga viti 1917, kur në Shqipëri, e veçanërisht në Shkodër, si qendër e dijës dhe kulturës shqiptare, edhe pas pesë viteve, pas shpalljes së pavarësisë, kishte probleme me kufi, me ushtri të huaja, me kapadaillëkun e fiseve të veriut dhe të jugut, me situatën ekonomike dhe shtetin e ri shqiptar, i cili me vështirësi konsolidonte qeverinë vet të re.

Mu pra në atë kohë u lind në Shkodër kompozitori i ynë i madh Prenkë Jakova, përkatësisht më 27 Qershor 1917, kurse vdiq më 16 Shtator 1969, po ashtu në Shkodër.

U regjistrua në shkollën fillore dhe më pas në gjimnazin e françeskanëve “Illyricum”, të drejtuar nga At Patër Gjergj Fishta, kurse muzikën e studioi te kompozitori ynë i parë i shkolluar në Austri, At Martin Gjoka, i cili behet udhëheqësi dhe udhërrëfyesi i Prenkut .

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK