Zërat
Tringa Kasemi
Tringa
Kasemi

Pushimi i përbashkët prindëror: Sa janë të gatshëm burrat ta marrin këtë përgjegjësi?

Zërat June 13, 2017 - 13:09

Në diskursin publik kur flitet për pushimin e përbashkët prindëror shihet qartë një hezitim kolektiv që e ka kapluar shoqërinë në lidhje me këtë çështje, jo ndoshta pse nuk e shohin të arsyeshëm apo të nevojshëm, por për arsye të mospranimit nga ana e shumicës apo edhe ndoshta për arsye edhe të mentalitetit.

Disa hulumtime në lidhje me temën e pushimit të përbashkët prindëror shpërfaqin se sa janë burrat dhe gratë të gatshme ta pranojnë, por edhe t’i rrinë krah këtij ligjit që mbulon përfshirjen e të dy prindërve në përkujdesjen e fëmijës.

Këto hulumtime, të bëra nëpër komuna në Kosovë, tregojnë se vetëm 16% e burrave të komunës së Prizrenit kanë shprehur gatishmëri për ta konsideruar marrjen e pushimit prindëror për kujdesin e fëmijëve - përqindje kjo shumë e vogël krahas nevojës dhe rëndësisë së kësaj të drejte.

Këto përqindje janë shqetësuese dhe është e domosdoshme që të angazhohet shoqëria, institucionet, institucionet arsimore dhe edukative që ky pushimi prindëror të shihet me normal nga ana e burrave, por edhe gratë të jenë të përgatitura ta pranojnë këtë ndryshim, pasi që në mentalitetin tonë dihet se ndryshe jemi të mësuar.

Nga diskutimet e mëtutjeshme del se tema nga disa prej sindikatave është marrë seriozisht dhe se për më tepër mëtojnë se do të duhej t’i jepet shtytje formimit të një komisioni të veçantë, i cili do të merret me këtë çështje.

Mirëpo duke e pasur parasysh që Ligji ekzistues për Pushimin e Lehonisë nuk zbatohet në plotësi, do të duhej t’i rrisim përpjekjet që të fusim në zbatim atë dhe gradualisht t’i shtojmë legjislacion shtesë si pushimi prindëror.

Një punëtoreje në pushim të lindjes i takon 12 muaj pushim, 9 muaj me pagesë dhe 3 muajt tjerë pa pagesë, porse në çdo moment ajo mund edhe ta presë largimi nga puna edhe para se ajo të kthehet nga pushimi. Në rastin më të keq, me të kuptuar për shtatzëninë e saj, ajo ndodh që suspendohet pa meritë dhe largohet nga puna nga punëdhënësi.

Përkushtim të veçantë për implementimin e Ligjit të Pushimit të Përbashkët Prindëror si mënyrë për të parandaluar diskriminimin e grave në tregun e punës.

Megjithatë, një vullnet goxha i mirë duket të jetë prezent sidomos në institucione dhe në shoqëri, që modelet perëndimore si direktivat e BE-së të jenë të aplikueshme  edhe në Kosovë.

Dihet se në ato vende  avokojnë që prindërit të jenë të përfshirë në rritjen e fëmijës. Pra ka edukim të mjaftueshëm kolektiv se të dy prindërit janë më se të nevojshëm në proceset e rritjes së një fëmije. Kjo duke u nisur nga ngrohtësia që ndien e deri tek zhvillimi i tij/saj psikologjik. Në Kosovë duhet punuar në ngritjen e vetëdijesimit sa i përket kësaj çështjeje, të binden që kujdesi i të dy prindërve është më se i nevojshëm.

Në anën tjetër, në mungesën e vetëdijes mbi këtë temë ndikim ka edhe shoqëria patriarkale dhe mentaliteti, me theks të veçantë në Prizren. Tek ne rezulton si çudi se babai nuk është për përkujdesje të fëmijës, përderisa dihet që nëna është, ndërsa babai në këtë rast shihet vetëm si sigurues i të ardhurave të familjes.

Këtu konceptohet se babai është vetëm për të sjellë para në shtëpi, ku si rrjedhojë i bie që babai nuk është i pranishëm në proceset e zhvillimit fizik dhe psikologjik të fëmijës, edhe pse kjo është me rëndësi tejet të madhe. Burrat duhet të dalin nga zona e rehatisë së vet, sidomos në Prizren dhe ta sfidojnë mendësinë patriarkale.

Një aspekt tjetër po në këtë çështje duhet të trajtohet është se a është e nevojshme që edhe gratë të vetëdijesohen dhe se a janë nganjëherë vetë ato të cilat nuk japin hapësirë përkujdesjes së babait për fëmijën, për arsye mosbesimi ndaj burrave në këtë aspekt që vjen si pasojë e mendësisë patriarkale dhe stereotipave për role gjinore.

Pra, duhet vetëdijesim i burrave,  i grave e i rinisë. Sidomos nëse vetëdijesohet rinia problemet dhe botëkuptimet në këtë çështje do të rregullohen më lehtë. Sigurisht që ndikon edhe niveli arsimor i këtyre të rinjve, të cilët mund të jenë potencialisht prindër në të ardhmen. Nga praktika del se arsimimi ndikon për kapjen më të lehtë të këtyre temave të ndjeshme për shumicën. Duhet të punohet me fëmijët qysh në mosha të hershme dhe t’u mundësohet të shohin modele në shtëpi të barazisë dhe të ndarjes së detyrave familjare.

Duke e ditur se ne si shoqëri në shumicën e rasteve nuk e pranojmë gjendjen aktuale, e dimë që nëse nisemi secili prej vetes mendojmë që gjërat janë duke funksionuar si duhet. Mirëpo prej të dhënave të hulumtimeve shihet qartë që ende më e ulët është ajo përqindje e hulumtimeve sesa sa është paraqitur.

Si një shpresë dhe frymë shihet që së paku është të fillohet të diskutohet dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj teme.

Burrat që përfshihen në këto procese kanë shëndet mendor më të shëndoshë sesa ata që nuk përfshihen, ata shprehen më lehtë emocionalisht, janë më të ngrohtë për familjen dhe sigurisht që çdoherë jetesa familjare dhe në çift bëhet edhe më e lehtë falë këtyre ndryshimeve. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK