Zërat
Ag Apolloni
Ag
Apolloni

I dashur kryeminitër

Zërat June 10, 2017 - 08:21

Ju jeni tre kandidatë, që i keni mprehur shpatat kundër njëri-tjetrit për të fituar fronin kryeministror. Disa po thonë se do të fitojë i katërti dhe befasitë ka kohë që s’na çuditin më. Cilido prej jush që të fitojë, unë do t’ju “besoj” si qytetar skeptik, ashtu siç ma merr mendja se do t’ju “besojnë” edhe një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare. 

Secili prej jush insistoni që populli t’ju besojë. Populli është i zhgënjyer, i varfër dhe i rrënuar, prandaj ai s’do të mund t’ju besojë juve që nesër do të quheni Kryeministër, sepse parardhësit tuaj kryeministra e kanë sjellë atë në këtë gjendje. Ju mund ta fitoni besimin e popullit vetëm pas zgjedhjeve, kur si Kryeministër i zgjedhur do të punoni për t’ia kthyer shpresat, për t’i siguruar punë dhe pagë të dinjitetshme, si dhe për ta rimëkëmbur moralisht dhe fizikishit. Rimëkëmbja morale bëhet duke i dhënë atij arsye të mjaftueshme për të mos e urryer vendin e vet për shkak të disa kolegëve tuaj që tani do të duhej të dërgoheshin për pushime në burgje si shpërblim i drejtë për të gjitha “të mirat” që ia kanë bërë këtij vendi dhe këtij populli. Kurse, rimëkëmbja fizike bëhet duke e shëruar Shëndetësinë, pasi spitalet janë në gjendje të mjerueshme, të lëna në harresë nga ministra miopë dhe të mbushur me specialistë që, shpesh, nuk janë të fushës, por janë të malit. 

Kosova është shtet që i mungon krenaria kulturore. Ashtu si në gjithçka, ne jemi të mbullyr edhe kulturalisht. Deri sot shteti e ka poshtëruar kulturën. Duke blerë artistë, ju nuk do ta ngritni as shtetin, as partinë tuaj. Përkundrazi, do ta ktheni artin në shërbëtor të politikës dhe atëherë do ta poshtëroni kulturën edhe më shumë. Kultura është më e madhe dhe më e vjetër se cilado parti, prandaj mos insistoni që elefanti të futet nëpër vrimë të gjilpërës. Do të poshtërohen artistët, do të koriteni ju, lehtësojeni qarkullimin e librit tonë edhe në Shqipëri. Sillni ndryshime për të mirë: mbrojeni trashëgiminë, financojeni seriozisht artin dhe mbështetni projekte për përkthimin e letërsisë sonë në gjuhë të huaja. Ndihmojeni teatrin dhe kinematografinë, duke vendosur në krye të ministrisë dikë që e di se institucionet kulturore kanë nevojë për menaxherë të mirë, jo për artistë. Artistët nuk dinë të menaxhojnë, ata dinë të krijojnë. Historikisht dihet që artisti ka një ego tepër të fortë që nuk e lë atë të bëhet shërbëtor i kolegëve të tij. Në anën tjetër, menaxherët nuk dinë të vlerësojnë, apo të bëjnë projekte kulturore, prandaj kanë nevojë për këshillat e artistëve. Kjo e bën tepër të ndërlikuar Ministrinë e Kulturës dhe institucionet vartëse të saj, të cilat duhet të krijojnë borde artistësh, por jo të udhëhiqen vetë prej artistëve. Arti dhe kultura kanë nevojë për menaxherë të mirë. Mos harroni: nga të gjitha ministritë që do t’i udhëhiqni, vetëm punët e Ministrisë së Kulturës mund t’jua zbardhin fytyrën këtu dhe jashtë vendit. Kultura përbën karakterin, karakteri është tipari më i rëndësishëm i njeriut, njeriu në shumës përbën popullin, populli ju voton, ose ju rrëzon. 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK