Zërat
Bardh Frangu
Bardh
Frangu

Mungesa e kulturës në fushatë

Zërat June 06, 2017 - 08:34

Dihet se kultura është fenomen kompleks dhe term i gjerë, po në këtë rast mund t'i referohemi pranisë së saj në fushatën paraelektorale si pjesë e politikës, përkatësisht politikave që na ofrojnë partitë, të cilat garojnë për të marrë pushtetin.Sigurisht që mungesa e projekteve, ideve dhe në përgjithësi mungesa e politikave për këtë fushë kaq të rëndësishme shoqërore, dëshmon më së mirë edhe për nivelin kulturor të subjekteve politike dhe pjesëmarrësve në të. 

Kjo mbase shpërfaqet në formë shqetësuese për të ardhmen e këtij vendi, ndërsa çdo gjë dominohet nga logjika e kapjes së pushtetit e jo nga ajo e bërjes së shtetit. Fushata paraelektorale dominohet nga premtimet në formë mashtrimi e që kryesisht kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me ngritjen e pagave dhe të mirave tjera materiale që drejtpërsëdrejti prekin interesin e votuesit, i cili duhet ta delegojë vullnetin e tij tek ta në formë kontrate besimi. 

Për vetë faktin se gënjeshtra ka shtruar pushtet absolut mbi të vërtetën, nënkuptohet se kultura, ruajtja dhe kultivimi i saj është në një derexhe të madhe, sepse vetë kultura identifikohet me të vërtetën, etikën dhe moralin në përgjithësi. Ne tani po e jetojmë një krizë të thellë morale. Brenda kësaj krize janë rrezikuar të gjitha vlerat, pra edhe ato materiale, siç janë objektet e ndryshme të trashëgimisë, etj. Ndërsa kur është në pyetje kultura shpirtërore, sigurisht që e para në mendje na bie gjuha. Mjafton t'i dëgjoni folësit nëpër fushata, debatuesit nëpër medie elektronike, e në veçanti programet e televizioneve tona dhe të shihni sa shpërfillës jemi kundrejt kësaj. Po të kaloni nëpër qendrat e qyteteve tona dhe të shihni emrat e dyqaneve dhe në veçanti të kafiterive, të krijohet bindja se këtu shqipja nuk flitet fare; shumicën absolute të tyre i keni në gjuhën angleze!

Instalimi i logjikës së gënjeshtrës, si forcë e dominimit të pushtetit, ka prodhuar indirekt edhe krijues, përkatësisht mashtrues të prodhimit të  kulturës, sikundër që ka prodhuar grupe dhe klane të strukturuara mbi bazë të politikave që përcaktojnë partitë me forcën e pushtetit. Edhe në ish sistemin e njëmendimësisë ka qenë praktikë që nga njerëzit e politikës të mbahet e kapur kultura, por modelet e kohës sonë dalin të jenë më të ashpra dhe më ngulfatëse ndaj kulturës.

Nëse themi se zhvillimet tona kulturore dominohen nga prodhimet tallava, tallava reflekton të jetë edhe politika. Kështu degradimet në kulturë drejtpërsëdrejti ndikojnë edhe në degradimet në politikë. Dhe për sa kohë do të sillemi kështu ndaj kulturës, veç sa do ta rrisim krizën morale që ka mbërthyer këtë vend. Ndërsa çdo gjë është politizuar si ka mundësi që kulturën ta shohim si hapësirë të lirë, kur mund të prodhohen vlera në dobi të përgjithshme, për më tepër në një vend si ky i yni, ku vetëdija për interesin publik jo që nuk është kultivuar, por është rrënuar!?

Për sa kohë politika troket me oferta në barkun tonë e jo në kokat tona, do të vazhdojmë të jetojmë në këtë hapësirë kënetishte, nga e cila zor se ka për të na nxjerrë kush.  

 

 

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK