Zërat
Enis Veliu
Enis
Veliu

Mashtrimet milionëshe për vota

Zërat June 05, 2017 - 13:40

Ndërtimi i një shkolle moderne milionëshe pritet të nisë në fillim të javës që vjen në Braboniq, në fshatin e lindjes së liderit aktual të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli.

Një shkollë e ngjashme si kjo po ashtu do të nisë edhe Kaçanik, njëra nga bastionet e vogla të partisë që drejton Veseli.

E shumë projekte të tjera nëpër komuna të mëdha e të vogla janë duke u realizuar pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, që do të mbahen më 11 qershor të këtij viti.

Një palestër milionëshe do të ndërtohet në fshatin Zhegër të Gjilanit, bastion ky i Lidhjes Demokratike të Kosovës të Isa Mustafës.

E shumë rrugë janë duke u shtruar me kube në komunën e Prishtinës, e cila drejtohet nga Shpend Ahmeti i lëvizjes “Vetëvendosje”.

Hapja e punëve publike në kohë fushate tashmë është bërë trend. Kështu ka ndodhur edhe në zgjedhjet e 2014-ës apo edhe në zgjedhjet tjera paraprake.

Politikanet po premtojnë realizimin e shumë projekteve, ndonëse disa nga to janë duke u realizuar qysh nga viti kaluar, siç është zgjerimi i rrugës nga Prishtina në drejtim të Ferizajt apo edhe ajo nga Podujeva në drejtim të Prishtinës.

Mirëpo e gjithë kjo zgjat vetëm dy javë sa zgjat fushata zgjedhore, më pas ata të njëjtit që tash po e shqyejnë fytin duke premtuar e promovuar më vonë i harrojnë të gjitha. Madje ka projekte që themelet janë vendosur në fushatën parazgjedhore, siç është rasti i fabrikës së kërpudhave në një fshat të Drenasit dhe gjithçka ka mbetur me aq.

Nga realizimi i projekteve në kohë të zgjedhjeve së pari po fiton partia (vota), po fiton komuniteti që përkrah partinë e caktuar, e “ajkën” sërish e mbledh partia përmes kompanive ndërtimore që po ua jep realizimin e projekteve të mëdha.

Kompanitë që po fitojnë tenderë milionësh janë të afërta me partinë që kanë qeverisur vendin si në mandatin e kaluar, por edhe më herët.

Kompani të mëdha që dikur ishin me nam sot kanë falimentuar ose janë në rrugë të falimentimit. Ndërkaq kompani që janë regjistruar sivjet apo më së largu vjet po realizojnë projekte milionëshe.

Liderët e partive politike por edhe kandidatët për deputetë të partive të ndryshme po mashtrojnë opinion duke kërkuar vota në këmbim të realizimit të projekteve të ndryshme kryesisht në infrastrukturë.

E në realitet mjetet për realizimin e atyre projekteve janë të atyre qytetarëve që paguajnë tatim në paga, paguajnë tatim në pronë apo edhe paguajnë taksa të ndryshme që aplikohen në vendin tonë.

Është momenti i fundit kur votuesit kosovarë duhet të vetëdijesohen duke ia dhënë votën partisë apo edhe kandidatit që premton zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të reja të punës, luftim të korrupsionin, liberalizim të vizave dhe integrim në gjirin e familjes së madhe evropiane, e jo partive e kandidatëve që gjatë fushatës zgjedhore premtojnë asfaltim të rrugëve, ndërtim të shkollave, çerdheve apo edhe investime të ndryshme në infrastrukturë.

Realizimi i shumë projekteve në përmirësimin e infrastrukturës bëhet edhe pa politikanët që po vrapojnë pas votave, pasi që ajo është përgjegjësi e zyrtarëve të punësuar në institucione, pasi që ata paguhen për atë punë, por janë pikërisht këta politikanët që abuzojnë me ta, por edhe me taksat tona.

 

CITIM:

Nga realizimi i projekteve në kohë të zgjedhjeve së pari po fiton partia (vota), po fiton komuniteti që përkrah partinë e caktuar, e “ajkën” sërish e mbledh partia përmes kompanive ndërtimore që po ua jep realizimin e projekteve të mëdha.

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK