Zërat
Serbeze Haxhiaj
Serbeze
Haxhiaj

Norma e hipokrizisë

Zërat June 03, 2017 - 13:46

Me gjasë do të jetë rrugë e gjatë për të kuptuar që ne vrasim ndryshe dhe tregojmë keqardhje në një trajtë tjetër për faktin se shpesh nuk e shohim hendekun mes a asaj që e themi dhe bëjmë.

Ishte prag zgjedhjesh kur në 2014 kaloi ligji që u njeh grave të dhunuara në luftë statusin e viktimës. U desh të ishte sërish prag fushate që qeveria të miratojë themelimin e Komisionit për Verifikimin dhe Dhënien e Statusit të Viktimave Seksuale në luftë. 

 Nuk mbahet mend që një akt nënligjor të ketë marrë kaq shumë kohë, pavarësisht ndjeshmërisë së procesit.

Gati katër vjet pas një skemë e varfër  reparacionesh po u ofrohet asaj pjese që në realitet u shtyp brutalisht shumë më tepër se në luftë.

 Skema aktuale nuk u ofron atyre beneficione të njëjta me viktimat e tjera civile, ndonëse u pranua gjerësisht se dhunimi u përdor si armë lufte për spastrim etnik dhe mjet për ta ndryshuar demografinë e një territori. 

Ligji përcakton aplikimin për statusin e viktimës brenda një afati kohor prej 15 muajsh duke lënë jashtë skemës shumë viktima të tjera.

Ende nuk ka kurajë për të pranuar se dhunime pati jo vetëm gjatë kësaj periudhe dhe jo vetëm nga serbët. Kjo u pa mirë në disa nga proceset gjyqësore për krime lufte në Hagë dhe Kosovë. 

Një  viktimë e dhunës seksuale që akoma jeton në një shtëpi të braktisur ku nuk ka as rrymë vitin e kaluar më tregonte se si fëmijët e saj lakmojnë vilën luksoze përballë tyre të kryetarit të Komunës së Skenderajt.  

Vajza e vogël i kishte thënë se me çerekun e kostos së murit të oborrit të tij do ta kishin ndërtuar një shtëpi.

Derisa abuzimet morën përmasa industriale në procesin e dhënies së  statusit të veteranëve të luftës dhe kategorive tjera, për këto koha po pret. Edhe buxhet do të “kursehet", ani pse një gjeneratë e tërë fëmijësh po rritet duke vuajtur indirekt pasojat e dhunës ndaj nënave të tyre. Ligji nuk përfshin asnjë përkrahje për ata që po rriten me problemet dhe dhimbjet e nënave të tyre dhe as të tjerët, nënat e të cilëve u braktisën në emër të "çnderimit".

Stigma dhe përjashtimi dhe një betejë me varfërinë e skajshme  vazhdon të merr vitet e tyre, derisa jo pak fonde u  morën, e shpesh u keqpërdorën nga një pjesë e OJQ-ve në emër të përkrahjes së tyre.  Disa nga ato organizata ende pretendojnë se kanë monopol mbi këtë çështje. 

Shumë rezistencë dhe improvizime kanë përcjell rrugën gati dy dekadëshe në përpjekje për t'i njohur si viktima ato, trupat e të cilave u bënë pjesë e fushëbetejës.

Në ditën e vizitës së princit britanik Charles dhe Dukeshës së Cornwall në Kosovë, në mars të 2016 dy gra u panë tek "dorëzonin" aplikacionet te presidentja e vendit për t’iu njohur statusi i viktimës. Ligjërisht aplikimi nuk kishte filluar dhe gratë pothuajse u identifikuan.

Jo serioziteti u pa edhe në pohimet e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Për vite ata folën për rreth 20 mijë femra të dhunuara, e së fundi  po thonë se shifra është e ekzagjeruar. 

Përtej kësaj ajo që vazhdon të jetë me bollëk është vetëm nençmimi dhe një keqardhje plot hipokrizi e shumicës prej nesh. 

Një  tjetër viktimë e dhunës seksuale që  kishte dëshmuar në Tribunalin e Hagës iu desh të merrte azil në një vend skandinav. Vite më parë në shtëpinë e saj në Kaçanik ajo po më tregonte se si kthimi nga Haga dhe zbulimi pjesërisht i identitetit të saj kishte hapur rrugë për trajtime të tjera çnjerëzore. Pronari i biznesit ku ajo po punonte si punëtore teknike e kishte detyruar në një rast të ia fshinte këpucët.

Duke u parë si e “dhunuar” disa huliganë kishin tentuar ta dhunonin në rrugë për në shtëpi.

Këto gra na kanë treguar saktësisht se ne flasim kundër dhunës,  dhe shpesh  kultivojmë  snobizmin duke çmuar më shumë ata që u frikësohemi apo na duhen, ndërsa viktimat i shkelim. Turpi nuk  mund të ketë ngjyra tjera aty ku viktima fajësohet dhe ku nderi perceptohet në versionin më të bastarduar.

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK