Zërat
Xhavit Haliti
Xhavit
Haliti

Zgjedhjet, referendum për Kosovën

Zërat May 31, 2017 - 14:55

Hapja ligjërisht e garës elektorale fillon sot. Zgjedhjet e 11 qershorit janë të parakohshme, ndaj dhe fushata zgjedhore është e limituar në 10 ditë. Kufizimi kohor i saj, që u kushtëzua nga rikrijimi sa më shpejt i dy shtyllave të pushtetit në demokraci, legjislativit dhe ekzekutivit, mendoj se e ka pozitiven dhe negativen e vet.

Është pozitive sepse ngushton mundësitë kohore që partitë t’i shpalosin në elektorat arritjet dhe mosarritjet e objektivave të premtuara prej tyre gati 3 vjet më parë. Kufizimi i kohës për kontakt e ballafaqim me elektoratin kam bindjen se do të ndikojë në minimizimin e retorikës patriotike, folklorike, krahinariste e premtimeve të parealizueshme. Po ashtu kufizon luhatjet në qëndrimet partiake dhe kërkon pozicionimin publik të partive për zgjidhjen e shpejtë, racionale e në interes të së sotmes e të së ardhmes së Kosovës për konsolidimin si shtet demokratik e i besueshëm për mbrojtjen, sigurinë dhe mirëqenien e gjithë qytetarëve të vet, si shtet që meriton dhe do ta realizojë shpejt anëtarësimin në OKB, në NATO dhe ndoshta pak më vonë edhe në BE. Shmang mundësinë e spekulimeve në elektorat, duke devijuar përmes propagandës në takime drejtpërdrejt me zgjedhësit, apo përmes medies së shkruar dhe elektronike, nga deklarimet dhe logoja elektorale e shpallur publikisht para zgjedhjeve nga liderët e partive.

Negativiteti i kohës së shkurtër së fushatës zgjedhore mendoj se është: Kufizimi i  mundësisë së reflektimit të qytetarëve për arsyet që shkaktuan zhvillimin e parakohshëm të zgjedhjeve. Vështirë që shumica e bashkëqytetarëve tanë të kenë pranuar dhe të jenë dakordësuar me rrëzimin e Qeverisë dhe arsyet që i shkaktuan ato e të votojnë për kapërcimin e tyre. Këta mund të mos jenë shumë, por pjesëmarrja e tyre e ndërgjegjshme në këto zgjedhje është më shumë se e nevojshme.

Më 11 qershor do të votohet kryesisht për dy çështje themelore të shtetit të Kosovës: Demarkacionin dhe Asociacionin. Dihet që Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk parashikon zhvillim referendumesh për zgjidhje të problemeve të kësaj natyre. Këto zgjedhje janë dhe efektivisht do ta kenë vlerën e një zgjidhjeje referendare për këto dy probleme të lidhura me sovranitetin e shtetit të Kosovës. Ato më së shumti do të jenë një verdikt për shtetin, sesa për partitë apo koalicionet, që do ta vendosin një “gur të rëndë” dhe do të zënë vend në historinë bashkëkohore të Kosovës.

Këto zgjedhje në fushatë duhet t’i orientojë në votime e nesërmja. Zgjedhjet e 11 qershorit janë hapi i parë përcaktues në të ardhmen. Uroj që bashkërisht, të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin në votime, të votojnë për më të mirën, duke gjykuar në bazë të programeve politike, por kurrsesi mbi të shkuarën, krahinoren apo biografitë e personalizuara. Pas kaq vitesh pesha e folklorizmit dhe krahinizmit në Kosovë mendoj se duhet mbaruar. Me votën e 11 qershorit vendosim ekuilibrin e domosdoshëm demokratik. Është mundësia e koha që më 11 qershor ta bëjmë ketë! Këto zgjedhje janë referendum për Kosovën!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK