Zërat
Fitim Zekthi
Fitim
Zekthi

Marrëveshja Rama-Basha bën të domosdoshëm ripërkufizimin e fushatës

Zërat May 27, 2017 - 14:35

Marrëveshja Rama-Basha ka kapur befasisht të gjitha partitë, të gjithë njerëzit në media dhe të gjithë strategjistët zgjedhorë. Që të gjithëve iu duhet të riformulojnë narrativa, politika, slogane, fjalë kyçe etj., pasi ato të parat kanë rënë.

Megjithatë ka paralel me nevojën për ripërkufizim të termave të fushatës, një ngarendje të pandalshme për të kritikuar marrëveshjen Rama–Basha nga të gjitha partitë e vogla politike, sidomos nga ato të koalicionit qeveritar. Në thelb marrëveshja arriti një gjë të madhe siç është futja e opozitës në zgjedhje dhe me këtë ajo tregoi se pavarësisht vullnetit të verbër apo dëshirës marroke për të hyrë në zgjedhje me opozita të sajuara, përpjekje të tilla janë të kota, qesharake dhe të rrezikshme.

Sado që të jetë e keqe, e korruptuar dhe problematike një klasë politike, pretendimi se ajo duhet rrëzuar duke shkaktuar edhe kaos nëpërmjet mospjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje ose nxitjes së saj për të mos marrë pjesë në zgjedhje është shumë i keq apo më i rrezikshëm. Kësisoj të gjithë ata që donin që PS të vazhdonte me kokëfortësi të shkonte në zgjedhje e vetme janë njerëz që as ia kanë idenë demokracisë. Edhe ata që mendonin se ndërkombëtarët do të lejonin apo ishin dakord që të kishim zgjedhje me opozitën janë gabim. Çdo deklaratë e tyre se do t’i njohin zgjedhjet edhe pa opozitën ka qenë presion mbi opozitën që të kemi zgjedhje me opozitën. Pra, deklarata të tilla në fakt kanë synuar të kundërtën e asaj që donin ata që thoshin se PS duhet të hyjë në zgjedhje sepse edhe ndërkombëtarët janë pro.

Pra, marrëveshja prodhoi një moment të rëndësishëm të të kuptuarit të demokracisë por edhe të jetësimit të saj: pamundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve pa opozitën. Të tjerat nga marrëveshja janë detaje. Në secilin detaj mund të gjenden elemente që synojnë avantazhin e PD-së, avantazhin e PS-së apo avantazhin e të dyjave. E rëndësishme është se asnjë nga këto elemente nuk janë antidemokratike apo nuk janë të pandershme. Secila nga partitë e koalicionit të PS-së duke nisur nga LSI, te PDIU apo nga PSD te PDS etj., mund të kishin bërë koalicion shumë kohë më parë. Ata kishin kohë me muaj për ta bërë këtë gjë por u përpoqën të luajnë në një lojë që ishte më e madhe se ata.

Ripërkufizimet e reja në radhë të parë kanë të bëjnë më Partinë Socialiste, e cila nuk mund të përdorë si pikën kyçe të fushatës së saj Reformën në Drejtësi apo vettingun. Tashmë ajo nuk mund të thotë “na votoni sepse do të bëjmë Reformën në Drejtësi dhe do të çlirojmë vendin nga ata që e pengojnë, nga bota e vjetër, nga çadra” etj. Gjithashtu Partia Socialiste do të ketë një qëndrim tjetër ndaj LSI-së dhe PDIU-së ndonëse duke qenë një parti e madhe më shumë mund t’i kushtojë rëndësi ofertës së saj, përkufizimit të vetes dhe jo ish-aleatëve të cilët ajo tashmë synon t’i dobësojë deri në asgjësim.

Partia Demokratike gjithashtu duhet të fokusohet më shumë tek oferta e saj, ajo ka nevojë t’i bindë votuesit se është e gatshme të qeverisë. PD ka arritur t’i bindë shqiptarët për përmasat e frikshme të mbjelljes së vendit me hashash, për futjen në zyrat e shtetit të njerëzve të lidhur me krimin dhe nuk ka ndonjë nevojë të madhe të përkufizojë PS-në. Pranimi nga PS i ndryshimeve në qeveri është i mjaftueshëm si tregues. Çështja është më e koklavitur me LSI-në dhe me PDIU-në, të cilat janë të terrorizuara nga ideja se mund të jenë në opozitë, nga fakti që PS-ja në fund ua dogji lojën që po luanin sikur të ishin aktorë vendimtarë të pazëvendësueshëm.

LSI po përpiqet të ndërtojë një narrativë sikur marrëveshja Rama-Basha është në favorin e tyre, sikur këtë marrëveshje e ka propozuar në terma të ngjashëm vetë LSI, sikur LSI po garon për të qenë parti e parë. Të gjitha këto janë pafuqi e kësaj partie për të pranuar të vërtetën. Ajo përpiqet përsëri të luajë një lojë që është më e madhe se ajo. Është e qartë se PS-ja synon ta nënshtrojë LSI-në, ta kthejë në një parti që respekton ose sillet sipas peshës që ka dhe jo sipas peshës që mendon se ka ose sipas peshës që arrin përkohësisht të kapë duke u rritur me mjete apolitike.

LSI do të vijojë me shpirt ndër dhëmbë të mbajë gjallë te votuesi idenë se ajo do të jetë në pushtet, ndërkohë që nuk ka asgjë të sigurt. Marrëveshja më shumë synon lënien e saj në opozitë se sa futjen e saj në një koalicion qeveritar. Për shkak të kësaj loje LSI sërish do të vuajë. Ajo ka vetëm një rrugë ose ti nënshtrohet Ramës ose të dalë hapur në luftë kundër tij për ta mundur.

Rrugë tjetër nuk mund të ketë sa do të përpiqet ajo ta menaxhojë me kujdes. Votuesit do ta kuptojnë se LSI është në një luftë të madhe me PS dhe rreziku që ajo të jetë në opozitë është shumë i madh. Kësisoj votuesi nuk ka ndonjë interes ta votojë atë. PDIU është në një pozitë edhe më të keqe. Ajo si LSI do të vazhdojë të mbajë me dhunë të fshehur zemërimin me PS dhe do të flasë për marrëveshje që nuk e dëmton , për marrëveshje që e bën më të fortë etj. Një qëndrim i pasinqertë apo i pandershëm politik mund të të japë një herë avantazh, por ai është i destinuar të dështojë. LSI dhe PDIU e kanë përfituar avantazhin më shumë se një herë duke mbajtur qëndrime të tilla.

Tashmë është koha që ato të rikthehen në peshën reale dhe të mbajnë qëndrimet e drejta pa hyrë në një lojë që është më e madhe se ato. Fakti që ka shumë kundërshtarë të marrëveshjes, shumë konspiracion mes politikës, gazetarëve apo edhe grupeve të tjera sociale që shajnë apo nxjerrin vrer ndaj marrëveshjes vjen edhe nga shtysa të tilla./mapo.al/

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK