Zërat
Bahri Sejdiu
Bahri
Sejdiu

Edukimi profesional apo universitar?

Zërat May 23, 2017 - 13:19

Dilemat e rinisë kosovare në ditët e sotme janë edukimi profesional apo universitar? Përvojat e deritanishme kanë dëshmuar se çdo investim në sektorin e arsimit ndikon në zhvillimin e vendit. Pavarësisht dilemave se “papunësia” dhe “varfëria” janë në rritje, të rinjtë e Kosovës janë optimistë për të ardhmen. Sfida kryesore për shoqërinë kosovare mbetet planifikimi dhe implementimi i programit të mirëfilltë në arsimimin dhe aftësimin profesional. Mësimi gjatë gjithë jetës është i rëndësisë themelore për punësim, zhvillim ekonomik dhe mundësi e hapur për integrim në shoqëri. Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës numri i të papunëve është 32,9%, ndërsa komuniteti i biznesit dhe sindikata e punës kanë thënë se ky numër është dukshëm më i madh, duke kaluar 40%.

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmëformal  sipas rregullës Chatham House dhe pa prani të medieve. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë, për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Fjala e hapjes postohet në  kanalin e salloneve në “YouTube”. Secili Sallon përcillet me editorial që publikohet në “Zëri” të martën e ardhshme dhe në faqen elektronike të D4D-së. Podcastet bazuar në editorial mund t’i gjeni në webfaqen tonë. Salloni i radhës do të mbahet sot, më 23 maj 2017, nga ora 16:45 në Dit’ e Nat’ me temën: “Roli i medieve në këto zgjedhje: A ndikojnë në votën e qytetarëve?”

Në Kosovë mungon një orientim profesional drejt ekonomisë se tregut, me anë të cilit u tregohet të rinjve se sa kuadro kërkohen nëse duhet kryer një shkollë profesionale ose një fakultet. Kohëve të fundit mijëra të rinj mësyjnë shtetet perëndimore. Në anën tjetër këto shtete dëshirojnë njerëz të kualifikuar e jo njerëz që vijnë nga halli. Arsimi dhe aftësimi profesional konsiderohen si politika të BE-së për t’u bërë ekonomi konkurruese e bazuar në dije. Në Kosovën e pasluftës janë hapur shumë shkolla të mesme të larta, shumë universitete publike dhe private me shumë kuadro kuantitative, të profesioneve të ndryshme, që kryejnë punë joprofesionale. Me fjalë të tjera, ai-ajo që ka kryer studimet për master në histori, ose drejtim tjetër, punon në ndonjë market apo punë tjetër që as përafërsisht nuk kanë asgjë të përbashkët. Mandej, “fabrikimi” i diplomave, ku në sektorin publik punësohen të afërmit e njerëzve të politikës, krijon parregullsi në arsim dhe në administratë publike.

Çfarë duhet bërë? Orientimi me kohë, qoftë nga prindërit apo mësimdhënësit, për profesionin pas përfundimit të shkollimit fillor të fëmijëve. Orientimi për shkollat profesionale, të cilat duhet të funksionojnë si ndërmarrje të vogla ekonomike, e që janë shtyllat kryesore për zhvillimin e ndërmarrjeve të ardhshme, prodhuese dhe shërbyese. Shembulli më i mirë është Qendra e Kompetencës në Skenderaj, e cila ofron kushte për aftësim profesional për tregun e punës. Në këtë shkollë funksionojnë shumë profile, duke filluar nga ndërtimtaria e ulët, arkitektura, deri të dizajni i modës, që është bërë shumë tërheqës për gjininë femërore. Kohëve të fundit është thyer tabuja se në këtë shkollë shkojnë vetëm nxënësit e dobët dhe vetëm meshkujt. Përkundrazi, këtë vit shkollor mësimet i vijojnë nga treva të ndryshme të Kosovës dhe të Shqipërisë. Mandej, rreth 49% janë punësuar në ndërmarrje të vogla apo të mesme. Rreth 25% janë regjistruar në fakultete të ndryshme. Qëllimi nuk është për t’i nënçmuar gjimnazet dhe shkollat tjera, por udhëzimi në karrierë ka rëndësi të madhe. Shkollat profesionale, krahasuar me shkollat tjera, janë një mundësi e mirë për kualifikimin e fuqisë punëtore, rritjen e punësimit tek të rinjtë dhe zhvillimin e vendit në përgjithësi. Debatet e ndryshme që bëhen me të rinj janë të mirëseardhura për hapat e mëtutjeshëm në karrierë. Kjo është lidhja më e mirë në mes të arsimit dhe aftësimit profesional, në pajtim me kërkesat e tregut të punës. Mosekzistimi i lidhjes në mes të shkollave profesionale dhe sektorit të ekonomisë e minon tërësisht konceptin e arsimimit dhe aftësimit profesional. Në të ardhmen mbetet edhe shumë punë për t’u kryer. Ministria e Arsimit e drejtoritë komunale të arsimit duhet ta kenë parasysh ofrimin kushteve për punë praktike, t’u ofrojnë autonomi buxhetore dhe procedurave të panevojshme të prokurimit dhe të krijojnë bashkëpunim me bizneset ekzistuese. Së fundit, duhet bërë depolitizomi, meritokracia, profesionalizmi, etika e përgjegjësia institucionale janë kushte që mund t’i zgjidhin shumë dilema të krijuara në sistemin e arsimimit.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK