Zërat

Andi Bushati

Tri lajme nga lista e Ramës

03 maj 2017 • 15 : 14
Megjithëse skuadra e re e kapitenit Rama do të hidhet në fushë për të luajtur pa kundërshtarë, pra më 18 qershor do të marrë pjesë në një ndeshje ku formacioni është i parëndësishëm, publikimi i listave të PS-së ka ngjallur debat. Prej tyre janë hequr pothuajse gjysma e deputetëve të kuvendit që po mbyllet, prandaj ia vlen t’i kuptosh arsyet e kësaj "Rilindjeje bis".
 
Lajmi i parë i mirë është fakti se këtë radhë listat e PS-së janë zhveshur nga të fortit, trafikantët, tutorët e prostitutave, vrasësit jashtë territorit të vendit. Pra automatikisht kjo do të thotë që ndonëse qesharak, i pabesueshëm apo i denjë për Korenë e Veriut, parlamenti i ardhshëm së paku nuk do të jetë më i kriminalizuar.
Ndoshta për arsyen se të fortët nuk i duheshin më, kryeministri e ka pastruar këtë kategori nga radhët e përfaqësuesve të PS-së. Madje ai ka shkuar edhe më tej, ka fshirë nga listat edhe ata njerëz mbi të cilët prokuroria ka hedhur qoftë edhe një hije dyshimi, duke dëshmuar se ndonëse publikisht nuk e ka pranuar kurrë, beteja e dekriminalizimit e ka rraskapitur moralisht. 
 
Lajmi i dytë është se ai po paraqet përballë shqiptarëve një PS pa memorie. Fshirja nga listat e pothuajse të gjithë themeluesve të kësaj partie, përpos Gramoz Ruçit, ka shkëputur çdo lidhje, jo vetëm me ish-socialistët e Nanos, por mbi të gjitha me atë forcë që përballoi opozitën heroike të viteve të '92-'97 dhe që rindërtoi vendin pas kësaj periudhe traumatike.
Ashtu siç kishte paralajmëruar Blushi me kohë, tani nuk ka më PS, por ka vetëm Rilindje dhe ky formacion i ri ka po aq lidhje me socialistët sa ç'kishte partia e Nanos me atë të Enver Hoxhës.
 
Lajmi i tretë është spastrimi jo vetëm i atyre njerëzve që kanë folur kundër, por edhe i atyre që nuk kanë duartrokitur zellshëm. Nëse dikush ka shprehur ndonjë mendim se si duheshin bërë zgjedhjet në PS, ai nuk është më sot në listë. Nëse dikush ka refuzuar qoftë edhe në heshtje ndonjë urdhër të kryeministrit se si duhen drejtuar financat e vendit, ai është quajtur heretik. Nëse dikush ka qenë korrekt, por familjarët e tij kanë guxuar të flasin publikisht kundër shefit edhe ai konsiderohet i padobishëm.
Pra lista aktuale e Rilindjes ka fshirë përfundimisht edhe filizat e mbetura të pluralitetit dhe mendimit alternativ, duke  i dhënë fund praktikës më të mirë që ka shoqëruar për gati dy dekada atë që konsiderohej si partia më demokratike shqiptare.  
Të tre këta elementë, pavarësisht se veç e veç, mund të duken dikush më i mirë dhe dikush me i keq, konvergojnë në të njëjtën pikë. Ata përmblidhen në konceptin e Erdoganit, që po ngjall sot aq shumë polemika, pasi e konsideron demokracinë si "një tramvaj që i hipën atëherë kur ke nevojë dhe që i zbret pasi ke arritur qëllimin". Kështu ka vepruar edhe Edi Rama. Ai i përdori banditët për ta përballuar fuqinë e dhunshme të Berishës. Ai i thirri në ndihmë memories së PS-së kur i duhej që t’i fitonte zgjedhjet. Ai i duroi edhe ata që nuk e shihnin si perëndi, sepse i nevojiteshin si pjesë e një fronti që do ta çonte drejt qëllimit. 
Por tani askush nuk është më i domosdoshëm, sepse Edi Rama po shkon drejt marrjes së pushtetit pa garë. Dhe ashtu siç ndodh pas instalimit të regjimeve moniste, ata nuk i durojnë më as kriminelët e vet, as bashkëudhëtarët e vet, as disidentët e vet. Edhe Edi Rama këtë po bën. Ai po i spastron të gjithë, sepse më 18 qershor në një parlament pa opozitë ai po bëhet gati t'i zbresë tramvajit të demokracisë. (Lapsi.al) 

© zëri.info