Zërat
Klementin Mile
Klementin
Mile

Partia Demokratike nuk do qeveri teknike

Zërat April 29, 2017 - 11:38

Ka më shumë se dy muaj që Partia Demokratike vazhdon të theksojë përditë, qartazi dhe në mënyrë ultimative kërkesën e saj për qeveri teknike. Sipas saj, në Shqipërinë e kanabizuar ku qarkullojnë miliarda euro nga trafiqet e drogës, mund të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme vetëm nëse kryeministri Rama jep dorëheqjen dhe i lë vendin krijimit të një qeverie teknike. Argumenti i PD-së është ky: Qeveria teknike do të shkëpuste “spinën” kriminale nga “priza” e pushtetit qeveritar. Përmes krijimit të një qeverie teknike do të shkëputeshin lidhjet e qeverisë Rama me paratë e trafikantëve të drogës, të cilat rrezikojnë të blejnë votat e shqiptarëve.

Por, në fillim të kësaj jave, patëm mundësinë të ndjekim dështimin e negociatave politike ndërmjet palëve, pavarësisht cilësisë dhe pranueshmërisë së një negociatori si David McAllister. Rama dhe Meta, si përfaqësues të qeverisë, u treguan të gatshëm t’i ofronin Partisë Demokratike një numër gjërash të rëndësishme: kryetarin e KQZ-së, katër ministra teknikë që kanë rol kyç për organizimin e zgjedhjeve, shtyrjen e datës së zgjedhjeve, ndryshime të drejtuesve të policisë në qarqe dhe masa të tjera për luftën ndaj drogës dhe procesin e dekriminalizimit. Këto lëshime ishin vërtet të mëdha, çka u pranua edhe nga lideri opozitar Basha, kur u shpreh se Rama është gati të dorëzojë çdo gjë, por jo karrigen e tij.

Qëndrimi i Partisë Demokratike në këto negociata, duke i refuzuar lëshimet e mazhorancës dhe duke këmbëngulur për qeveri teknike, të sjell ndërmend një histori që tregohet nga filozofi anglez Gilbert Ryle, për të ilustruar gabimin kategorik. Në librin e tij Koncepti i Mendjes, Ryle rrëfen për vizitorin e një universiteti, të cilit i tregohet qendra studentore, biblioteka, kolegjet e ndryshme, studentët dhe fakultetet, kampusi universitar dhe pronat e tjera të universitetit, e që megjithatë pyet: “Po universiteti ku është?” Siç shkruan Ryle, vizitori bën një gabim kategorik, pasi universiteti nuk është një gjë përtej njerëzve, pronave dhe programeve, ai është njerëzit, pronat dhe programet.

Të njëjtin gabim kategorik bëri edhe Partia Demokratike, duke mos arritur të kuptojë që qeveria teknike (në funksion të zgjedhjeve) nuk është gjë tjetër veçse kreu i KQZ-së, ministrat që merren me zgjedhjet, drejtuesit e policisë, shtyrja e datës së zgjedhjeve, lufta kundër drogës dhe dekriminalizimi. Duke refuzuar sa më sipër, Partia Demokratike ka refuzuar as më pak as më shumë, vetë qeverinë teknike. Fakti që Rama do të mbetej kryeministër është i papërfillshëm, pasi funksionimi i këtyre instancave do të ishte i pavarur prej vullnetit të tij. Rama, në këtë kuptim, do të kishte vetëm pushtet simbolik, të krahasueshëm me atë të mbretëreshës së Anglisë.

Ky qëndrim i PD-së mund të interpretohet në disa mënyra: ose Partia Demokratike nuk arriti ta kuptojë që në fakt iu ofrua qeveri teknike dhe prandaj e refuzoi – çka do na bënte ta gjykonim si të paaftë konjitivisht liderin e saj; ose e kuptoi që iu ofrua qeveri teknike, por, siç thonë disa analistë si Henri Çili, kërkon të marrë një avantazh paraelektoral duke e treguar kryeministrin të dobët përmes detyrimit për të dhënë dorëheqjen – pra, PD nuk kërkon thjesht qeveri teknike dhe kauza e saj nuk është në fakt ‘zgjedhje të lira e të ndershme’, por zgjedhje të lira dhe të pandershme; ose e kuptoi që iu ofrua qeveri teknike, por, siç thonë analistë të tjerë si Spartak Ngjela, qeveria teknike është vetëm një alibi, pasi në fakt PD i frikësohet vetingut dhe efekteve që mund të sjellë mbi ta reforma në drejtësi.

Unë nuk besoj se një lider si Basha, me formim perëndimor, është i paaftë konjitivisht. Partia Demokratike e kuptoi që në tavolinën e negociatave iu ofrua qeveri teknike. Po ashtu nuk besoj se PD kërkon vetëm një avantazh paraelektoral, pasi, në kushtet kur koalicioni PS-LSI duket se do të vazhdojë, ky avantazh nuk do t’i mjaftonte për të marrë pushtetin. Por ama besoj se PD i trembet drejtësisë dhe mund të bëjë çdo gjë për ta bllokuar reformën. Le të kujtojmë që gjatë negociatave Partia Demokratike, pasi e kuptoi që iu plotësua kërkesa për qeveri teknike, shtoi një kërkesë tjetër që e kishte lënë në heshtje: votimin elektronik.

E megjithatë mbetet enigmatike pse duket se vetëm Partia Demokratike i frikësohet drejtësisë. Nëse drejtësia e reformës pritet të jetë e mirëfilltë, do të duhej t’i trembeshin të gjithë ata që kanë mbajtur poste publike, majtas e djathtas, dje dhe sot. Në një vend kaq shumë të korruptuar për kaq gjatë, është e vështirë t’i ndash partitë dhe politikanët në abuzues dhe jo abuzues me pushtetin. Bën më shumë kuptim t’i ndash në parti e politikanë që kanë marrë garanci se nuk do preken nga drejtësia dhe në parti e politikanë që nuk e kanë marrë atë garanci. Para ligjit janë të gjithë të barabartë. Por mbase drejtësia nuk e prek njëlloj atë që është kryeministër, atë që është në çadër dhe atë që shkon drejt presidencës./Mapo.al/

 

Pedagog në UET

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK