Zërat
Bardh Frangu
Bardh
Frangu

Debat i zorshëm për Komandantin

Zërat April 24, 2017 - 13:42

Lamartini, pasi kishte vizituar Shqipërinë, kishte konstatuar se shqiptarët sa çmojnë patriotët po aq çmojnë edhe tradhtarët. Dhe historia na mëson se ai kishte të drejtë. Madje këtë ndarje as sot e kësaj dite nuk kemi arritur ta bëjmë. Po ndarja e tillë sigurisht ka të bëjë me sistemin e vlerave, të cilin nuk arritëm ta ndërtojmë si prodhim të qenies kombëtare, por vetëm si prodhim ideologjik, qoftë ky politik a fetar. Në këtë kontekst duhet parë edhe polarizimin rreth idesë së ndërtimit të një shtatoreje për ish Komandantin, përkatësisht komunistin Fadil Hoxha, tashmë të ndjerë.

Sartri i ka definuar si qenë antikomunistët, ndaj si të tillë ata edhe u shfaqën me gjithë egërsinë e tyre pas rënies së perandorisë së kuqe. Tani është zor të debatosh me ta. Megjithatë ia vlen një përpjekje e vogël për të reflektuar mbi personalitetin e Komandantit suprem të Kosovës, përkatësisht Fadil Hoxhën.

Politika është konceptuar si art i të mundshmes e jo si art i të dëshirueshmes, prandaj duhet që në këtë kontekst të vlerësojmë kontributin e gjithsecilit në këtë fushë të definuar edhe si e keqe e domosdoshme. Fadil Hoxha ishte komandant i Luftës Nacional Çlirimtare, një lufte të drejtë kundër nacizmit dhe fashizmit. Si i tillë ishte rreshtuar në krah të drejtë, përkundër rrethanave jo të volitshme brenda konstelacionit të forcave dhe pozitës në të cilën u gjendën shqiptarët. Pra lufta e tij e drejtë nuk do të duhej të kontestohej, pavarësisht ideologjisë së identifikuar me yllin pesëcepësh. E megjithatë kjo po bëhet padrejtësisht. Shikoni përmendoret e ish luftëtarëve të LNÇ-së, shumica prej tyre janë rrënuar e madje ka nga to që janë shndërruar në nevojtore publike! Kjo është shenja më e dukshme e frymës antikomuniste që në këtë rast edhe bëhet pengesë për një debat konstruktiv, ndërsa insiston në mbulimin e hapësirave me heronj të rinj, të cilët sikur identifikohen me vetë çlirimin dhe demokracinë!

Nëse e vlerësojmë kontributin politik të Komandantit nga këndi i të dëshirueshmes, sigurisht që ndërtojmë plot argumente për ta hedhur në kontejner, por nëse e vlerësojmë nga këndi i së mundshmes gjejmë shumë argumente që ta ngrehim në shtatore. E dëshirueshme dhe pak e mundshme ishte që shqiptarët e Kosovës, të dalë nga lufta e Dytë Botërore në masën rreth 98 për qind analfabetë, brenda një periudhe gati të papërfillshme për historinë, të bëhen edhe me akademi edhe me universitet. Kjo gjë i faturohet Komandantit. Madje ai ishte më i merituari që arriti të ndërtojë një klimë iluministe ndër ne, rezultati i së cilës reflektoi pastaj edhe në organizimet për çlirim, ndërsa ishin mësuesit ata që ndërtuan sistemin paralel dhe krijuan frymën refuzuese dhe rezistuese ndaj pushtetit të dhunshëm serb. Sigurisht një ndërmarrje e madhe ishte edhe emancipimi i femrës, përkatësisht lufta kundër ferexhesë, e cila nuk ishte fare e lehtë, përkundrazi. Mbase tani jemi dëshmitarë të këtyre reminishencave që po shfaqen si pengesë.

Sigurisht që është zor të kontestohet fakti se fryma autonomiste, si shenjë identifikuese e tij, ishte përcaktuese për rrjedhat që na sollën deri këtu. Në këtë kuptim ishte e drejtë pjesëmarrja e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, përkatësisht pjesëtarëve të UÇK-së që morën pjesë në varrimin e tij.

Vërtet një mëkat që Komandantit i qëndron si medaljon varur në qafë, është ai që ka të bëjë me demonstratat e vitit 1981, përkatësisht deklarimi i tij publik se shqiptarëve të Kosovës bira e miut do t’ju bëhet 300 grosh.  

Këtë “akuzë” askush nuk e ka marrë mundin ta analizojë në kontekstin e thënë, mbase askush nuk e thotë se kjo akuzë e një kryekomunisti u ishte drejtuar komunistëve (në këtë rast marksistëve-leninistëve) që ishin bartës të këtyre demonstratave. Askush nuk e vlerësoi këtë akuzë në rrafshin e konfrontimit titist-enverist.

Nëse Komandanti ka besuar se ishte marrëzi ordinere që shqiptarët e Kosovës të bëheshin kurban për zhbërjen e një krijese siç ishte YU, e për bërjen e së cilës ata nuk ishin pyetur fare, në këtë kuptim edhe kishte të drejtë. Edhe presidenti Rugova u përballë me një ide të tillë, ndërsa kërkohej që shqiptarët e Kosovës të ishin ata që të parët t’i kundërviheshin ekspansionit të Millosheviçit. Po Rugova iu shmang kësaj ideje dhe në këtë mënyrë shmangi edhe pasojat që do të ishin të paparashikueshme, madje do të bënin që të mos përmendet as Srebrenica.

Nëse i kthehemi sërish pandehmës së Lamartinit, shembujt na dëshmojnë se ai kishte të drejtë. Nëse Komandanti krijoi frymën autonomiste si udhë drejt pavarësisë së plotë, ishte kryekomunisti Azem Vllasi që barbarisht e rrënoi këtë frymë, madje duke viktimizuar Komandantin bashkë me gjithë mbështetësit e tij autonomistë. Po ku jemi sot në këtë kuptim? Azem Vllasi tani është hero i gjallë, mbase i preferuar i politikës aktuale dhe i medieve. Po ta kundrojmë nga ky kontekst, Komandantin duhet futur shtatë pashë thellë në tokë dhe duhet lënë pa shenjë dhe pa nishan! Mbase ky fenomen i trajtimit të heronjve dhe tradhtarëve e bën kaq të vështirë debatin për Komandantin, mbase e bën gati të pamundur.

Dhe për fund nuk mund të mos e përmend faktin se tre nga kundërshtarët më të mëdhenj të Komandantit, të cilët kam pas rastin t’i intervistoj, nuk e kanë fshehur respektin për të. Në këtë kontekst shtrohet një pyetje shumë logjike se nëse Hysen Terpeza, Raif Halimi- Cërnica dhe Sali Bajra ruajtën respektin për të gjallë të tij, prej nga ne marrim forcë që të hedhim gurë e dru mbi Komandantin!?      

        

         

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK