Zërat
Fitim Zekthi
Fitim
Zekthi

A është kriza jonë dhe një dështim i BE

Zërat April 22, 2017 - 12:24

Ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel mbajti një nga qëndrimet më të ashpra të mbajtura nga ndonjë zyrtar apo institucion i huaj kundër opozitës, protestës dhe bojkotit të saj. Më herët qëndrime të ngjashme ka mbajtur komisionerja për politikë të jashtme e BE-së Mogherini apo edhe zyrtarë të tjerë më të ulët. Nënsekretari amerikan i shtetit Thomas Shannon, një emërim i ish-presidentit Obama, që është në detyrë deri në konfirmimin nga senati të nënsekretarit të ri, ishte në një farë mënyre kritik dhe tha se në zgjedhje duhet të marrin pjesë të gjitha partitë.

Pikësëpari duhet thënë se çdo deklaratë, sado e ashpër dhe kritike, nuk ka legjitimuar një futje të njëanshme të PS dhe aleatëve të saj në zgjedhje pa opozitën, pavarësisht se kryeministri Rama dhe zëra të ndryshëm të opinionit publik thonë se PS duhet të hyjë dhe do të hyjë e vetme në zgjedhje në qoftë se PD do të vazhdojë me kërkesat e saj. Opozita është alternativa ndaj pushtetit dhe ajo bën të mundur ekzistencën e demokracisë në një vend. Pa opozitën nuk mund të ketë një parlament që harton ligje, merr vendime, kontrollon punën e qeverisë. Pa opozitën pushteti gjyqësor që lind nga parlamenti do të jetë i varur. Pra nga tri pushtete do të kemi vetëm një.

Përpjekjet për të marrë ndonjë deputet nga PD dhe për ta bërë atë të formojë një parti dhe të hyjë në zgjedhje janë pa kuptim. Partia e re, ta zëmë e drejtuar nga Majlinda Bregu apo Eduard Selami, nga Arben Ristani apo Akil Kraja, nga Edmond Spaho apo Tomorr Alizoti apo cilido qoftë, do të duhet të merrte me vete votuesin e PD. Nëse partia e re do të merrte 10 mijë apo 20 mijë vota që janë 2 apo 3% e votave që merr sot PD-ja, atëherë njerëzit nuk kanë zgjedhur një opozitë re. Veç kësaj do të ishte e pamundur që rolin që luan opozita, pra PD sot, në ndarjen dhe kufizimin e pushteteve ta bënte ta zëmë partia e Blushit, Topit apo Bojaxhiut.

Për këtë arsye, edhe ministri Gabriel me gjithë gjuhën shumë të ashpër, edhe Mogherini me kritikën kundër bojkotit dhe protestës por edhe nënsekretari Shannon me gjuhë shumë më të kujdesshme se sa dy të parët nuk mund të flasin për zgjedhje që mund të mbahen pa opozitën. Kjo sa iu takon zgjedhjeve pa opozitën. Ndërkohë qëndrimi i ministrit të Jashtëm gjerman Gabriel apo qëndrimet e Mogherinit dhe të zyrtarëve të tjerë minorë si Kocijançiç, Fleckenstein, Vlahutin për t’i kuptuar më saktë duhen parë në një kënd tjetër. Ish-komisioneri për zgjerim i BE-së Olli Rehn ka thënë në vitin 2004 se “ne iu kemi dhënë perspektivën e anëtarësimit në BE vendeve të Ballkanit në mënyrë që aty të ruhet stabiliteti dhe këto vende gradualisht të forcojnë demokracinë dhe të shndërrohen në bartëse të sigurisë nën ndikimin dhe presionin e BE-së”.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare mbizotërojnë tri teori kryesore: realizmi, liberalizmi dhe konstruktivizmi. Realistët besojnë se qëllimi i vetëm i shtetit është të sigurojë mbijetesën. Gjërat duhet të shihen siç janë dhe jo siç duam ne që ato të jenë. Kjo do të thotë se secili mjet është i justifikuar. Mbrojtësit e liberalizmit besojnë se shteti nuk është i vetmi aktor në marrëdhëniet ndërkombëtare, madje aktori më i rëndësishëm janë organizatat ndërkombëtare të cilat mundësojnë bashkëpunimin midis shteteve. Çdo shtet ka interes të bashkëpunojë sepse fiton më shumë nga ky bashkëpunim.

Konstruktivistët, me një qasje jokonvencionale besojnë se anarkinë e bëjnë vetë shtetet. Ata thonë se realiteti ndërkombëtar është konstruksion social, prandaj ata fokusohen më shumë te studimi i identitetit, ligjërimit, medias, elitave, se sa te fuqia ushtarake apo ekonomike.

Është e kuptueshme se qasja e deritanishme e BE-së ndaj Ballkanit ka qenë liberaliste. BE ka menduar se Ballkani mund të përfitojë nga kjo strukturë e marrëdhënieve ndërkombëtare si vetë ajo, sikurse edhe vetë BE-ja do të ishte më e qetë me një rajon problematik që do të afrohej me vlerat e saj. Në të vërtetë kjo qasje ka dështuar plotësisht. Sot demokracia në Shqipëri, në Maqedoni, në Bosnjë, në Kosovë, në Mal të Zi e Serbi nuk është më e mirë se para 10 apo 20 vitesh.

Qëndrimet e Gabriel në thelb janë qëndrime që mbahen në një kuadër të gjerë, ato nuk janë të veçuara thjesht si qëndrime për Shqipërinë. Gabriel dhe Gjermania duan stabilitet në gjithë Ballkanin dhe për hir të këtij stabiliteti nuk mund të fokusohen tek elementet bazë të demokracisë në një vend të caktuar. Ministri i jashtëm gjerman mban qëndrime pa dyshim legjitime, qëndrime në interes të Gjermanisë dhe të vizionit të saj mbi Ballkanin. Ai këshillohet nga njohës të hollë të rajonit. Çështja është se këshillat e tyre nuk synojnë zgjidhjen më të mirë për Shqipërinë por për Ballkanin dhe kjo nën qasjen liberaliste e cila po provohet përditë si dështim.

Paralelisht me Sigmar Gabriel foli për krizën në Shqipëri edhe Danniel Hannan, një mendimtar i njohur britanik, ish-deputet i PE. Ai tha se në Shqipëri duhet qeveri teknike që të bëjë të mundur mbajtjen e zgjedhjeve. Mund të ketë nga ata që mendojnë se Hannan është paguar për të thënë këtë gjë. Por ata që e njohin aktivitetin e tij e dinë mirë se ai njihet si i pakorruptueshëm dhe si mbrojtës i fortë i mendimeve të veta politike.

Pse atëherë ka ai një mendim ndryshe nga Gabriel? Sepse ai është një mendimtar, studiues i politikës dhe ka folur duke patur parasysh se si mund të dilet nga kjo gjendje në Shqipëri dhe jo se si është interesi i BE-së apo Gjermanisë. Shqipëria mund të zgjedhë t’i bëjë gjërat keq dhe të ecë sipas kërkesave të BE-së dhe Gjermanisë me idenë se kështu do të jetë më mirë për Shqipërinë ose të bëjë atë që është më mirë për Shqipërinë pavarësisht se si këshillon BE-ja apo Gjermania.

Qasja prej mbi dy dekadash e BE-së dhe Gjermanisë po provohet që ka dështuar. Edhe vetë BE-ja e ndjen se është koha e një politike realiste dhe jo liberaliste, e një politike që vepron fort dhe nuk ka qëllim bazë stabilitetin por demokracinë. Një akt mund të jetë edhe hapja e negociatave ose edhe më shumë vetë integrimi i shpejtë. Padyshim presionet dhe Reforma në Drejtësi duhet të imponohen edhe më me forcë. Rrugët e tjera janë fshehje e krizës ose shtyrje e luftës për më tej.

Në SHBA ka ardhur një president që mendohet realist. Realizmi i sheh gjërat siç janë, jo siç duam ne që të jenë. Trump po vepron në këtë drejtim dhe kjo është e dukshme./mapo.al/

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK