Zërat
Dritan Hoti
Dritan
Hoti

Ndërhyrjet e Amerikës në shërbim të njerëzimit

Zërat April 13, 2017 - 12:15

Ndërhyrjet e Shteteve të Bashkuara në shekullin XX i detyrohen po aq sa thyerjes nga ana e fuqive rivale evropiane të normave e standardeve të praktikave të mosndërhyrjes, të sanksionuara nga Traktati i Westafallisë, 1648, sa edhe e konceptit amerikan të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Një shekull konfliktesh sektare dhe trazirash me përmbajtje politike e fetare, me epiqendër Evropën Qendrore, u metamorfozuan në luftën e përgjakshme 30-vjeçare evropiane.

Kësisoj, Traktati i Westfalisë u përgjigjej domosdoshmërive të realitetit të periudhës në fjalë, konfiguroi një sistem shtetesh të pavarura, të cilat nëpërmjet normave të përcaktuara e pranuara përvijuan njëkohësisht vijat e trasha të së drejtës ndërkombëtare, i frenonin ato në ambiciet e ndërhyrjet e ndërsjella në çështjet e brendshme duke vendosur për më tepër një ekuilibër të përgjithshëm forcash.

Thyerja e këtij realiteti provokoi, sipas një analize të një këndvështrimi filozofik, burimin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, si dhe ndërhyrjen e parë amerikane në çështjet botërore. Pjesëmarrja e SHBA-së në këtë konflikt ishte rezultat i një kombinimi të gjeopolitikës me çështje të së drejtës, pra garantimin e akseseve në dete së bashku me mbrojtjen e Evropës prej një fuqie dominuese.

Premisat  e pakënaqshme pas Luftës së Parë Botërore mundësuan ardhjen në pushtet në vendet humbëse të versionit më ekstrem të nacionalizmit që mori trajtën e regjimeve agresive totalitare, me finalitet shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, konflikt në të cilin SHBA-ja ndërhyri pak më vonë pasi ajo u sulmua në mënyrë të befasishme në territorin e tyre.

Rrjedhoja e ndërhyrjes së dytë amerikane përvijoi gjithashtu intervencionizmin amerikan me konceptet, me një fjale filozofinë e saj përkundrejt marrëdhënieve ndërkombëtare.

Rezultati ishte përkrahja e projektit të unitetit të Evropës, duke kontribuar njëkohësisht në ringritjen e saj ekonomiko-institucionale, sponsorizimin e bashkëpunimit ekonomik të demokracive industriale, çimentimin e aleancave strategjike, duke i dhënë shtat e formë atij që përmendet vazhdimisht nën përkufizimin si “rendi liberal” i Shteteve të Bashkuara, i cili përbënte objektin kryesor të debatit dhe prognozave anembanë planetit përgjatë fushatës elektorale presidenciale amerikane, duke marrë shkas nga artikulimet e shtrira përgjatë fushatës elektorale të kandidatit Trump, e deri pak ditë më parë që koincidon me sulmin amerikan kundër regjimit te Al-Assadit, tashmë nga presidenti Trump që shërbeu ndër të tjera edhe si një përgjigje ndaj hipotezave të shumta të lidhura me problematiken e sipërpërmendur.

Çdo ndërhyrje amerikane duke përfshirë edhe sulmin pak ditë më parë kundër diktatorit të Sirisë përkon me konceptin amerikan të marrëdhënieve ndërkombëtare, i ushqyer nga bindja e përhershme se principet e brendshme të demokracisë amerikane mund të gjejnë një aplikim universal nëpërmjet aksionit diplomatik apo edhe ndërhyrjeve ushtarake në raste ekstreme.

Në rast se ndërhyrja e pak ditëve më parë i dha fund spekulimeve mbi izolacionizmin e kandidatit Trump në një epokë si jona që nuk e lejon atë, riktheu SHBA-në në një prej zonave të konflikteve, prej së cilës Barack Obama e kishte tërhequr disi Amerikën. Sfida siriane e Donald Trumpit ngërthen dy elemente: atë humanitar, duke i imponuar realisht Bachar Al-Assadit linjën e kuqe që nuk duhet kapërcyer për sa u përket operacioneve ushtarake me konstelacionin e ngarkuar gjeopolitik të terrenit.

Kriza siriane e cila debutoi ne kontekstin e “Pranverës arabe” si një lëvizje kontestuese ndaj regjimit të Al-Assadit u fragmentarizua për arsye të aleancës së përhershme strategjike të familjes Al-Assad me Rusinë, implikimeve të aleatit tjetër rajonal të regjimit, Iranit, përfshirja e të cilit tërhoqi në konflikt grupet militante islamike të rajonit, Hezbollahun dhe Hamasin, si dhe Shtetin Islamik - ISIS, si një fenomen i paprecedent politik jo vetëm në Lindjen e Mesme, por anembanë rruzullit. Shteti Islamik - ISIS përbën rastin unik deri më tash kur një organizatë terroriste zapton një hapësirë të caktuar territoriale prej së cilës reklamon funksionimin e një kalifati islamik.

Si rrjedhojë, kriza siriane degjeneroi në një situatë paradoksale; nga njëra anë ushtria e Bachar Al-Assadit lufton kundër ISIS-it dhe nga ana tjetër opozita sunite e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, e cila lufton kundër regjimit të Al-Assadit dhe ISIS-it dhe anasjelltas, duke qenë paralelisht objekt i sulmeve të aviacionit rus së bashku me formacionet ushtarake të Al-Assadit, ndoshta në intensitet më shumë sesa kundër ISIS-it.

Kështu, rrugëdalja nga kriza siriane për SHBA-në do të kalojë nëpërmjet dy proceseve: çrrënjosjes së ISIS-it si një organizatë terroriste që përbën aktualisht një rrezik jo vetëm për sigurinë kombëtare të Amerikës, por të mbarë njerëzimit njëkohësisht me largimin e Bachar Al-Assadit nga pushteti.

Goditja e fundit amerikane ofron edhe një interpretim për sa u përket disa aludimeve në përdorim deri pak ditë më parë për një politikë të re dhe të ndryshme të administratës Trump ndaj Rusisë së Putinit. Koncepti i një Jalte të re, i cili u vu në qarkullim, u rrok edhe nga disa segmente politike shqiptare, duke mbajtur parasysh edhe vobektësinë e zakonshme intelektuale, që gjen shtrat te disa elemente te ne.

Në pikëpamjen e tyre, një Jaltë e re e këtij segmenti politik shqiptar të cilit ndërhyrja amerikane në favor të zgjidhjes së çështjes shqiptare i tejkaloi përfytyrimet e tyre dhe zhvlerësoi po qëndrimet e tyre përkundrejt çështjes në fjalë që i detyroheshin më së tepërmi backgroundit të tyre politik. Këto segmente politike të cilat ende paradoksalisht mbijetojnë në jetën politike shqiptare ushqenin iluzione se një Jalte e re midis Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit do t’u projektonte atyre një dimension të ri veprimi politik.

Konferenca e Jaltës u mbajt në shkurt 1945 në kushtet e një diplomacie të një “fait accompli” ushtritë sovjetike pas thyerjes së Gjermanisë e Japonisë, ishin prezente në gati në më shumë se gjysmën e territorit evropian dhe një pjesë të Azisë.

Konferenca e Jaltës ravijëzoi jo një ndarje të Evropës dhe të Azisë, por një zgjidhje momentale ekuilibri forcash, e cila i hapi rrugë një përplasjeje të gjithanshme ndërmjet SHBA-së dhe BRSS-së për më shumë se 4 dekada dhe përfundoi me triumfin e SHBA-së për arsye të njohura.

Fryma demokratike e shoqërisë e puritanizmi i institucioneve amerikane, të cilat ndikojnë dhe diktojnë orientimet e strategjitë e administratave presidenciale amerikane, e kanë përçmuar tradicionalisht dhe e kanë të vështirë të përtypin një ndarje zonash influence jashtë parimeve demokratike, të cilat gjenerojnë padrejtësi vështirësisht të riparueshme në kurriz të popujve.

“America first” ishte deviza e Donald Trumpit për Presidencën e SHBA-së. “Amerika e para” sipas sensit të historisë së saj në shërbim të njerëzimit, ku gjejnë edhe burim skemat e diplomacisë ndaj Shqipërisë e çështjes shqiptare në tërësi.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK