Emrin e kam ROM, e mbiemrin KOSOVĖ!

0

SHPËRNDARJE

08 April 2017 • 22:09

Janë idol për të gjithë. E kanë pasuruar kinematografinë botërore, sportin e politikën, duke lënë pas vete gjurmë, vepra, histori e shumëçka që, sot ata të përmenden.

Janë shembull për të gjithë. Janë inspirim dhe frymëzim për ata të cilët e shohin vetën një ditë në dërrasat e teatrit, fokus të filmave, skenën politike, fushën e gjelbër të futbollit, ring boksi, pranë mikrofonit për të argëtuar vetën dhe të tjerët… e shumë profile të ndryshme. Me një fjalë, janë ‘’ylberi’’ i shoqërisë, ku ngjyrat e saja simbolizojnë; këngën, artin, sportin, kulturën dhe politikën. Pra, janë të talentuar për gjithçka. Për ata të cilët ndoshta duhet të punojnë një vit, apo dy për të arritur suksesin e tyre të imagjinuar që të jetë pjesë e profesionit apo pasionit të tyre, ndërsa për ata gjërat imagjinuese janë vetëm pjesë përbërëse e hobit të tyre të cilët ata e shfrytëzojnë në kohën e lirë!

E kush janë këta?

Këta janë farkëtarët, muzicientët, artistët, poetët, gjykatësit, policët, mjekët, juristët ekonomistët e gazetarët – ROM

Po, po. Janë romët, ata të cilët të parët përmes figurës dhe jo zërit, bënë botën të qesh me lëvizjet e tyre qesharake, të cilët publikun e lanë me lot gëzimi në sy. Por, edhe me lot pikëllimi në fund, sepse bota nuk humbi vetëm një Charli Chaplin, nuk humbi vetëm një rom, por humbi humorin e vërtet për të cilin bota ka sot nevojë më shumë se kurrë më parë.

Emrat e tyre janë pjesë e kuizeve të diturisë. Shumë herë janë përgjigje përfundimtare e në disa raste janë përgjigje për kolonën “A’’, apo edhe gjithsej asociacionin e lojës. Pra; A1. Rom, A2. Talent, kolona A - ART, dhe përgjigja përfundimtare -PABLO PICASO!

Një goditje e tyre, hedh “knock out’’, ata për të cilët kanë menduar që nuk mund të zbresin nga fronti, dhe gjithnjë do të jenë kampionët botëror. Por, e djathta e romit, Tayson Furry, bëri histori në ringun e boksit dhe i dha një tjetër imazh boksit, dukë i thënë Klitckos; “Ne këndojmë e aktrojmë, por dimë edhe të rrahim’’. 

Zëri i tij, aspirinë për zemër. Kënga e tij, relaksim i shpirtit. Mikrofoni sot simbolizon emrin e tij. Humbja e tij e madhe për krejt botën, e jo vetëm romët. Sepse, Elvis Presley më nuk është në mesin tonë.

Ata ndryshuan në tërësi një sistem të udhëheqjes politike. Ata janë themelues të shteteve moderne. Konkretisht, ai, romi, Juselino Kubitchek është president dhe themelues i shtetit të ri të Brazilit apo ‘’Brazilit modern’’, ku me udhëheqjen e tij ekonomia lulëzoi.

Siç janë të mësuar të jenë të hapur, të shoqëruar dhe të jenë të mirëseardhur për të gjithë, këtë e treguan edhe në fushën e gjelbër të futbollit. Ku të gjitha klubet më të mira botërore po e kërkojnë kokën, këmbën dhe trupin e romit, Zlatan Ibrahimoviç për të "deklasuar kundërshtarin’’.

I ceka disa figura botërore të cilët sot janë shembull, frymëzim dhe inspirim për të tjerët, mirëpo shumë pak nga ju i njohin këto vlera, apo s’dëshironi të dini, sepse jeni bërë imun nga fjalët përbuzëse, nënçmuese që përmendën për komunitetin rom. Ato si; maxhup, cigan, cingene…

Edhe pse në vitin 1971, në Kongresin e Parë të mbajtur në Londër, u takuan delegatë , albanolog e aktiviste të ndryshëm për të marr disa vendime dhe për t'i thënë botës dy fjalë. Qe;

1. Himni rom ‘’Jelem Jelem’’ të pranohet si himn i komunitetit rom

2. Komuniteti rom, të pranohet si komunitet rom dhe poashtu gjuha e tyre rome

3. Dhe të pranohet flamuri rom

Mes këtyre kongresmenëve dhe albanologëve, ishte edhe ai nga Kosova, albanologu Nusret Seharsoj i cili e përfaqësoj Kosovën.

Te dashur albanologë kosovar, sa nga ju keni dëgjuar për këtë njeri?

Ndoshta dhe keni dëgjuar për të, mirëpo është e vështirë të përkujtohet sot një albanolog rom në mesin e juaj?!

Romët e Kosovës

‘’Nëse dëshironi të shihni se sa është një shtet demokratik, shihni se sa respektohen të drejtat e komuniteteve’’, John Kennedy.

Kosova përveç që ua jep mundësin më të mirë të integrimit në shoqëri, ajo është edhe shembull në rajon për respektimin e të drejtave të komuniteteve. Edhe pse, në disa raste, ka favorizime të komuniteteve.

Mirëpo, nuk do të ndalem këtu, kam frikë mos do t’i japë një konotacion tjetër artikullit tim. Do të ndalem tek vlerat e komunitetit rom për të cilat shumë pak e dinë, apo më mirë të them, nuk dëshirojnë të dinë, sepse e vetmja gjë që dinë është fjala "maxhup", dhe kjo mjafton për ju dhe për ata para jush!

Gjuha Rome

“Kurrë nuk kemi të drejt të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”, F.SHIROKA.

Kur flasim për gjuhen rome, ajo sot në Kosovë ka arritur të shënojë një progres të madh.

Duke filluar të flitet në media, shfaqje teatrale, nëpër shkolla fillore duke u mësuar si gjuhë fakultative, e poashtu edhe në disa komuna si gjuhë tradicionale në përdorim zyrtar. Konkretisht, Komuna e Graçanicës.

Poashtu, mos të harrojmë që, edhe Prizreni është komuna e parë ku ka filluar mësimi zgjedhor i gjuhës rome, duke u bërë si një pilot projekt i suksesshëm për komunën e Gjakovës, Ferizajt e poashtu edhe disa komuna tjera tashmë janë në proces. Mos të harrojmë që, pritet së shpejti edhe një përgjigje për pranimin e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtarë në qytetin multietnik të Kosovës, Prizren.

Gjuha rome sot përdoret në media. Në nivel lokal dhe atë, qendrorë. Në nivel lokal, për herë të parë në Kosovë, është hapur në vitin 2009, Radio 24 orësh në gjuhën rome ‘’Radio Romano Avazo’’.

Ndërsa, në nivel qendrorë kemi lajmet në gjuhën rome, magazina javore, debate të ndryshme ku ato transmetohen në Radio Televizonin Publik të Kosovës - RTK. E poashtu edhe ne Radio Kosova 2, çdo ditë program informativ një orësh në gjuhën rome.

Pra, gjitha këto mundësi janë shumë të rëndësishme për gjuhën rome që ajo mos të harrohet, edhe pse shumë herë nga të tjerët është tentuar të zhduket nëpër luftëra, apo holokauste. Por, xhelozia dhe dashuria e romëve ndaj saj ka bërë që kjo gjuhë sot te jetë prezent nëpër shtëpitë e tyre, lagje, shkolla, shoqërinë dhe institucione të Kosovës. Me këto, Kosova është model për diversitetin kulturorë që ka në rajon dhe më gjerë.

A ka Kosova intelektualë romë?

Sot, romët e Kosovës duhet të ndjejnë vetën më krenarë se kurrë. Ka kaluar më ajo kohë kur, njerëz të edukuar ke pasur mundësi që t’i numërosh në gishta. 

Sot, romët e Kosovës, janë të vetëdijshëm që pa edukim nuk ka një rrugë të ndriçuar dhe nuk ka perspektivë.

Sot, numri i studentëve të cilët edukohen në universitete publike dhe ato private, është tejet i madh krahasuar vitet e mëparshme.

Këtu, nuk duhet të harrojmë edhe punën e jashtëzakonshme të shoqërisë civile ku, me programet e tyre të ndryshme po ua japin mundësi komunitetit që të ngritën në nivelin akademik.

Siç janë organizatat VORAE dhe Advancing Together, ku këta të fundit javë më parë janë shpërblyer me çmim ndërkombëtarë nga Brukseli për punën e suksesshme qe po e bëjnë.

Ku kjo ka qenë padyshim edhe një promovim për shtetin tonë të Kosovës.

Pra, shoqëria civile rome e Kosovës, lobon dhe avokon në njohjen e shtetit te tyre nga ndërkombëtarët. 

Romët në institucione të Republikës së Kosovës

Krahas vendeve të rezervuara për komunitete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, ku kemi deputet e zv/ministra, kemi rom të cilët nuk janë vetëm ‘’rezerva’’, por edhe ‘’kapitenë’’, të cilët me djersen, suksesin dhe punën e tyre kanë arritur në pozitat e tyre dhe gëzojnë autoritet të lartë si profesionist.

Pra, kemi gjykatës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, poashtu anëtare të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës.

Kemi avokat rom.

Kemi pjesëtar të lartë në Stacione Policore të Kosovës.

Poashtu, edhe në fushën e mjekësisë kemi; infermierë, fizoterapeut, e gjinekolog rom.

Ndërsa, edhe në fushën e edukimit (pedagogjisë) kemi njerëz të cilët janë shkolluar jashtë shtetit, janë kthyer në Kosovë për të dhënë kontribut për shoqërinë kosovare në përgjithësi.

Kemi edukatorë, arsimtar e profesor rom. Pra, marr parasysh të kaluarën kemi progres. Edhe pse një fjalë popullore thotë; “Me një lule nuk qel pranvera’’, unë e them të kundërtën. “Një lule, e fillon pranverën’’.

Nga ana tjetër, kemi biznesmen romë, të cilët i kanë ndërmarrjet e tyre prodhuese, siç janë ndërmarrjet për prodhimin e kartonëve dhe ambalazheve, e poashtu ndërmarrje tjera tregtare të cilët e furnizojnë krejt Kosovën.

Shkelja dhe keqpërdorimi i romëve

Arsyeja, pse unë u fokusova në këto pika është që, disa pjesëtarë të komunitetit rom, e poashtu edhe pjesa tjetër dërmuese, qofshin aktivistë apo gazetar, kur raportojnë për komunitetin rom, e sidomos në ditën e tyre historike të 8 Prillit, fokusohen vetëm tek shtresa më e ulët e tyre. 

Duke hedhur poshtë simbolikën e kësaj dite historike. Fyejnë nxënësit, studentët, intelektualët, biznesmenët dhe të gjithë romët të cilët janë krenari dhe model për të tjerët nëpër profile të ndryshëm, duke u fokusuar vetëm tek ‘’kontejnerët’’ dhe lëmoshë kërkuesit, edhe pse shumica prej tyre vijnë nga Shqipëria!!! 

Të kuptohemi, askush më shumë nga unë nuk mund të luftojë për komunitetin tim, dhe të kërkojë për ata një jetë më të mirë. Por, duhet të ndahen gjërat. Mos t’i gjeneralizojmë në tërësi. Mos të tregojmë vetëm një anë të realitetit, ndërsa anën pozitive të hedhim poshtë, apo për të, kurrë të mos raportojmë dhe hulumtojmë.

Fakt ky, që gjithmonë po del shkaktar që, kur ta takojnë një të ri të ndritur rom, t'ia parashtrojnë pyetjen: ‘’Ti rom, a? "Jaak, bre". Pyetje kjo që nuk i lë ata të besojnë që ka romë të edukuar.

Në anën tjetër, jam tepër i hidhëruar dhe i mllefosur tek ‘’intelektualet’’ e shoqërisë civile dhe “liderët’’ e komunitetit tim rom! Tek ata të cilët e shohin vetë, gjakun e fisin e tyre si ‘’kafshatë përfitimi’’.

Komunitetin e tyre e shohin si mundësi dhe viktimë për mbushjen e xhepave të tyre!

Jo pse atyre ju dhemb pse ata i shohin fëmijët duke kërkuar një copë bukë tek kontejnerët ose për familjet e varfra rome, por shikojnë që përmes barkut të tyre të zbraztë ta ngopin syrin e tyre. Tek kontejnerët nuk janë vetëm romët, ka edhe shqiptarë, por, nuk mund të themi që gjithë shqiptarët janë në këtë gjendje!

Kush jam unë?

Unë jam rom. Vi nga fisi i atyre të cilët kërkojnë lëmosh tek semaforët e kontejnerët. Por, mos harroni. Jam edhe gjaku i fisit të atyre të cilët lanë gjurmë në histori dhe janë shembull për punën e tyre.

Jam Pablo Picaso e Elvis Presley. Jam Charli Chaplin e Zlatan Ibrahimoviç. Jam Esma Regjepova e Ava Ngarde…

Jam ai, i cili një ditë mund të jem edhe ‘’Juselino Kubitchek’’ i Kosovës. Për ta drejtuar një ditë shtetin tim përpara. Ndoshta jam edhe shpresa e popullit tim kosovar. Sepse, unë nuk dua që mua të më shohin si statistikë apo numër.

Nuk dua të jem gjithnjë si figurë i ‘’fletës së artë’’ të Kosovës. Por, unë dua ta dëshmojë se jam vlerë dhe jo flet, siç e kane dëshmuar shumica prej romëve të botës dhe ata kosovarë, të cilët kanë lëshuar, lëshojnë dhe do të lëshojnë gjurmë të suksesit në punën e tyre.

Mbi të gjitha. Emrin e kam ROM, dhe mbiemrin KOSOVË

Urime 8 Prilli - Dita Botërore Rome

Bahtalo 8 Aprili - Lumiako Dive Romengo