Zërat
Rizah Vehbi Matoshi (9 korrik 1955 – 3 prill 1981)
Rizah
Vehbi
Matoshi
(9
korrik
1955

3
prill
1981)

Të gjitha rrugët ishin bërë arenë lufte

Zërat April 04, 2017 - 12:37

Rizah Matoshi u priu në demonstrata punëtorëve të “Tefik Çangës”

Fshati Nikadin i Ferizajt sa e sa herë e dha hisen e vet të gjakut në altarin e lirisë. Edhe përkundër gjithë atyre mizorive kurrë nuk u gjunjëzua as nuk u përul para çizmes serbe. Nga viti i largët 1918 e deri më 3 prill 1981, kur u vra në demonstrata Rizah Matoshi, në këtë fshat u vranë  23 burra. 38/ Bajram Kurti, “Gjaku i lirisë”, Prizren 2003, f. 131 dhe 132. Babë Vehbi Matoshit dhe nënë Rukije Restelicës iu lindën pesë fëmijë. Gëzimi i parë i tyre ishte Rizahu, që e pagëzuan me emrin e  gjyshit të ndjerë. Pas Rizahut lindin: Fikrija, Agimi, Xhejlanja dhe Nehati. Rizahu kishte një bukuri të rrallë, kishte trup atleti, ishte i shkathtë dhe i përpiktë për çdo punë, por edhe në mësime ishte shembullor. Shkollën fillore “Tefik Çanga”, në Ferizaj, e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Po në Ferizaj e mbaroi edhe shkollën e mesme “Nikolla Teslla”, degën e makinerisë. Meqë familja Matoshi ishte në gjendje të rëndë ekonomike dhe kishte nevojë të madhe për ndihmën e Rizahut, ai punësohet në vitin 1978 në Kombinatin e Drurit “Tefik Çanga” në Ferizaj. 39/ Po aty, f. 129.

Rizah Matoshi si i ri ra në kontakt me literaturën patriotike të kohës e cila ndikoi shumë në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe vetëdijes për pozitën e rëndë të popullit shqiptar në Kosovë. Andaj, ngjarjet e mars-prillit të vitit 1981 Rizah Matoshin e gjetën të gatshëm që të angazhohet me tërë qenien e tij në demonstratat gjithëpopullore në Ferizaj. Më 3 prill 1981, kur i tërë Ferizaj dhe rrethina ishin në këmbë, kur shkollat dhe fabrikat nuk punonin, çdokush përpiqej që ta jepte kontributin e tij që demonstratat të jenë sa më të fuqishme. Kështu, Rizah Matoshi para se të dilnin punëtorët e fabrikës “Tefik Çanga” në demonstrata, do t`u drejtohet me një fjalim të zjarrtë, duke i ftuar të gjithë punëtorët që t`i bashkoheshin popullit kryengritës të Ferizajt, i cili po gjakosej me forcat pushtuese policore-ushtarake serbo-jugosllave.

Ndonëse në fabrikën ku punonte Rizahi ishin mbyllur të gjitha hyrje-daljet në fabrikë, ndonëse ishte vendosur edhe roja e armatosur që t’i pengonte punëtorët që t’i bashkoheshin demonstratës, që tashmë i kishte mbushur të gjitha rrugët dhe sheshet e Ferizajt, punëtorët më të vendosur, në krye me Rizah Matoshin, Rashit Mehmetin, Milaim Jasharin, Hilmi Hysenin, Sadik Sadikun, Remzije Jasharin, Sadik Balajn etj., i hapin dyert e fabrikës dhe i bashkohen demonstruesve në qytet. 40/ Naim Ramadani, Kujtime.

Sadik Sadiku, edhe vetë punëtor në fabrikën “Tefik Çanga”, rrëfen: Ato ditë të marsit të vitit 1981, Kosova ngjante në një det të trazuar. Ishim së tepërmi të revoltuar, sidomos nga dhuna policore serbe që ishte përdorur kundër rinisë studentore në Prishtinë më 11 mars e sidomos më 26 mars. Përgatitjet për demonstratë i bëmë në orët e paradites së 3 prillit 1981. Pasi i kundërshtuam sugjerimet dhe nuk u frikësuam nga kërcënimet e udhëheqjes komunale të Lidhjes së Komunistëve, rreth orës 13:00 të 3 prillit i hapëm dyert e fabrikës me  dhunë dhe ofro 400 punëtorë, të veshur në uniforma pune, shpërthyem në demonstrata. Në qytet na u bashkuan edhe rinia e shkollave të mesme. Kështu, i tërë qyteti i Ferizajt ishte në duar të demonstruesve. 41/ Sadik Rahimi, gazeta “Bujku”, Prishtinë, 4 prill1997.

Parullat që më së tepërmi u brohoritën në demonstratat e Ferizajt më 3 prill ishin: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”, “Lironi shokët nga burgu!”, “Trepça punon, Beogradi ndërton!” etj. 42/ Milaim Jashari, Kujtime, gazeta “Bujku”, Prishtinë, 4 prill 1996.

Më 2 prill 1981, Rizah Matoshi dhe Sherif Franga ishin në ballë të mijëra demonstruesve trima të Ferizajt dhe rrethinës. Populli ishte më i bashkuar se kurrë, se tani me sytë e tyre po e shihnin se sa i ligë është armiku kur populli lidhet sup më sup. Brohoritjet e demonstruesve ushtonin deri në qiell: “Kosova Republikë!”, “Poshtë fashistët jugosllavë!”, “Duam liri, jo robëri!”, “Poshtë tradhtarët!” etj. Gjatë tërë kohës mbi demonstruesit fluturonin ulët avionët ushtarakë të ushtrisë jugosllave, të komanduar nga serbët, kurse në rrugët e Ferizajt ushtonin autoblindat dhe tanket me policë të veshur me xhaketa antiplumb dhe me tërë arsenalin e armatimin më modern. 43/ Bajram Kurti, “Gjaku i lirisë V dhe VI”, Prizren, 2003, f. 130 dhe 131.

Deri në orët e vona të pasdites, kur të gjitha rrugët ishin bërë arenë lufte, midis demonstruesve duarthatë dhe policisë së armatosur deri në dhëmbë, Rizah Matoshi kishte qenë gjithnjë në ballë të popullit liridashës të Ferizajt me rrethinë, derisa goditet nga policia kriminale serbe, duke e rritur kështu edhe për një numrin e dëshmorëve të Pranverës Shqiptare të `81-shit.

Rizah Matoshi: “I thuaj babës të mos më qaj sepse po vdes për Kosovën!”

Demonstruesi Mehdi Rexhaj, duke e përshkruar momentin e rënies së dëshmorit Rizah Matoshi, rrëfen: Në çastin kur Rizahu bënte përpjekje ta shpëtonte një vogëlush, edhe ai në mesin e demonstruese nga breshëritë e automatikëve të policisë kriminale serbo-jugosllave goditet me breshëri plumbash në kokë dhe në kraharor. Pas breshërisë së automatikëve të policisë e kam parë duke u rrëzuar Rizahu, ashtu siç rrëzohet një lis mali kur e presin në bjeshkë! Gjaku i rridhte shumë nga gjoksi. E kemi dërguar në ambulancën e Ferizajt, ku ia kanë lidhur plagët dhe pastaj me automjetin e ndihmës së shpejtë e kanë dërguar në Spitalin e Prishtinës. Nga brenga për gjendjen e tij të rëndë kisha refuzuar ta lidhi dorën time të plagosur, e cila vazhdimisht më rridhte gjak. Në ambulancë, derisa ia lidhnin plagët Rizahut, ai më tha: “M’i thuaj babës të mos mërzitet dhe të mos më qaj sepse po vdes për diçka të shtrenjtë, për lirinë e Kosovës!”. 44/ Mehdi Rexhepi, Kujtime, gazeta “Bujku”, Prishtinë, 3 prill 1996, f. 6.

UDB-ashi shqiptar i tha babait të dëshmorit Rizah Matoshi:

 “Pak i kemi bërë djalit tënd!”

Të nesërmen, më 4 prill, derisa babai i dëshmorit po kërkonte leje në UDB-në e Ferizajt për ta vizituar të birin sepse nuk kishte informata se i biri tashmë kishte vdekur, një UDB-ash shqipfolës, epror i UDB-së, i thotë: Pak i kemi bërë djalit tënd! Duhet t’u likuidojmë të gjithëve juve armiqve të popullit!!” 45/ Po aty.

Mirëpo, ndonëse në pranverën e përgjakur të vitit 1981 armiku po e vriste rininë shqiptare gjithandej në qytetet e Kosovës, duke kërkuar vetëvendosje për viset shqiptare nën pushtimin e ish-Jugosllavisë, e posaçërisht Republikën e Kosovës, ai nuk arriti ta ndalë vazhdimësinë e jetës. Gjashtë muaj pas vrasjes së dëshmorit Rizah Matoshi, duke lënë pas vetes shembullin e sakrificës sublime, do t’i lindin bijtë e tij binjak: Liridoni, për ta trashëguar atdhedashurinë e babë Rizahut dhe Rizahu, për ta përjetësuar emrin e babait dëshmor.

Duke shkruar për krimet e policisë dhe ushtrisë jugosllave ndaj demonstruesve shqiptarë të pranverës së ’81-shit, shkruante: “Ndërmjet nesh dhe qeverisë së Beogradit tani ka hyrë gjaku i bijve të shtrenjtë të popullit tonë. Dhe ky gjak është ai që i fshin të gjitha perspektivat e kthimit në gjendjen e mëparshme. Ndjenja e fuqishme e lirisë e ka bashkuar popullin tonë trim si një trup të vetëm. Me tanket e aeroplanët, me helikopterët e mitralozat, me ushtrinë e milicinë speciale, Beogradi s’bëri gjë tjetër pos që dogji etapat e luftës sonë të pashmangshme dhe na ndihmoi shumë në afrimin sa më të shpejtë kah dita e fitores së sigurt.” 46/  Gazeta “Liria”, nr. 4-5, gusht 1981, artikulli “Tradhtarët e vjetër dhe tradhtarët e rinj”

Pllaka përkujtimore për dëshmorin Rizah Matoshi u zbulua në 20-vjetorin e rënies, në Ferizaj, më 3 prill 2001. Pllakën përkujtimore e zbuluan organizatorët e demonstratave të vitit 1981: Lumni Alih, Milaim Jashari, Sadik Sadiku, Rashit Mehmeti, Nexhat Tërstena dhe Naim Ramadani. 47/ Naim Ramadani, Kujtime-Dorëshkrim.

Rizah Xhakli, derisa po e vuante burgun 20-vjeçar në Burgun e Nishit, në Serbi, ia kushtoi këtë poezi dëshmorit Rizah Matoshi:

 

MARTIRIT

Ishte muaji prill

Tre ishte data

Kur trimi me shokë

U nis në demonstrata.

 

E lëshoi Kombinatin

Që e mbante emrin e Tefikut

Tok me vëllezërit e tij

 T’i thotë ndal armikut!

 

Kur doli te sheshi i qytetit

Që Ferizaj i thonë,

E kapi plumbi i armikut

Në gjoks martirin tonë.

48/ Riza Xhakli, “Martiri”, në “Gjaku i lirisë V dhe VI” , Prizren, 2003, f. 133.

 “T’lypim shka na përket, o vllazën. Mos t’na ndalojnë shigjetat as shpatat, mos t’na presin hovin pushka, mos t’na trembin gjëmimet e bubullimat, mos t’na frigojnë vetimat e rrfeja. Na duhet me i sjell ment n’at t’thanmen qi t’parë na msune: “Dasëm pa mish nuk bahet.” Na jesim, ndoshta, e megjak t’onë do t’mlohena, por djemt tonë kan me na i ngreh Përmendoret. Na jesim, por djemve t’onë do tu lirohen kamt prej vargojve!”

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK