Zërat
Berat Rukiqi
Berat
Rukiqi

Kreditë hipotekare dhe efekti multiplikues në ekonomi

Zërat March 27, 2017 - 09:30

Kriza financiare globale e viteve 2008 – 2010 ka demonstruar fuqishëm lidhjen ndërmjet sektorit të financimit të banimit dhe të ekonomisë globale në tërësi.

Në fakt, faktori përcaktues i krizës ekonomike në fjalë, ndër më të rëndat për ekonominë globale, ishte qasja agresive dhe e pakontrolluar në shitjen dhe stërshitjen e instrumenteve komplekse financiare të lidhura me kreditë hipotekare. Ndërlidhja e fuqishme e sektorit të kredive hipotekare me instrumentet tjera financiare dhe kompanitë e sigurimit në tregjet financiare kanë ndikim të shpejtë dhe substancial në tërë sektorët e ekonomisë, përfshirë prodhimin, ndërtimtarinë dhe shërbimet e ndryshme.

Shtëpia apo banesa është shtrenjtë për shumicën e familjeve në botë. Forma më e shpeshtë për blerjen e tyre është kredia hipotekare. Tregu i kredive hipotekare paraqet një pjesë shumë të rëndësishme të fondeve që ndërmjetsohen nga institucionet financiare, duke u bazuar në nevojën e secilës familje për blerjen e një shtëpie apo apartamenti.

Sektori i banimit, përkatësisht patundshmërive që përdoren për nevoja të banimit, ka efekt të fuqishëm multiplikues në sektorin e ekonomisë reale. Sektori i ndërtimtarisë krijon kërkesë të madhe për fuqi punëtore dhe materiale ndërtimore, ndërsa vetë sektori i patundshmërive për banim ndikon në rritjen e sektorit të shërbimeve të ndryshme, duke përfshirë: agjentët e patundshmërive, avokatët, noterët, inxhinierët, vlerësuesit, ndërmarrjet e reklamave, etj. Sigurimi i strehimit të dinjitetshëm është thelbësor për sigurimin e një standardi adekuat për jetesë dhe përfshirje në shoqëri për secilën familje.

Çdo njeriu i duhet një vend ku mund të mbrohet, mund të jetojë, siguron gjërat që i takojnë dhe krijon një hapësirë për familjen e vet. Ata që jetojnë në zona të paurbanizuara ,të ndotura dhe të mbipopulluara, mund ta pësojnë nga mbingarkesa, mbrojtja e dobët nga zjarri, i ftohti dhe reshjet, mungesa e qasjes në shërbimet publike, duke përfshirë ujin dhe rrymën, etj. E tërë kjo mund të sjellë probleme shumë të mëdha shëndetësore, veçanërisht për fëmijët. Për të gjitha arsyet e lartcekura strehimi është njëra nga të drejtat themelore të përfshira në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut, si pjesë e të drejtave për një standard adekuat të jetesës, duke përfshirë ushqimin, veshjen, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale. Gjithashtu strehimi përfshihet edhe në Qëllimet Zhvillimore të Mijëvjeçarit.

Në përgjithësi, përkrahja financiare e sigurimit të strehimit përmes përkrahjes financiare të blerjes së banesave dhe shtëpive të reja për mijëra familje anembanë botës është kontribut direkt në shëndetin dhe mirëqenien e miliona familjeve. Krijimi i sa më shumë kapaciteteve për banim ka ndikime në ekonomi dhe në mirëqenie të familjeve të ndryshme anë e mbanë botës. Në shumicën e ekonomive të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, kredia hipotekare është burim kryesor i financimit të patundshmërive për nevoja të banimit, rrjedhimisht duke ndikuar direkt në cilësinë e jetës në glob. Literatura flet për disa kategori përfituesish dhe përfitimesh nga financimi përmes kredive hipotekare:

Përfitimet për familjet

Të cilat përfitojnë mirëqenie më të mirë dhe krijojnë parakushte për shëndet më të mirë. Veçanërisht përmirësimi i kushteve shëndetësore është aspekt më rëndësi, mirëpo ka edhe shumë përfitime të lidhura me zvogëlimin e stresit, rritjen e sigurisë dhe kushte me të mira për krijimin dhe zhvillimin normal të familjes. Kreditë hipotekare janë jetike për familjet e reja që krijohen, të cilat kanë nevojë për financim afatgjatë dhe me kushte më të favorshme, përkatësisht norma interesi me të ulëta.

Përfitimet për ekonominë

Fillimisht efekti multiplikues i sektorit të ndërtimtarisë ka ndikim direkt në rritjen e transaksioneve dhe shërbimeve në një ekonomi. E tërë kjo ka efekte pozitive të drejtpërdrejta në rritjen e GDP-së së një vendi. Përveç efektit multiplikues të sektorit të ndërtimtarisë, efekti i financimit të patundshmërive për qëllime të banimit ndikon direkt edhe në rritjen e punësimit, pasi që çdo ndërtim i ri apo renovim i ndonjë prone ekzistuese rrit kërkesën për fuqi punëtore. Posedimi i patundshmërive është me rëndësi edhe për biznesin e vogël, pasi që e njëjta mund të përdoret si kolateral për sigurimin e financimit për nevoja të biznesit. Kosova si një vend me ekonomi në zhvillim karakterizohet me zhvillim gradual të instrumenteve të ndryshme financiare, duke përfshirë kreditë hipotekare. Në anën tjetër, nevojat për financim të blerjes apo ndërtimit të banesave dhe shtëpive janë vazhdimisht në rritje, duke u bazuar në karakteristikat demografike të vendit, me një popullsi të dominuar nga mosha e re. Gjithashtu rritja e vazhdueshme e sektorit të ndërtimit në vend, që punëson mbi 10.000 punëtorë, tregon për rëndësinë që mund ta kenë kreditë hipotekare në krijimin e efektit multiplikues për tërë ekonominë e vendit tonë.

Nëse shohim ofertat e bankave të licencuara në vend, ofrimi i kredive hipotekare është në rritje, duke përfshirë edhe uljen graduale të normave të interesit, mirëpo pengesat ligjore të lidhura me mosregjistrimin kadastral të banesave të reja të ndërtuara, kontestet e ndryshme pronësore, funksionimi i gjykatave, moszbatimi i kontratave, janë vetëm disa nga faktorët me ndikim negativ në rritjen dhe zhvillimin e kredive hipotekare në vendin tonë. Koha është që kjo të ndryshojë në mënyrë që të përfitojë ekonomia, të përmirësohet shëndeti i qytetarëve dhe të rritet mirëqenia në vend, burim kryesor i financimit të patundshmërive. (Autori është ligjërues në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”)

 

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK