Zërat
Jakup Krasniqi
Jakup
Krasniqi

Liria, drejtësia e solidariteti janë rruga jonë për në Evropë

Zërat March 15, 2017 - 16:47

E dua Evropën me vlerat e saja për lirinë, drejtësinë e solidaritetin. E dua Evropën, pse rrugën drejt saj na e hapen rilindësit mendjendritur,  ata që na e bënë edhe kombin më largpamësinë e tyre fisnike. Të cilën fisnikëri, shpesh infektues të ideologjive të huaja na e mohuan deri në rrezikim zhdukjeje si komb i veçantë. Ne, nuk duhet të kthehemi në gjirin e asnjë perandorie, sido që ajo mund të shfaqet, më lëkurën e qengjit, të dhelprës apo të ujkut?!

Po të mbeteshim në vorbullën e ideologjive të Lindjes bizantine, ne, shqiptarët do të ishte më larg sesa pranë Evropës, si është “Meksika më larg se pranë Amerikës”?!. Sot nuk ka ndonjë popull në Evropë që me vullnetin e tij do të ishte më evropianë sesa shqiptarët, e shqiptarët janë getoizur padrejtësisht, si askush tjetër në Evropë?!.

 Evropa me shpejtësi  po hapëron drejt një realiteti të ri global, kurse Kosova shteti më i ri evropian po ecën tepër ngadalë KAH PERËNDIMI DEMOKRATIK. Duhet të kesh papërgjegjësinë e qeveritarëve tanë, që mos ta shikosh vonesat e ngecjet në çdo segment të jetës sonë?! Ndërsa vendit tonë i duhet zhvillimi e progresi!

Me paaftësinë dhe burokracinë tonë analfabete, integrimi ynë në BE-në do të zgjasë pafundësisht. Meritokracia e konkurrenca  e mirëfilltë mund të jetë shpëtimi ynë!

Dikush në vendin tonë 18 vjet pas lirisë e nëntë vjet pas pavarësisë duhet ta ndjen përgjegjësinë për këtë hendek që thellohet, që është duke u thelluar përshkak të vullnetit të munguar politik, të qeveritarëve që plotë gojën e kanë “integrime evropiane”, e në fakt shikojnë dika tjetër.

Në, shqiptarët nuk duhet të gënjehemi e as mashtrohemi se  imazhin  tonë para Botës demokratike do t’i ndryshojnë e përmirësojnë ata që ia hoqën çdo fre krimit ekonomik e korrupsionit.

Ta kërkosh Evropën në shkollat e universitetet, në ambulancat e në spitalet tona, në gjykatat e institucionet tona shtetërore, kjo do të thotë ta kërkosh Evropën në rrugët e pasigurta të vendit tonë. Veç kësaj do të thotë ta kërkosh Evropën në qytetet e fshatrat tona të kapura nga papunësia, nga dembelia e mbjellë nga qeveritarët e varfëria e skajshme e përhapur kudo në qytetet e fshatrat tona. Korrupsioni, nepotizmi dhe mediokriteti politik shndërruan qytetarin e Kosovës ndër qytetarët më të varfër në Evropë. Kjo varfëri ka bërë që projekti për integrimin në BE të bëhet një ëndërr. Qytetari që dëshiron ta ndryshojë këtë gjendje tejet të rëndë, e ka për obligim moral ndaj vetes dhe gjeneratave që vinë të ndryshoj realitetin. Duke marrë pjesë aktive në procesin politik, dhe sidomos duke ndëshkuar me votën e vet ata që e sollën Kosovën në  këtë gjendje, qytetari i Kosovës mund ta bëjë ëndërr evropiane projektin politik real.

Kërkimi i Evropës në meset më të varfra të jetës sonë arsimore e kulturore, ku rrallëherë fryn ndonjë fllad i lehtë, e ku ligjin e bëjnë të padijshmit, të pakulturuarit, është sikur të “grish ujë në havan”.

Kush nga ne, nuk e ndjejnë këtë përgjegjësi e cila nuk është vetëm e politikës, e njerëzve të kulturës apo e komuniteteve të organizuara dhe e medieve të “pavarura”, por, përgjegjësia është e çdo qytetari të vendit tonë që nuk e bënë zgjedhjen e duhur e të menduar gjatë. Evropa është vizioni ynë, por para kësaj, vizioni ynë duhet të jetë për Kosovën e lirë, sovrane e demokratike, Kosova shtet i së drejtës, shtet me liri, drejtësi e solidaritet për qytetarët e mes qytetarëve.

Politika, mediet, intelektualët, shoqëria civile, rinia studentore duhet t’i harmonizojnë vullnetet, secili në përgjegjësinë e tij, për të nxjerrë shtetin e kombin nga izolimi, moszhvillimi, papunësia e varfërimi i përditshëm! Frustrimania e shumëftyrësia e përhapur gjithandej në shoqërinë tonë nuk na shpien në drejtimin e as në destinacionin e duhur?!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK