Zoti Anton Berisha, mos e fut hundėn ku nuk e ka vendin!

0

SHPËRNDARJE

13 March 2017 • 19:37

Në polemikën që në cilësinë personale zhvillova me Lulzim Pecin u përfshi edhe Anton Berisha, shkrimin e të cilit mediat e prezantuan si reagim të një zyrtari të lartë të AAK-së.

Për dallim nga polemikë që zhvilluam me z. Peci, ku bosht i artikulimit të mospajtimeve tona ishte qëndrimi rreth Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, ndërhyrja e zoti Berisha, është një ndërhyrje Ad hominem kundër meje. Në përzierjen e tij në këtë polemikë, zoti Berisha në mënyrë perfide i shmanget debatit mbi argumentet e mia kundër qëndrimeve të zotit Peci, dhe tërë debatin e zhvendos në rrafshin personal. Pasi vërsulet me shpifje, gënjeshtra dhe kërcënime ndaj meje, kthehet dhe e ngre në kupë të qiellit mikun e vet personal të studimeve dhe të diplomacisë, Lulzim Pecin.

Mendimet e zotit Berisha për zotin Peci, apo mendimet e mija për këta të dy janë mendime që nuk kanë asnjë vlerë dhe rëndësi për opinionin publik. Për këtë arsye asnjëherë dhe ndaj askujt nuk kam reaguar për shkak të CV-së së tij. Të gjitha reagimet e mia të deritashme janë publikime publike ndaj ideve me të cilat nuk pajtohem. Prandaj, zoti Berisha duhet ta dijë se konfrontimi i argumenteve rreth ideve me të cilat nuk pajtohen njerëzit dallon nga argumentet “e jaranisë” në mbështetje publike të dikujt.

T’i kthemi qëndrimeve të zotit Berisha. Po filloj me qëndrimin e zotit Berisha kur ai thotë se “Marrëveshja për Demarkacionin duhet të sulmohet në përmbajtjen e vet si e dëmshme për integritetin territorial e strategjik për Kosovën e jo në fyerjen e mendimeve e aq më pak të personaliteteve të respektuara.”

Sikur ky qëndrim t’i ishte drejtuar zotit Peci do të ishte plotësisht e kuptueshme. Sepse është pikërisht zoti Peci ai i cili, përkundër asaj se vet deklarohet që “nuk është ekspert në këtë lëmi dhe as i kualifikuar për të folur rreth kësaj çështjeje”, i jep vetes të drejtë të fyej njerëzit më të kualifikuar dhe ekspertët më të mirë në këtë lëmi. Zoti Berisha është dashur ta dijë se nuk ka fyerje më të madhe për ekspertët dhe njerëzit e kualifikuar si Zejnullah Gruda, Shpejtim Bulliqi, Florim Jusufi e të tjerë të këtij profili intelektual se kur argumentet e tyre cilësohen si “rapsodi”. Dhe nga kush se? Nga një njeri që vet pranon se është jo kompetent dhe jo ekspert i kësaj fushe.

Meqenëse reagimin ndaj meje zoti Berisha e nxjerr në rrafshin e partneritetit të AAK-së dhe NISMA për Kosovën, unë nuk do të zgjerohem në tërë hapësirën politike dhe shoqërore që godet qëndrimi i zotit Peci ndaj kundërshtarëve të Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Do të kufizohem vetëm në partneritetin NISMA -AAK. Në këtë rrafsh kërkoj nga të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e forcave tona politike të gjykojnë rreth asaj se, a ka fyerje më të madhe politike se kur argumentet që sollën në Kuvendin e Kosovës dhe në debatet publike Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Ahmet Isufi, të gjithë deputetët e dy grupeve tona parlamentare dhe shumë personalitete tjera të partive tona politike të cilësohen si “RAPSODI”!

Nëse zotit Berisha i janë verbuar sytë nga jarania që ka me zotin Peci, për mendimin tim personal nuk ka fyerje më të rëndë se kualifikimi i tillë i qëndrimeve dhe argumenteve që mbrojtën dhe mbrojnë udhëheqësit e partneritetit AAK-NISMA. Zoti Berisha mund të mbaj qëndrimin si ja ka qejfi atij apo zotit Peci. Por, është e papranueshme që të përmbysen gjërat dhe për shkak të jaranisë të akuzohen të tjerët për fyerje dhe zoti Peci të na prezantohet si “viktimë” e fyerjeve.

Zoti Berisha duhet ta dijë se është e pa tolerueshme gënjeshtra, sidomos kur ajo del në sferën publike. Reagimi i tij ndaj shkrimeve të mia autoriale është i mbushur me plot gënjeshtra. Ai, pa fije korrektësie, deklaron se “Ne nuk mund të lejojmë që shkrime e qëndrime të tilla, arbitrare, të paargumentuara si duhet dhe cinike të jenë pjesë e qëndrimeve të përbashkëta politike”.

Secili që ka lexuar reagimet e shumta që kam bërë viteve të fundit për ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë dhe më gjerë ka mundur të dallojë qëndrimet e mia personale nga ato të subjektit politik, sekretar i përgjithshëm i së cilës jam. Përveç meje, qëndrimet e mija nuk implikojnë askënd. A ka gënjeshtër më të madhe se kur më vishet se gjoja qëndrimet e mia personale janë pjesë e qëndrimeve të përbashkëta të partnerëve AAK-NISMA. Po e përsëris: unë kam dhënë mendimin tim personal rreth fyerjeve të Lulzim Pecit, jaranit të Anton Berishës e jo në emër të NISMA për Kosovën apo partneritetit të përbashkët të partive tona politike.

Por, meqenëse hyre në këtë çështje po të them një gjë. Pa pyetur askënd unë mund të deklaroj se përveç për ty si jaran i zotit Peci, për çdo anëtarë të forcave tona politike cilësimi i argumenteve për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës si “RAPSODI” është fyerje e rëndë.

Ndërsa sa i përket të drejtës që ti i jep vetes të më tregosh se çka kam të drejtë të shkruaj dhe çka nuk kam të drejtë të shkruaj po të them se e ke gabuar adresën.

Për derisa unë kam reaguar në cilësinë individuale zoti Berisha nuk është dashur të implikojë marrëveshjen e partneritetit AAK-NISMA për shkak të jaranive që ke me dikë. Ai e di fare mire se në negociatat për përafrimin e qëndrimeve në mes partive tona politike unë kam qenë mjaft aktiv dhe në shumicën e takimeve kam qenë pjesë e ekipit që ka përfaqësuar NISMA për Kosovën. Zoti Berisha nuk ka qenë në asnjë takim në këtë proces dhe përveç dy herëve që e kam parë kalimthi në korridoret e selisë së AAK-së, asnjë herë nuk kemi pasur rastin të këmbejmë mendime. Prandaj, po të them ty dhe të gjithë të tjerëve: Partneriteti AAK-NISMA për Kosovën i tejkalon jaranitë ose divergjencat individuale. PRANDAJ MOS E FUT HUNDËN KU NUK E KA VENDIN!

Zoti Berisha i cilëson argumentet e mia se gjoja janë të mendësisë enveriano-staliniste të tipit “atdhetar-tradhëtar”».

Në skenën politike kombëtare jam i angazhuar qe për më shumë se tri dekada dhe asnjë njeri nuk mund të gjejë asnjë argument të vetëm se unë kam cilësuar dikë “tradhtar”. Unë nuk kam mandatin të bëhem kandar i “patriotizmit” ose i “tradhtisë” zoti Berisha. Nuk është faji im nëse persona të caktuar shpërndajnë ide identike me idetë që janë konstruktuar nga qarqet serbe. Në demokracinë aktuale secili ka të drejtë të shpërndajë idetë që i duken më të mira apo në ato që aderon. Por, është e pandershme të fshihesh si viktimë kur dikush t’i nxjerr para syve se këto ide nuk janë origjinale dhe janë diametralisht të kundërta me realitetin e fakteve.

A ka më staliniste se kur në këtë kohë të përpiqesh t’i tregosh dikujt se çka ka të drejtë e çka nuk ka të drejtë të shkruaj, të flasë apo të mendojë. Akuzat e zotit Berisha kundër meje janë adekuate me atë shprehjen popullore: “t’i them sa nuk më ka thënë”.

Zoti Berisha e ka ngatërruar adresën kur përpiqet të kërkojë nga unë se çka duhet të shkruaj! Zoti Berisha duhet ta dijë një gjë, se nuk ka pasur asnjë forcë që ka mundur të ma ndal që të shpreh mendimin tim. Edhe në kohën kur titistë jugosllavë, që nuk ishte asgjë tjetër pos një variant stalinist i aplikueshëm kundër shqiptarëve, kërkuan nga unë që gjatë gjykimit për veprimtari kundër pushtuesve të, të kem kujdes se çka flas. Të gjithë shokët me të cilët u dënuam nga gjykata titisto-staliniste dhe familjarët e tyre që ishin prezent e mbajnë mend se nuk pati forcë që ma ndali zërin. Nuk ngurrova të shpreh mendimin tim për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve edhe pse rrezikohesha të dënohesha me dënimin maksimal prej 15 vjetësh burg. Edhe ashtu ndodhi. Më dënuan me 15 vjet por nuk ma ndalën mendimin dhe të drejtën për ta shprehur mendimin tim. As logjika e moçme titisto-staliniste e as përpjekjet e reja nuk mund të ma ndalin shpërndarjen e mendimeve të mia zoti Berisha.

Zoti Berisha duhet ta dijë se në rrafshin intelektual nuk është e mjaftueshme të thuash se filani apo fisteku është “një figurë e respektuar, me traditë familjare të njohur për shqiptarizëm dhe se na paska qenë një ndër studentët e shkëlqyeshëm gjatë studimeve” për t’i bërë “argumentet” e tij të pranueshme. Argumentet konfrontohen dhe secili në përputhjen se çka i duket më mirë merr qëndrim. Këtë të drejtë e ka secili qoftë edhe në rastet kur argumentet e atyre që kundërshtojnë faljen e mbi 8 mijë hektarëve të territorit të Kosovës Malit të zi i duken si “RAPSODI”. Edhe ju zoti Berisha, keni të drejtë të përcaktoheni ku të keni qejf. Madje nëse doni mund të merrni lahutën dhe të na këndoni “rapsoditë” për burrërinë e Lulzim Pecit. Por, mos harroni! Nuk jeni ju që keni monopol se çka është burrëri çka nuk është!

Në fund, desha t’ju them se nuk e kuptova referimin "babës Enver" që përdori zoti Berisha. Unë gjatë gjithë jetës sime vetëm një njeriu i kam thënë babe: Rrustem Sherifit, ndjesë pastë, i lindur dhe i rritur në fshatin Vërban komuna e Vitisë. Vetëm atij që më rriti me shumë sakrifica i kam thënë babë, zoti Berisha. Për askënd tjetër nuk e kam përdorur këtë epitet që për mua është i shenjtë. Ndërsa ju e dini më mirë pse e quani Enverin “Babë”. Në çështje private nuk ndërhyj, sepse nuk janë në interes të publikut.