Zërat
Besfort Rrecaj
Besfort
Rrecaj

Fuqia e hekurt dhe e butë, e drejta ndërkombëtare dhe siguria kombëtare e shteteve të vogla në epokën e globalizimit

Zërat March 10, 2017 - 15:17

Duke përfituar nga aleancat me shtetet e fuqishme, Kosova do të ketë një mjet mjaft të rëndësishëm për sigurinë e saj. Ushtria mund të ketë rolin e saj në ruajtjen e sigurisë kombëtare të shtetit, por në rastin e shteteve të vogla, kjo gjë nuk duhet të bëhet në dëm të prishjes së aleancave të shëndosha. Në fund të fundit, edhe po të formojmë një ushtri, do të duhej të ngritej pyetja se si do të armatosej ajo për realizimin e objektivave dhe qëllimeve të saj. Ne mbështetemi tek aleatët tanë perëndimorë dhe tek NATO për mbështetje ushtarke dhe në qoftë se ata nuk janë në gjendje ta përkrahin këtë ushtri atëherë çfarë ushtrie do të ishte ajo?

Koncepti i sigurisë kombëtare pas luftës së ftohtë dhe në kohën e globalizmit ka pësuar ndryshime të mëdha. Megjithatë, një karakteristikë specifike, e cila duket të jetë permanente gjatë gjithë historisë është se shtetet të cilat kanë qenë të afta të lidhin dhe të mbajnë aleanca me shtetet tjera kanë qenë shumë më të suskesshme në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të tyre shtetëror, sesa çdo veprim tjetër. Kjo është dëshmuar gjatë gjithë historisë, që nga luftërat ndërmjet qytet-shteteve greke, në kohën e Perandorisë Romake, në kohën e ashtuquajtur të balancit të forcave në Evropë, gjatë dy luftërave botërore, Luftë së ftohtë e deri më sot. Në fakt, për rolin e aleancave është folur mjaft nga autorët e parë të artit të luftërave, si Sun Tzu në librin e tij “Arti i Luftës” apo Tukiditi në librin e tij “Lufta e Peloponezit”, e deri tek Carl von Clauzevitz në kohërat më moderne në librin e tij “Mbi Luftën”. Në të gjithë këtë literaturë klasike, por edhe bashkëkohore potencohet rëndësia e mbajtjes së aleancave me partnerët strategjikë, pasi që në radhë të parë kjo e kufizon shtetin tjetër armik që të zgjeroj aleancat e tij për të krijuar këtë epërsi.

Posedimi i fuqisë së hekurt - inferior ndaj rëndësisë kapitale të mbajtjes së aleancave me shtetet e fuqishme dhe të mëdha

Krijimi dhe mbajtja e aleancave mbetet elementi kryesor sot për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, sidomos nga shtetet e vogla apo shumë të vogla, siç është Kosova. Në këto raste posedimi i fuqisë së hekurt, e cila në konceptin e Joseph Nye (autor shumë i rëndësishëm në fushën e sigurisë, politikat amerikane, Profesor dhe ish zyrtar në Pentagon) nënkupton makineritë ushtarake luftuese, mbetet inferior ndaj rëndësisë kapitale të mbajtjes së aleancave me shtetet e fuqishme dhe të mëdha.

Rrjedhimisht shtetet e vogla e kanë shumë më qenësore mbajtjen e aleancave me shtetet e fuqishme, sesa grumbullimin e fuqisë së hekurt. Rreshtimi i duhur dhe përqafimi i koncepteve demokratike në marrëdhëniet ndërkombëtare luan rol shumë të rëndësishëm. Në fund të fundit, Kosova e ka fituar luftën ndaj Serbisë, pikërisht për këtë arsye. Derisa Serbia me fushatat e saj nacioanliste kishte filluar të shkatërroj Jugosllavinë dhe bëri të gjitha ato krime në Kosovë, ajo kishte humbur aleancën me fuqitë fitimtare të Luftës së Ftohtë, duke mbetur edhe më tutje e ngulitur në të kaluarën, derisa aleati i dikurshëm Rusia ishte tepër e zënë me problement e veta dhe nuk ishte e fokusuar për të ndihmuar edhe më tutje SerbinëKa qenë aftësia e gjithë spektrit politik dhe ushtarak të Kosovës për të lidhur aleancë strategjike me partnerët amerikanë dhe evropianë faktori vendimtar që Kosova të fitojë lirinë dhe më vonë edhe pavarësinë. . Sot, Rusia dhe me gjasë edhe në një të ardhme të gjatë, vetëm se një fuqi rajonale karshi shteteve evro-perëndimore të orientuara rretha NATO-s të fuqishme si në aspektin uashtarak ashtu edhe në atë të ekonomik si dhe në aspek të përkrahjes së vlerave liberal-demokratike si vlera më të qëndrushme për zhvillimin njerëzor.

Izraeli, nuk është shtet i fuqishëm si duket në plan të parë për shkak të posedimit të fuqisë së hekurt karshi fqinjëve të tij, por për shkak se ka aleatë të fuqishëm, të cilët e përkrahin ekzistencën e tij si shtet. Në përgjithësi, niveli i gatishmërisë ushtarake të Izraeli konceptohet nga vetë aleatët e tij të ngushtë dhe kjo nënkupton një nivel të përshtatëshëm sigurie, i nevojshmë për vetëmbrojtje dhe jo më shumë. SHBA, përmes ndihmave ushtarake dhuron miliarada dollarë për çdo vit për të ruajtur sovranitetin e aleatit të tij duke mbajtur një balanc të forcave në rajon që përfshinë edhe Egjiptin si një shtet i cili gjithashtu përfiton ndihma të ngjajshme ushtarake nga SHBA.

Kosova të fokusohet në fuqinë e butë, që nënkupton krijimin e një shteti të bazuar në sundimin e ligjit, demokracisë, të drejtat e njeriut, të një tregu të lirë dhe mbrojtjes së vlerave tjera fundamentale

Në këto rrethana, roli i fuqisë së butë dhe të drejtës ndërkombëtare është vendimtar për sigurinë kombëtare të shteteve të vogla. Shtetet e vogla duhet të fokusohen më shumë në fuqinë butë, e cila sipas Joseph Nye nënkupton aftësinë për të tërhequr të tjerët përmes joshjes dhe atraktivitetit. Kjo nënkupton ndër të tjera krijimin e një shteti të bazuar në sundimin e ligjit, demokracisë, të drejtat e njeriut, të një tregu të lirë dhe mbrojtjes së vlerave tjera fundamentale, të cilat përfundimisht e fuqizojnë kohezionin social të popullatës dhe ndikon në zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të shtetit. Shfrytëzimi i fuqisë së butë, ndër të tjerash ësht ënjë mjetë shumë më pak i kushtueshëm dhe më lehtë i realizueshëm nga shtete e vogla. Është fat i madh se Kosova ka vendosur që t’i takoj bllokut evro-perëndimor dhe vetëm në këtë mënyrë, Kosova do të jetë në gjendje të tërheqë dhe të ruajë aleancat me shtetet e botës së lirë dhe demokratike, që do të na mbështesin në arritjen e qëllimeve dhe synimeve tona në të gjitha aspektet. Institucionet e Kosovës vazhdimisht përballen me kritika serioze (që vijën nga aleatët tanë ndërkombëtarë) për mungesë të sundimit të ligjit e korrupcion endemik, dukuri këto të cilat nëse nuk luftohen me kohë mund ta vënë në pikëpyetje aleancën me shtetet, të cilat na kanë përkrahur në vazhdimësi.

Duke përfituar nga aleancat me shtetet e fuqishme, Kosova do të ketë një mjet mjaft të rëndësishëm për sigurinë e saj, që është e drejta ndërkombëtare. Në fakt e drejta ndërkombëtare i ndihmon shumë shtetet e vogla karshi “përbindshave të mëdhenjë” dhe është mjeti kryesor për të realizuar pavarësinë e tyre. Një nga parimet fundamentale të së drejtës ndërkombëtare është parimi i sovranitetit dhe integritetit territorial. Ky parim mbahet si i tillë nga shtetet në mënyrë të përbashkët, andaj mbajtja e aleancave të shëndosha dhe mbështetja në të drejtën ndërkobëtare është ajo çka i nevojitet çdo shteti sot në botë, e në këtë rast edhe Republikës së Kosovës.

Ushtria mund të ketë rolin e saj në ruajtjen e sigurisë kombëtare të shtetit, por në rastin e shteteve të vogla, kjo gjë nuk duhet të bëhet në dëm të prishjes së aleancave të shëndosha dhe strategjike. Historia ka treguar se edhe një Gjermani me një arsenal aq të fuqishëm ushtarak dhe të pashembullt mund të mboshtet gjatë luftës së dytë botërore nga pjesa tjetër e shteteve të lidhura në një aleancë shumë më madhe kundër një regjimi nazist dhe fashist. Në fund të fundit, edhe po të formojmë një ushtri, do të duhej të ngritej pyetja se si do të armatosej ajo për realizimin e objektivave dhe qëllimeve të saja. Ne mbështetemi tek aleatët tanë perëndimorë dhe tek NATO për mbështetje ushtarke dhe në qoftë se ata nuk janë në gjendje të përkrahin këtë ushtri atëherë çfarë ushtrie do të ishte ajo?

(Autori është Profesor i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK