Zërat
Nazmi Caka
Nazmi
Caka

Pavarësimi i shkollës shqipe

Zërat February 18, 2017 - 11:43

Nuk ishte lehtë t’i thuhet “Jo” planprogrameve të Serbisë në kohën kur ajo synonte edhe koka njerëzish për qëllime të veta. Edhe më vështirë do të ishte e kundërta. Pleqësia e Arsimit e Kosovës (PAK) në kushtet dhe rrethanat më të vështira të arsimit shqip në Kosovë e dha kontributin e vet të pakontestueshëm. Ishte i vetmi organ i Kuvendit të Kosovës, viteve të nëntëdhjeta, nga afro 30 sa i kishte, që në rrethana të jashtëzakonshme e ruajti vazhdimësinë e punës dhe veproi në Kosovë e jo në ekzil. Ishte organ i qëndrueshëm dhe stoik në qëndrimet dhe në vendimet e veta. Nga fushëveprimtaria e vet e kishte për obligim miratimin e planeve dhe programeve të arsimit parashkollor, të shkollave fillore dhe të mesme, normativat të lokalit shkollor, rregulloreve dhe akteve tjera mësimore për arsimin parauniversitar. Ndërsa, për arsim të lartë kishte shqyrtimin dhe miratimin e planeve dhe programeve për lëndët pedagogjike, andragogjike, psikologjike të shkollave të larta dhe fakulteteve.

Puna më fisnike e këtij organi ka qenë miratimi i planeve dhe programeve dhe teksteve mësimore për arsimin parauniversitar, përpos punëve të tjera.

Duke e ditur peshën dhe rëndësinë e këtij organi, Ministria e Arsimit e Serbisë insistonte me çdo kusht t’ia marrë mandatin PAK-ut dhe t’i fuste edhe një herë në kthetrat e veta shkollat shqipe të Kosovës sikur që i kishte para vitit 1969. Duke marrë parasysh faktin se planet dhe programet mësimore paraqesin bazën e sistemit të arsimit dhe përcaktimin e identitetit kombëtar, Enti Pedagogjik i Kosovës (EPK) në marrëveshje me Pleqësinë e Arsimit i bënë kërkesë Qeverisë së Kosovës për lejimin e hartimit të planeve dhe programeve të reja mësimore të Kosovës. Koha e donte të hartohen planprogramet e reja, duke ju përshtatur sistemit të ri shoqëror nga njëra anë dhe mospranimi i planprogrameve të cilat i ofronte Beogradi nga ana tjetër. Më 19.06.1990, Qeveria e Kosovës shqyrtoi dhe e miratoi Kërkesën dhe u mor Vendimi për hartimin e planeve dhe programeve të reja. Ishte vendim bukur i guximshëm për Qeverinë e Kosovës për një ndërmarrje të tillë në kohën kur Serbia bënte çmos për suprimimin e organeve shtetërore në Kosovë. Me gjasë ajo donte të fillonte nga arsimi, andaj bënte presion të paparë për t’i pranuar planprogramet e miratuara në Beograd. PAK-u dhe EPK-ja u zotuan se me kohë do ta bëjnë hartimin, miratimin dhe distribuimin e planprogrameve mësimore sipas Vendimit të Qeverisë së Kosovës. Kështu Enti Pedagogjik i Kosovës angazhoi mbi 200 bashkëpunëtorë të jashtëm dhe në bashkëpunim me 22 komisionet profesionale të Pleqësisë së Arsimit u arrit që në kohën e paraparë të hartohen, të shqyrtohen, të miratohen dhe të distribuohen planet dhe programet e reja mësimore. Për implementimin e tyre u bënë përgatitje të mëdha dhe angazhim maksimal në të gjitha qendrat e Kosovës. Ministria e Arsimit e Serbisë me përpjekjet e veta të pandërprera bënte çmos t’i bindte drejtorët dhe arsimtarët shqiptarë të shkollave t’i pranojnë planet dhe programet e tyre. Për këtë qëllim, më 21 gusht 1990, e caktoi një mbledhje në sallën e madhe të Kuvendit të Kosovës, për një lloj këshillimi rreth implementimit të planeve dhe programeve të ofruara nga Beogradi. Të ftuar ishin të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës. Pjesa më e madhe e drejtorëve nuk i janë përgjigjur ftesës, pjesa tjetër u informua jashtë ndërtese. Sipas marrëveshjes, u caktuan dy veta të qëndrojnë para hyrjes në sallën e Kuvendit, ku do të mbahej mbledhja. Njëri ishte Nazmi Caka nga Pleqësia e Arsimit, ndërsa tjetri ishte përfaqësues i shkollave të Prishtinës. Këta e kishin për detyrë t’i njoftojnë drejtorët shqiptarë të mos marrin pjesë në këtë mbledhje. Ishte moment i volitshëm t’u bëhet me dije haptas dhe qartë organeve të Serbisë qëndrimi i paluhatshëm i arsimtarëve dhe i organeve të Kosovës se nuk duan më Serbi e as planprograme të Serbisë. Drejtorët e shkollave e bojkotuan pothuajse të gjithë këtë mbledhje, ndërsa në sallë, sipas marrëveshjes, hynë Halim Hyseni, drejtor i EPK-së, Zeqir Demi, sekretar i PAK-ut, dhe Haqif Cana, nga Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit ( BVI) për Financim të Kosovës. Në sallë ishin prezentë diku rreth 150 veta, shumë prej tyre të panjohur.

Në hapje të takimit i pari e mori fjalën Zeqir Demi, i cili të pranishmëve u është drejtuar në gjuhën serbe me këto fjalë: “Këshillime të këtilla duhet të organizojmë ne, organet legjitime të arsimit të Kosovës e jo ato të dhunshme sikur jeni Ju. Prandaj ne nuk kemi çka lypim këtu. Kush është shqiptar dalim jashtë se kjo nuk është mbledhje jona”. Pas mbarimit të fjalës së Zeqir Demit u ngrit Halim Hyseni, i cili tha: “Unë jam shqiptar dhe do të dalë jashtë së bashku me të gjithë të pranishmit tjerë shqiptarë. Ju mbajeni mbledhjen dhe këshilloni kë të doni, por jo shqiptarët”. Kështu edhe u veprua dhe pas këtyre të treve dolën edhe dy a tre drejtorë, të cilët kishin hyrë në sallë më herët. Ky bojkotim i mbledhjes së caktuar nga Ministria e Arsimit të Serbisë bëri jehonë të madhe, jo vetëm te arsimtarët shqiptarë në Kosovë. Kjo i sqaroi dilemat e disa shqiptarëve se a duhet marrë pjesë në mbledhjet e tilla dhe i trimëroi njëkohësisht që çfarëdo që u ofrohet nga Serbia të mos pranohet. Ndërsa te organet serbe të arsimit e shtoi edhe më tepër revoltën. Ajo që iu dha fund përpjekjeve të Serbisë për implementimin e planeve dhe programeve të Beogradit në Kosovë ishte mbledhja e Pleqësisë së Arsimit të Kosovës, e mbajtur më 24 gusht 1990. Në këtë mbledhje ishin të gjithë delegatët të pranishëm, edhe ata serbë. Më kot ishin përpjekjet e tyre që ta ndërronin rendin e cila kishte të bëjë me miratimin e planeve dhe programeve të Kosovës. Ishte përpjekja e fundit me koncesione të tejdukshme. Ata pranonin të shqyrtohen planet e programet mësimor të hartuara nga EPK-ja, por të mos miratohen në PAK por të dërgohen për miratim në Beograd. Pas dështimit të përpjekjeve ata lëshuan mbledhjen në mënyrë demonstrative duke menduar se do të ndërpritet mbledhja dhe do të dështojë miratimi i planeve dhe programeve mësimore të Kosovës.

Përndryshe, ata kishin planifikuar ta ndërpresin me dhunë mbledhjen nëse nuk u shkon për shtati. Policia ishte tashmë e njoftuar dhe e gatshme për aksion. Duke dalë, të shpërndarë veç e veç, nëpër korridore të ndërtesës ata ishin nisur të armatosur drejt sallës, ku ishte mbajtur mbledhja. Duke e marrë me mend gatishmërinë e policisë, ndërrohet vendi dhe mbledhja vazhdon në lokalet e Bashkësisë Vetëqeverisëse të Kosovës. Nuk ishte numri i delegatëve i mjaftueshëm për kuorum. Kishte mendime që edhe pa kuorum, bile edhe pa u mbajtur në vazhdim mbledhja, të konsiderohen dhe të shpallen si të miratuara planprogramet. Zeqir Demi ishte kategorik që të zbatohet në përpikëri ana formale juridike. Me të kuptuar gjendjen në të cilën ishte PAK-u, në mbledhje erdhën dr. Muhamet Bicaj dhe dr. Agim Hyseni, anëtarë të PAK-ut dhe u bë kuorumi. Në pamundësi, për shkaqe shëndetësore, të jetë prezentë edhe dr. Dali Emrullahu anëtar, e dërgoi me shkrim vlerësimin për planprograme dhe konfirmimin se pajtohet me miratimin tyre. Me të siguruar kuorumin vazhdoi procedura e miratimit të planprogrameve të reja dhe u miratuan. Për të qenë procedura plotësisht në nivel juridik, po atë ditë shërbimi i PAK-ut e dërgoi Vendimin për miratim të planeve dhe programeve mësimore në “Gazeta Zyrtare” dhe për habi të nesërmen doli Vendimi për miratimin e tyre bile edhe në “Sluzbeni List” në gjuhën serbe. Këtu filloi shkolla shqipe plotësisht e pavarur nga ndikimi politik dhe çfarëdo tendence serbe ani pse me pasoja të mëdha. Pas të gjitha këtyre peripecive pasoi faza e tjetër e aksionit serb, jo vetëm për rrënimin e shkollës shqipe. Kjo është faza më e rëndë e agresivitetit e cila do të jetë edhe faza e fundit e bashkëqeverisjes së arsimit në Kosovë. Menjëherë pas publikimit të Vendimit për miratimin e planeve dhe programeve mësimore të arsimit parauniversitar filluan largimet nga puna. Së pari e larguan stafin e Pleqësisë së Arsimit (4 shtator 1990), mandej këshilltarët e Entit Pedagogjik të Kosovës, të enteve komunale e ndërkomunale, zyrtarët e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, i larguan pothuajse të gjithë shqiptarët nga Sekretariati Krahinor i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Në shkolla filloi ndarja e turneve sipas përkatësive etnike. Paradite serbët e pasdite shqiptarët. Vazhduan me ndaljen e të ardhurave personale deri te largimi nga puna. Më në fund i mbyllën edhe dyert e shkollave për nxënësit shqiptarë. Kështu e pamundësuan zhvillimin normal të arsimit shqip në Kosovë. As në këto rrethana nuk u dorëzuan arsimtarët dhe në kushte jonormale, në shtëpi-shkollë, vazhdoi mësimi në të gjitha nivelet arsimore dhe plotësisht e pavarur edhe nga Serbia, edhe nga politika. Për fat të keq kjo e dyta nuk vlen në ditët e sotme.

Nazmi Caka, ish-udhëheqës i AML-së në MASHT.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK