Zërat
Bilall Sherifi
Bilall
Sherifi

Denacifikimi i Serbisë së pari!

Zërat February 14, 2017 - 21:02

Anketa e zhvilluar nga gazeta "Blic" e Beogradit e kryer me 12.500 persona është një tregues i qartë se Serbia nuk ka ndryshuar fare kur janë në pyetje marrëdhëniet me fqinjët. E në veçanti ajo nuk ka ndryshuar kur janë në pyetje shqiptarët!

Rreth 58% e të anketuarve kanë thënë se Serbia raportet më të këqija i ka me Shqipërinë, madje ata kërkojnë që të mbesin të tilla, pra të këqija edhe në të ardhmen!

Ky rezultat është një tregues se në Serbi urrejtja ndaj shqiptarëve nuk ka shënuar aspak rënie. 

Pritjet se ky nivel i urrejtjes do të ndryshojë pa ndryshuar politikat e shtetit të Serbisë karshi fqinjëve, në veçanti karshi shqiptarëve, janë jo reale, madje janë iluzion. E tërë kjo urrejtje nuk vjen nga qielli dhe as nuk vjen përnjëherë. Kjo urrejtje është produkt i politikave të shtetit të Serbisë ndaj fqinjëve nëpër dekada. Është mbjellë dhe ushqyer për çdo ditë dhe vazhdon të ushqehet edhe sot e kësaj dite.

Nuk është se nuk e kemi ditur këtë fakt, por ajo që bën përshtypje është fakti se ky rezultat vjen vetëm një ditë pas fillimit të iniciativës nga Hashim Thaçi për themelimin e të ashtu quajturit “Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin”. Kjo është e vërteta lakuriq që vjen nga Serbia si përgjigje ndaj “Komisionit për Vërtetën dhe Pajtimin” të Hashim Thaçit. Ndërsa në vend të pajtimit ata ofrojnë ruajtjen e raporteve të këqija. Ruajtjen e urrejtjes!

Rastësi apo jo, këtë nuk e di, por gjithsesi ironik fakti se në emër të Kosovës, përmes iniciativës për themelimin e komisionit famoz , më 13 shkurt, një ditë para Shën Valentinit, nga Hashim Thaçi, Serbisë i ofrohet falje dhe pajtim më 14 shkurt pikërisht ditën e Shën Valentinit, nga Serbia vjen përgjigja e vetme që pritet nga ajo. Ajo e urrejtjes dhe mospajtimit!

Shërimi nga urrejtja është proces i gjatë, ai vjen vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës shoqëror të denacifikimit. Pritjet se është i mundur pajtimi pa denacifikimin e shoqërisë dhe shtetit të Serbisë janë iluzion i cili një ditë mund ta rikthejë makthin e së kaluarës në Ballkan.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK