Zërat
Prof. dr. Zejunllah Gruda
Prof.
dr.
Zejunllah
Gruda

Refuzimi i ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin është çështje e dinjitetit

Zërat February 13, 2017 - 12:49

Pas kësaj marrëveshja i është dërguar senatit për shqyrtim, që ka zgjatur nga 8 shkurt 1978, deri më 16 mars ose gjithsej 22 ditë. Objekt i diskutimeve të mëdha ishin tre amandamente sipas të cilëve: a) i jepej SHBA e drejta që të intervenojnë për ta mbajtur Kanalin të hapur (nëse do të rrezikohej liria e lundrimit); b) i jepej e drejta e kalimit me prioritet për anijet luftarake të SHBA –së; dhe c) parashikohej mundësia që çështja e tërheqjes së bazave ushtarake amerikane mund të jetë çështje e bisedave midis dy vendeve para se kontrolli mbi kanal të kalojë në Panama, në vitin 2000. Këto amandamente kërkonin që në marrëveshje që ka në gjuhën spanishte 236 faqe, të shtohen dy-tre paragrafë. Megjithëkëtë, për këtë është kërkuar edhe pëlqimi i palës tjetër para se marrëveshja të ratifikohet. Vetëm pas kësaj Senati ka votuar për marrëveshjen me 18 prill 1978.

Votimi i kësaj marrëveshje është bërë haptazi duke i thirrur senatorët një nga një të deklarohen a janë për apo kundër Marrëveshjes. (Zejnullah Gruda, Panamski kanal - Medjunarodnopravna i politicka studija. Izd. Akademija Nauka i Umetnosti Kosova, Prishtina, 1980). Unë kam sugjeruar që kjo mënyrë e votimit të zbatohet edhe në Kuvendin tonë kur çështja e demarkacionit të vihet në rend të ditës për ratifikim, sepse vetëm kështu populli i Kosovës do të dinte saktë se kush nga deputetët ka përkrahur e kush e ka kundërshtuar cedimin (dhënjen) e një pjese të territorit të Kosovës Malit të Zi. Kjo duhet ditur saktë për të mbetur në histori dhe mbamendje.

 

4. Kështu, si veprohet tani del se Tryeza ishte organizuar dhe pjesëmarrësit ishin ftuar ta argëtojnë popullin ose të krijojnë përshtypjen e një demokracie të vërtetë. Qysh tjetër duhet të kuptohen prononcimet e pushtetarëve se “çdo gjë është në rregull” kur shumë të tjerë mendojnë diametralisht të kundërtën; kur bëhet shantazh mbi popullin: se ose duhet pranuar këtë siç thonë këta, ose: “nuk do të ketë liberalizim të vizave”; “nuk do të mund të krijohet ushtria e Kosovës”; “do të prishemi me miqtë”; “do të prishemi me ‘ndërkombëtarët’“, etj.

Natyrisht, unë jam i vetëdijshëm se të gjitha këto janë çështje shumë të rëndësishme, por edhe se trumbetohen për të heshtur çdo opozitë. Kulmi i kësaj është teza “se këtë marrëveshje e ka përshëndetur presidenti i SHBA-së Obama” sikur ai mos të kishte gajle tjetër pos demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi.

Natyrisht, këto kushtëzime dhe kërcënime unë i kam kuptuar ashtu si përdoren, d.m.th. si manifestime të asaj që ua mësonte Makiaveli pushtetarëve “se qëllimi i arsyeton mjetet.” Në pajtim me këtë pushtetarët (përfaqësuesit e pushtetit) dhe sejmenët e tyre i shtrembërojnë faktet ose i interpretojnë sipas qejfit dhe kutit të tyre. Përndryshe si mund të shpjegohet informata e trumbetuar gjerësisht se ndihmës sekretarja amerikane, zonja Nullan, ka kërkuar ratifikimin e marrëveshjes, ndërsa këshilltari i presidentit thotë publikisht se ajo “as që e ka përmendur këtë në bisedë me presidentin”; qysh mundet të shpjegohet deklarata e kryeministrit se ratifikimi i marrëveshjes është kusht për krijimin e ushtrisë së Kosovës, e komandanti i Forcave mbrojtëse deklaron se kjo as që është diskutuar, as që i është thënë atij ndonjëherë!

Këto tregojnë qartë se Kosova dhe populli i saj është vënë pa të drejtë para një presioni të dyfishtë: një që vije nga Bashkimi Evropian (Federica Mogherini, Tanja Fajon, Urlice Lunacek, Johannes Hahn etj.) i cili tani ka sajuar një kusht që deri më tani nuk i është vënë asnjërit nga shtetet trashëgimtare të ish-Jugosllavisë (Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë, Serbisë) por as Ukrainës apo Gjeorgjisë, e që konsiston në kërkesën për ratifikim të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, ose nuk do të ketë heqje të vizave; dhe një presioni të dytë që vije nga qeveria e Kosovës, që e përdorë Bashkimin Evropian si aleat për të heshtur kundërshtimet e arsyeshme dhe për ta kaluar marrëveshjen, sepse pa plotësimin e këtij kushti “nuk do të ketë liberalizim të vizave”. Kështu, këto dy palë mendojnë se populli i Kosovës, i vënë para zgjidhjes midis ruajtjes së tërësisë territoriale të Kosovës dhe perspektives së ekzodit të lehtë, do ta zgjedhë këtë të fundit.

Kështu, Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është shfrytëzuar si mjet për të shantazhuar Kosovën nga ndërkombëtarët e shumë më shumë nga autoritetet kosovare. Tash dihet publikisht se vënia e këtij kushti nga Bashkimi Evropian është bërë me pëlqimin e autoriteteve kosovare, çka konfirmohet nga deklarata e Johanes Hahn sipas të cilit “BE-ja nuk i ka imponuar Kosovës asgjë, sepse kriteret janë bërë në pajtim edhe me Qeverinë e Kosovës qysh në vitin 2013.” (Koha Ditore 26 nëntor 2016; 9 dhjetor 2016).

Kjo pak a shumë vërtetohet edhe nga deklaratat e dy ambasadorëve të akredituar në Kosovë. I pari nga këta, ambasadori britanik Ruairi O’Conell shprehimisht kishte thënë disa herë (Koha Ditore, 17.VIII.2016; Koha Ditore, 1.IX. 2016) se “çështja e demarkacionit të kufirit është krejtësisht çështje bilaterale në mes të Kosovës dhe Malit të Zi”; se “askush nuk i ka kërkuar Kosovës të ndryshojë kufirin e saj me Malin e Zi” ose “të japë tokë.” Po këtë e kishte thënë edhe ambasadorja e Gjermanisë Angelika Viets, sipas së cilës çështja e demarkacionit “para se gjithash ka të bëjë me Malin e Zi dhe Kosovën.” Njëjtë me këta edhe komandanti i KFOR-it Guglielmo Luogi Miglieta, kishte deklaruar se “ratifikimi i kufirit është një çështje e brendshme” (Koha Ditore, 30. VIII. 2016). Këto deklarata kanë shpërfaq një tendencë që bashkësia ndërkombëtare ose ndonjë shtet i veçantë të bashkëfajësohet për politika që s’kanë përkrahjen popullore.

 

5. Fatkeqësisht, për ta shtyrë Marrëveshjen për demarkacionin e Kufirit Kosovë - Mali i Zi disa “ekspertë” kanë ngritur edhe ndonjë “argument” që i takon sferës së të drejtës ndërkombëtare publike. Sipas këtyre, për shtetin është më se e rëndësishme të definohen saktë kufijtë, qysh e kërkon Konventa mbi të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve (Konventa e Montevideos, 1933) që përmendë kushtet që duhet t’i plotësojë një subjekt për t’u llogaritur shtet. Por, këta “ekspertë” nuk tregojnë pse kjo qenka aq e ngutshme kur p.sh., kufijtë midis Serbisë dhe Kroacisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, Kroacisë dhe Malit të Zi akoma nuk janë definuar, megjithëse këto janë pavarësuar afro pesëmbëdhjetë vjet para Kosovës. Po kjo mund të thuhet edhe për kufijtë definitiv të shtetit shqiptar që janë definuar në vitin 1926, megjithëse Shqipëria është njohur në vitin 1913, ndërsa kufijtë e Izraelit nuk janë definuar deri në ditët tona, megjithëse Izraeli është pranuar në OKB më 1949. Prandaj, para se dikush të insistojë që të kryhet demarkacioni i kufirit Kosovë-Mali i Zi, do të duhej të kërkonte që e njëjta punë të kryhej midis Izraelit dhe Palestinës që është plaga më e rëndë e botës për më shumë se gjashtë decenie. Por në këtë rast disa (ndryshe nga rasti i jonë) shprehimisht deklarojnë se nuk bëjnë presion mbi palët për ta arritur vendosjen e kufijve midis Izraelit dhe Palestinës. Ata thonë se kjo duhet të arrihet me marrëveshje midis dy palëve, që krahasuar me rastin tonë tregon se fjala është për standarde të dyfishta.

Shikuar kështu, refuzimi i ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është çështje e dinjitetit dhe moralit elementar për çdo njeri, sepse ky kusht i Bashkimit Evropian (dhe jo vetëm i këtyre) është kusht diskriminues. Fatkeqësisht, ky kusht i padrejtë te ne është mirëpritur pikërisht nga ata që duhen më së shumti të luftojnë për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare dhe dinjitetit të këtij populli. Kështu, tashti problemi i demarkacionit është shndërruar nga një çështje thjeshtë teknike në problem politik: Kosovë-Mali i Zi, Kosovë-Bashkimi Evropian, pozitë-opozitë.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK