Zërat
Agon Maliqi
Agon
Maliqi

Paaftësia e Qeverisë dhe racizmi i BE-së

Zërat February 13, 2017 - 12:42

Sinqerisht, është mjaft marre për t’u ankuar për një vizë e të bëhen punë e madhe rastet individuale si puna ime dhe e Erollit. Sidomos kur dihet se çfarë hallesh ekzistenciale kanë njerëzit këndej dhe se sa shumë kosovarë përballen me refuzime vizash, por nuk kanë qasje në medie për t’ua kuptuar dikush situatën. Pikërisht për shkak se problemi është kolektiv dhe jo personal vendosa ta publikoj rastin tim. Së pari në “Twitter”, me shpresën se kontaktet e mia jashtë vendit mund ta kuptojnë problemin tonë. Dhe së dyti, në “Facebook” që të fillojmë ta mendojmë se si mund ta zgjidhim këtë problem.

Unë nuk e kisha shfajësuar BE-në si fajtore primare të izolimit të Kosovës. Evropa ka racizëm-latent dhe të institucionalizuar, i cili po forcohet nga presioni i elektorateve gjithmonë e më shumë kundërshtuese ndaj imigracionit dhe me fobi të veçantë ndaj myslimanëve. Kanë qitur kushte të paarsyetueshme në rastin tonë nëse shikohet në aspekt krahasues. Nuk është Kosova kurrë më e korruptuar se shumë prej vendeve që kanë liberalizim vizash. Demarkacioni si problem teknik është kusht krejt i kotë që u shfaq në moment të caktuar për motive gjeopolitike.

Por, ja që tash këto janë kushtet dhe ne nuk jemi në pozitë t’i caktojmë ato, por duhemi t’i përshtatim. Sa i përket Demarkacionit, harrojeni qe BE-ja tërhiqet prej këtij kushti tash pas gjithë kësaj rrëmuje, jo pse puna e kufirit me Malin e Zi paska kaq shumë rëndësi, por sepse ajo nuk do të lejojë krijimin e precedentëve ku kushtëzimet e saj merren si "relative" dhe të kundërshtueshme.

Kjo punë do të kishte qenë vërtet problematike nëse kushtet e mbetura do të ishin të dëmshme apo nëse prej nesh do të kërkohej ndonjë kompromis i papranueshëm. Në këtë drejtim, edhe pas kaq shumë muajsh leximi për këtë punë, asnjëherë nuk arrita të bindem se demarkacioni është bërë gabim dhe se ne kemi falur tokë. I vetmi gabim i Qeverisë këtu ka qenë paaftësia totale, që buron nga arroganca, për t’ua komunikuar qytetarëve me kohë se çka është ky proces dhe se si bëhet ai ligjërisht. Kjo paaftësi është shfrytëzuar nga opozita që është shumë më e aftë sa i përket komunikimit.

Çelësi i liberalizimit pa dyshim për vite të tëra ka qenë në duart e pushtetit, i cili ka qenë i paaftë t’i përmbushë kushtet teknike dhe ta adresojë problemin e korrupsionit. Kosova realisht ka mundur ta fitojë liberalizimin para tre-katër vjetësh po të mos kishim institucione kusarësh. Sot kushti i luftimit të korrupsionit mbetet aty, por është i artikuluar shumë gjerë dhe është abstrakt. Këshilli i BE-së ka fleksibilitet për të vendosur nëse kemi arritur sukses (shenjat janë se në këtë pikë mund të marrim notë kaluese për shkak të aktakuzave të vitit të fundit).

Por kushti i demarkacionit është shumë specifik dhe aspak fleksibil. Demarkacioni ose kalon, ose jo në Kuvend. Prandaj, ironikisht çelësi i liberalizimit sot është në duart e opozitës dhe nënkupton ndalimin e manipulimit me këtë temë për motive të garës për pushtet. Fatkeqësisht, shenjat janë se mund të ketë përpjekje të ngjashme të bllokimit si vitin e kaluar. Aman njerëz, këtu pa dyshim na duhen edhe masat radikale për ta shkundur sistemin, por jo për këtë kauze të paqenë!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK