Zërat
Lavdrim Lita
Lavdrim
Lita

Europa me dy shpejtësi – si biçikleta me dy timona

Zërat February 10, 2017 - 13:13

Ideja për një Europë me dy shpejtësi të propozuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel është zbërthimi i idesë federaliste për një BE që ka institucione të pavarura për vendet që kanë si monedhë të përbashkët euro-n.

Sot për sot nuk ekziston një BE më dy shpejtësi, por një Europë me shpejtësi të ndryshme, ku jo të gjitha vendet janë të përfshira totalisht në nismat europiane: ekziston zona euro, por ekziston edhe zona Shengen, e përbërë nga vende të ndryshme dhe nisma të tjera, ku janë të përfshira edhe më shumë vende.

Në pamje të parë BE më dy shpejtësi mund të jetë një ide e mirë, ku 6 vendet themeluese të BE (Gjermani, Francë, Itali, Hollandë, Luksenburg, Belgjikë) fillojnë një bashkëpunim të përforcuar dhe të tjerët do ti ndjekin nga pas me hapa të shpejtë.

Megjithatë mund të jetë një problem jo i vogël duke pasur parasysh se bashkëpunimi i përforcuar përfshin aktualisht 19 vende për zonën euro, por për zonën Shengen përfshin 26 vende ku bën pjesë edhe Shqipëria e paantarësuar, ndërsa Karta e të Drejtave themelore të Njeriut është nënshkruar nga 26 vende. Fillimi nga e para do të ishte shkurajues për antarët aktualë të BE dhe për aspirantët me status kandidat në prag të derës. Ndryshimi i rregullave në mes të lojës do të ishte si guri i sizifit që rrokullihet sa herë i afrohet majës.  

Është e vërtetë që kemi një bashkim me vende të ndryshme të angazhuara në objektiva kontradiktore, një bashkim me një bërthamë të integruar, por me një periferi të paangazhuar, një bashkim i dominuar nga një balancë e pashëndetshme e pushtetit apo në të vërtetë e çdo lloj kryesie.  Të gjitha këto çojnë në paqëndrueshmëri dhe nuk do të funksionojnë në terma afat gjatë, sepse ata do të vënë në pikëpyetje një parim themelore, madje do të thoja një parim të shenjtë, parimin e drejtësisë, parimin e respektimit të barazisë, parimin e respektimit të sundimit të ligjit.

Mirëpo do të ishte absurde nëse thelbi i projektit tonë  – bashkimi ekonomik dhe monetar, të bëra realitet në eurozonën është thelbi i projektit- të trajtohej si një lloj opsioni fundor për t’u zgjedhur  nga Bashkimi Evropian.

Jean Monnet, ndërtimtari i Europës së Bashkuar, në një nga intervistat e fundit të jetës u shpreh se “nëse do të ribëja gjithcka, do të filloja nga kultura”. Është e nevojshme një narracion i ri i Europës, që nga njera anë të vlerësojë pluralizmin kulturor brenda saj dhe nga ana tjetër të zbulohej rrethana e nevojshme për  bashkuar Europën në prag të sfidave të mëdha. 

Ballkani Perendimor si biçikleta me dy timonë

Jetojmë në një kohë kur referendumi Britanik, kriza ekonomike greke, vala e emigrantëve nga Afrika e Veriut së bashku me rritjen e fundamentalizmit nën ombrellën e “Shtetit Islamik” në Lindjen e Mesme janë tre pikat e çdo agjende me të cilën merren çdo ditë institucionet e BE-së dhe kancelaritë evropiane.

Zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian drejt vendeve të Ballkanit perendimor është kthyer në një temë tabu dhe për vitet e ardhshme zyrtarisht nuk do të ketë asnjë anëtarësim të ri. 25 milionët banorët e shteteve të Ballkanit që kanë një perspektivë të qartë evropiane po e vuajnë dyfish lodhjen e BE-së. Kjo për shkak të përtacisë së qeverive të rajonit për të bërë reformat e duhura dhe për të bashkëpunuar me opozitat e vendeve të tyre
Përfundime

Si do që të jetë, BE me dy shpejtësi, do të përkthej në një sinjal të gabuar për elitat qeverisëse në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Beograd dhe Podgoricë, që treni ekspres i Europës do të vonohet jo 5 minuta, por pesë vite ose 5 dekada. Për të dalë nga kriza BE dhe vendet aspirante duhet të ndryshojnë rrethanat e krizës sepse duke bërë të njëjtat gjëra, smund të presim rezultate të ndryshme. #ZëriIntegrimit.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK