Zërat
Ramadan Zejnullahu
Ramadan
Zejnullahu

Nëntë vjet shtet: një rezyme e mëkateve fillestare

Zërat February 10, 2017 - 12:22

Nëntë vjet nuk është kohë e gjatë për historinë, por historia e përpjekjeve për shtetin e Kosovës fillon shumë më herët se këto nëntë vjet. Prandaj, në shënime përvjetorësh të rëndësishëm vjen momenti që për këto vite të reflektojmë çfarë kemi bërë, si e kemi bërë dhe çfarë nuk kemi bërë dhe është dashur ta bëjmë. Dhe krahas të arriturave kemi pasur edhe dështime jo të pakta, të cilat do të kishim dashur të mos i kishim, por ja që kanë ndodhur. Si rezultat i gjithë këtyre lëshimeve, Republika e Kosovës sot nuk ndodhet aty ku do të dëshironim të ishte - një shtet më i përparuar që gëzon respekt në vend dhe në botë. 

Përvjetorët nuk janë vetëm momente për të festuar dhe për t'i dekoruar të merituarit, shpesh edhe përgjegjësit për dështime e skandale, por para së gjithash për të vlerësuar rrugëtimin e deritashëm të zhvillimit dhe, në përputhje me shqetësimet e qytetarëve, të kërkohen ndryshime të cilat do të bëhen pjesë e kulturës sonë politike. Janë këto ndryshimet me të cilat sistemi do të duhej të kontrollonte veten dhe politikëbërjen, për të mos lejuar që të shndërrohet në gardian të arrogancës dhe abuzimit, të vendimmarrjes së keqe dhe skandaleve të shumta të pushtetit. Nga ne do të duhej të ndodhnin ndryshimet, me të cilat do të kishim transformuar pronën në përputhje me interesat e zhvillimit të vendit dhe jo të lejonim që ajo të bëhej plaçkë në marrëveshjet e strukturave kriminale (edhe në përmasa ndërkombëtare), duke përfshirë këtu edhe zyrtarët e shtetit.  

Ndryshimet duhet të ndodhin në interes të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit mbi bazën e dijeve dhe jo mashtrimit, abuzimit, ryshfetit, hajnisë, kontrabandës dhe trafikimit. Kështu, Kosova një ditë do të bëhej Shoqëri e Dijes, pra vend ku dija krijohet dhe vlerësohet, vend ku dija vendoset në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.  

A ishte rruga nëpër të cilën kaluam aveny e ndërtimit të shtetit ligjor, drejtësisë dhe zhvillimit, apo e marrëveshjes së klaneve të njerëzve të fuqishëm e keqbërës që e morën peng shtetin, duke mos e peshuar se në ç’masë po e bëjnë të parealizueshme idenë për një shoqëri të përparuar me synim integrimin e saj në botë? Nëse qysh në fillim do të ishim përkushtuar të ndërtonim një shtet ligjor, deri më tash do të bënim pastrimin e mëkateve tona, kuptohet nëpërmjet gjyqësorit të shtetit dhe jo mashtrimit me të drejtën kanunore. Nëse në fillim do të kishim guxim të denonconim krimin e instaluar në shtet, i cili hapur ishte stabilizuar në vendimmarrje dhe rrezikonte kuptimin e lirisë dhe çdo nisme tjetër pozitive, sot nuk do të ishim këtu ku jemi, kaq të ngarkuar dhe me tensione dhe kaq të pasigurt për të ardhmen. Nuk do të kishim polemika me patos patriotik e bosh për kauza të rreme dhe nuk do të kishim as akuza, mosbesim, pabesi e trazira. Nëse në fillim do të kishim guxim t’i procedonim dosjet e jo t’i zhdukim ato nga dhoma e dëshmive, do të kishim rehabilituar me dinjitet besimin e lëkundur në institucione, do të kishim sot një lidership të pastër në qeverisje, të fuqishëm e dinjitoz në përfaqësimin e shtetit dhe të përgjegjshëm në vendimmarrje. Duke ndodhur e kundërta, pra duke qenë të kushtëzuar nga drejtësia, ata ishin dhe mbeten jotransparentë në ushtrimin e autorizimeve shtetërore, duke përfshirë këtu edhe bisedimet me Serbinë, në të cilat falë interpretimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë hymë si shtet e po dalim gjithnjë e më pak si i tillë.   

Çdo ditë e më shumë jemi dëshmitarë se përditshmëria na është mbushur me deklarata pompoze dhe shpikje temash të reja për nesër, në mënyrë që të harrohen skandalet dhe problemet e sotme. I gjithë progresi po zhvillohet mbi bazën e mëkateve fillestare (të pasqaruara), duke e bërë kështu të barabartë turpin dhe dhembjen.  

Kur flasim për mëkate e mëkatarë, ata në masë të madhe i gjejmë brenda klasës politike e cila në pushtet nuk erdhi nëpër rrugën e shtruar me votën e merituar për çlirimin e vendit, çka nuk ishte qëllimi i vetëm i tyre, por disa nga ata edhe nëpër rrugicat e lara me gjakun e mizorive dhe mizevirllëqeve që i shkaktuan popullit të vet, për të arritur këtu ku janë - në piramidën e shtetit si qeverisje me atdheun. Ata nuk janë këtu dhe nuk pritet të jenë këtu si dalzotës të atdheut, por për te zhvatur atë, siç bënë që nga fillimi i luftës çlirimtare e deri në ditët e sotme. Kohëve të fundit ata po bëjnë përpjekje titanike të qëndrojnë aty me çdo kusht, për të shpëtuar nga llogaridhënia për të këqijat që ia shkaktuan të sotmes dhe të ardhmes. Për këtë, ata me kohë kanë stabilizuar struktura kriminale në maja të vendimmarrjes në institucione, prandaj edhe ndihen komodë. Shpresojmë që kjo të jetë e përkohshme.

Nëse duam institucione të përgjegjshme, politika duhet bërë pakt shoqëror për zbatimin rigoroz të ligjeve dhe dokumenteve strategjike dhe jo kompromise me grupe joformale të krijuara nga shërbimet e fshehta, te cilat, sot, në të gjitha poret e jetës kanë ndërtuar një shtet paralel i cili po e sfidon ashpër shtetin formal ligjor. 

Kështu ata nuk po qeverisin, por po sundojnë brutalisht, për këtë nuk ka nevojë për dëshmi të reja. Por, a janë ata të vetëdijshëm për këtë apo kanë nevojë t’ua rikujtojnë që edhe kjo do të përfundojë një ditë? Ndryshimet do të vijnë. E ne, e dimë, e besojmë dhe e ndiejmë këtë.

Qytetarët me të drejtë pyesin - ku janë sot intelektualët? Ata sot i gjejmë të rreshtuar pas të keqes sikur zerot pas numrit. Duke mos e peshuar se me këtë veprim ata shumëfishojnë atë, derisa vlera e tyre mbetet vetëm zero e pozicionit. Ndryshe, ata sot i gjejmë në luginat e parajsës së mjegullt, duke vrapuar pas mbeturinave që klasa politike kriminale po i servon për t’ua mbyllur gojën, për t’ua humbur kthjelltësinë e mendjes dhe për t’ua zbutur mprehtësinë e pendës. 

Është koha e fundit që Qeveria t’i hapë dritaret e të vrojtojë paanshëm dhe të kuptojë se në shumë fusha gjërat po shkojnë aq mbrapsht sa qytetarët nuk kanë më fuqi të durojnë agoninë që e ka pllakosur qeverisjen. Në të kundërtën, po rrezikohet që pritjet për ditë më të mira të shndërrohen në ditë dëshpërimi.

Kur vendoset për të ardhmen e vendit, nuk anashkalohet qytetari. Duhet shmangur praktikat e deritanishme që marrëveshjet për çështje madhore të bëhen në takime të fshehta (dhe për qëllime të fshehta) “në terr” ku, mblidhen dy apo tre koka duke siguruar demokracinë e numrave me të cilët pastaj lehtësisht do të manipulohet vullneti i pothuajse dy milionë shqiptarëve. Kështu vendimmarrja është shndërruar në ndarje plaçke, gjysma për mua e gjysma për ty, kurse drejtësia nuk garanton as drejtësi e as ndershmëri.

Asnjëherë nuk duhet të mendojmë se vetëm marrja e vendimeve me shumicë votash është shprehje e demokracisë se plotë. Respektimi i ligjshmërisë është parakusht për çdo vendimmarrje cilësore dhe të qëndrueshme. Vetëm në këtë mënyre i bëhet ballë klientelizmit, grupeve dhe klaneve që janë krijuar e po mbijetojnë duke i paraqitur interesat e ngushta si të përgjithshme dhe duke mbështetur njëri-tjetrin në dëm të respektimit të parimeve ligjore. Jemi turpëruar shumë. Çfarë mund të jetë faqja tjetër e turpit?

(Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK