Zërat
Tinka Kurti
Tinka
Kurti

Çka citon pushteti nuk është lajmi as kritika

Zërat February 08, 2017 - 13:18

Nëse gruaja shihet si shoqëruese e mbështetëse e burrit, qoftë ai udhëheqës politik, kjo nuk do ta ndihmojë kauzën barazimtare gjinore.

Madje sa herë theksohet ky rol, vjen prej logjikës e cila i ka rrënjët tek bindja se gruaja nuk është subjekt autonom e as e pavarur. Kulmi i saj në politikë shihet si "first lady", që nuk është aktivitet më vete, por shtesë e dekor për sukseset e të shoqit.

Kritika se pse Albin Kurti qëndron ndonjëherë në Norvegji, në vendlindjen e bashkëshortes së tij, e ka zanafillën tek praktika edhe e sotshme që gruaja e ndjek pas burrin. Kudo që ai ka nevojë.

Ajo, pas martesës duhet të jetojë me përkushtim dhe kohë të plotë në universin e të shoqit. Nëse burri, e bën të njëjtën në vetëm ndonjë interval kohor, atëherë shoqëria jonë thellësisht dhe sipërfaqësisht patriarkale do të akuzojnë për zhburrërim.

Për frikë e dorëzim. Edhe fëmijët, gruaja i lind për burrin dhe burrit i takojnë. Burri është i vetmi që i projekton planet e tij. Gruaja përshtatet. Ndihmon. Projektimi i saj duhet të jetë aty anash burrit. Sipas optikës së këtyre njerëzve, ajo kurrë nuk është qendra.

Që diskriminimin e ka praktikë e qëllim, pushteti e ka dëshmuar disa herë e vazhdimisht. Prej kësaj logjike herë konservatore e herë mendje ngushtë, gruaja edhe nëse ka punë e diplomë universitare, këto janë thjesht mjete për ta bërë atë shoqëruese të denjë. Jo subjekt. Këtë besim e kanë botuesit e lajmit për vizitën e Albin Kurtit në Norvegji. Të njëjtën linjë e kanë edhe ata që iu referuan këtij “lajmi”. Cituesit sigurisht që janë nga koalicioni i qeverisë së dështuar: Ismet Beqiri e Kadri Veseli. Prej lajmit të panevojshëm e një panoramës së përditshmërisë njerëzore ata u munduan të nxjerrin inkriminime shtetërore.

Në një vend në të cilin fëmijët e qeveritarëve rriten me para të vjedhura të shtetit e pasurohen me tenderë mekanikësh, çudia nuk ka mbijetesë. Ismet Beqiri jo vetëm që i mbyll sytë para tenderëve që shefi i tij i dobët ia jep fëmijëve të tij problematikë, por vetë ka bërë keqpërdorime të mëdha.

Një tip si Beqiri, që e shfrytëzon pozitën e kryetarit të Prishtinës për t’i ndarë vetës banesën e vlerës së mbi 100 mijë eurove, për vetëm 10 mijë euro, sigurisht që do të gjejë ankesa për një aktivist si Albin Kurti i cili e ka shitur banesën e tij për aktivitetet e organizatës ku vepron.

Kush shkel mbi të pastrehët për të ndërtuar mbretërinë e tij, natyrisht që nuk do ta kuptojë dikë si Albin Kurti që jeton me qira për hir se pronën e tij ka vendosur ta dhurojë përkundër praktikës së partive që ngulmojnë në grabitje. Një tip si Ismet Beqiri edhe kur pajtohet me sakrificën, ai e mendon në kurriz të të tjerëve. Nuk mund ta zgjedhojë këtë fjalë si folje sepse ngec në vetën e parë.

Kurse, Kadri Veseli është i specializuar të sillet rreth të pavërtetës. Ai po sillet sikur muri në Mitrovicë u rrënua me ndonjë trimëri të treguar prej tij.

Sikur muri nuk u rrëzua me marrëveshje. Sikur deklarimet dhe e tërë gama spektakolare nuk ishte e udhëzuar, autorizuar, e koordinuar prej ‘më lartë’. Në moshën e tij është e pritshme të dihet se guximi nuk është diçka që delegohet as nuk është punë lejimi.

Ndaj, aktrimi i tij sikur guximi i Albin Kurtit nuk është filmuar ndonjëherë e i ka mbetur Veselit ta testojë është atë, është  kulmi i pandershmërisë në luftimin e kundërshtarit.

Ai mendon se mund të na bindë që Mitrovica është e lëvizshme e mund ta zhvendosë atë sa në Beograd, sa në Bruksel. Por edhe më keq se kaq, ai sillet sikur nuk është fare nga Mitrovica. Sikur nuk ka gisht në ndarjen e këtij qyteti.

Sikur askush nuk e ka parë videon që bashkë me Hashim Thaçin e ndërprejnë protestën që kërkon bashkim të qytetit me një premtim të rremë që kurrë nuk është realizuar.

Fajësmi i të tjerëve për fajet kryekëput të tyre, nuk është vetëm mekanizëm mbrojtës dhe as element i kulluar i ndonjë skizofrenie.

Është bindje naive që dikush mund ta besojë se këta nuk janë fajtorët për izolim të Kosovës, shkatërrim të ekonomisë, e të arsimit.

Ama, nervozizmi i këtij pushtetit ka dëshmuar se shfaqet në disa momente. Kur i ka punët keq. Fort keq. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK