Zërat
Anita Kadriu
Anita
Kadriu

Hasan Prishtina thërret ta çlirojmë

Zërat February 08, 2017 - 13:02

Sapo zbardh dita përpara bustit të Hasan Prishtinës, në rrugën “Nënë Tereza”, mijëra njerëz gjatë ditës kalojnë veshur allafrënga.

Dikush ka vënë dhe një tezgë atypari ku po shet gjësende të ndryshme me motive kombëtare, si: flamuj kombëtarë apo shkrepëse, varëse çelësash, shall të kuq me shqiponjë..., e atij që është simbol i dijes dhe i përhapjes së saj, por që tashmë nuk dëgjon e as nuk sheh sikur kur ishte gjallë, i krijohet përshtypja se vendi i tij po frymon shqip i inkuadruar në botën perëndimore, se ëndrra i qenka realizuar, por mbrapa shpinës së tij-statujë po bëhen pazare për të rrënuar ëndrrën e tij, ëndrrën e brezave të rinj. 

100 vjet më parë diplomati dhe ideologu shqiptar Hasan Prishtina, shqiptari i pasur që shkriu pasurinë e tij, si dhe mblodhi të holla për të çuar në Shkollën Normale të Elbasanit djemtë shqiptarë nga Kosova, nuk do ta kishte imagjinuar assesi se Universiteti që mban emrin e tij, Universiteti i Prishtinës (UP), nga një institucion i dijes do të shndërrohej në një çerdhe të njerëzve, të cilët po “luftojnë” kundër dijes.

Megjithëkëtë, edhe statuja e kupton që diçka nuk po shkon aty. Është e vetmja statujë që njerëzit nuk mund t’i afrohen kur të duan, ta vështrojnë apo të fotografohen pranë tij. Ai është futur brenda një rrethoje.

Monologu i Hasan Prishtinës

Po mirë Skënderbeu qenka mbi kalë e paska shpatë, e preu rrethojën që ia vendosën njerëzit e shekullit të ri. Por as Ibrahim Rugova, paqësori, nuk qenka futur brenda rrethoje! Fehmi Agani pak më tutje nuk paska rrethojë?! Po dhe bashkëveprimtari im Ismail Qemali qenka i lirë, e pranë tij njerëzit ulen e kuvendojnë! 

Po, unë? Unë, pse brenda “burgut”?. Pse ky njeri në hyrje të rrethojës nuk lë të rinjtë të hyjnë në objektin prapa meje? Këta djem e vajza kanë në duar libra e letra, nuk po u shoh armë. Unë shkoja fshat më fshat, shita pasurinë vetëm të shihja të rinjtë tek vinin e shkonin në shkollë. Pse këta nuk i duan të rinjtë? Çfarë janë vallë njerëzit e mi të shekullit të ri? Unë për të gjallë u pata thënë: “Njeriu pa kombin është asgjë, e kombi pa brezat e ardhshëm shuhet”.

Nuk janë turq nuk u shoh kësulë në kokë..., as grekë jo, as serbë nuk më duken se i dëgjoj kah ndërrojnë fjalë shqip. Një ditë veshi më kapi teksa shanin gazetarë e gazeta. Shqip i thoshin asaj gazete, tingëllonte ëmbël dhe domethënës - “Zëri” e quanin e donin ta përdhosin, paska shkruar se: po zgjedhin profesorë jomeritorë të dalin para studentëve, nuk na qenkan ata mësonjës po baritorë, po vjedhkan punime profesorët nga studentët, po i përvetësuakan si të tyret nga të tjerët, disa madje po marrkan diploma pa ditur shkrim-lexim...

Një ditë studentët m’i mbyllën sytë, më thanë mos shiko o Hasan se këtu është vendi i turpit. Po unë pse e kam vendin këtu pra? E thërras atë bashkëfshatarin tim, atë nga Drenica që ia vuri emrin këtij vendi, emrin tim, eja më çliro! Nuk më bëre nder o bir që më solle këtu dhe ia vure emrin tim, se këtu veç vend i dijes nuk qenka.

Stop injorancës, të kthehemi në identitet!

Para pesëqind vjetësh shqiptarët ishin pjesë e udhëheqjes së universiteteve me renome evropiane dhe themelues akademish që ua kishin lakmi edhe qendrat e tjera kulturore. Kishim doktorë shkence në Romë para 500 vjetësh, themeluesi i Katedrës në Padova ishte shqiptar...   

Akademi, bibliotekë e shtypshkronjë kishte që më 1720-n në trojet shqiptare, në Voskopojë. Pedagogët ishin personalitete të shquara në fushën e shkencës, arsimit e kulturës. Rektori i parë i Akademisë, burimet historike dëshmojnë se është emëruar Sevast Leontiadhi nga Kosturi, i laureuar nga Universiteti i Padovës (Itali). Shumica e pedagogëve ishin edhe autorë të teksteve mësimore të Akademisë.

Ndërsa sot në UP japin mësim profesorë me plagjiaturë. U shkarkua një rektor për punim në revistë joekzistuese. Profesorët nuk dinë drejtshkrim, por u japin mësim studentëve!

Në vitin 1497 Nikollë Leonik Tomeu, siç quhej ndryshe dhe Epiroti, emërohet profesor dhe udhëheqës i Katedrës së Filozofisë në Universitetin e Padovës, ku të dhënat historike tregojnë se pati si student edhe Nikolla Kopernikun, një ndër astronomët më të mëdhenj të Mesjetës.

Tomeu ishte drejtues i shoqërisë “Shkolla e shqiptarëve”, qendër e kulturës shqiptare në mërgim, ku kishte emigruar edhe vetë me familje.  

Pjetër Bogdani në vitin 1658 kreu studimet e larta të teologjisë dhe të filozofisë në Romë dhe mori titullin “Doktor”. Autori i “Çetës së profetëve” si ipeshkëv dhe si kombëtar merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke, grumbullon 6.000 shqiptarë dhe niset në Prizren për t’iu bashkuar forcave austriake... Ata luftuan për dije dhe vend. Krijuan shkencë, shkolla, bënë emër në histori e nuk keqpërdorën emra.

Më duhet të pranoj se shpeshherë nuk mund t’ia shkruaj emrin Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Apeloj që të nënshkruhet një peticion për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga UP-ja derisa ky institucion të kthehet në misionin e vet - të japë dije dhe të ofrojë shkencë. Nuk mund të fshihen ata që janë kundër dijes e shtetit pas emrit Hasan Prishtina. Ata që femrat për pozita të mësimdhënëses në këtë Universitet me master e doktoratë jashtë vendit i largojnë nga procesi me arsyetimin “për mossjellje etike” vetëm pse qenkan femra e nuk kanë gjetur ndonjë mënyrë tjetër për t’i eliminuar nga UP-ja sepse ato i plotësojnë kriteret me ligj për të dhënë mësim.  

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK