Ndikimi i Turqisë në Ballkan
Organizata kërkimore për çështje politike, ekonomike dhe sociologjike SETA, në të cilën veprojnë intelektualët më të njohur turq dhe ekspertë nga fusha të ndryshme sociale, publikuan një raport mbi investimet e Turqisë dhe bashkëpunimin e saj ekonomik me vendet e Ballkanit, në kontekstin e një krahasimi me Gjermaninë - si lokomotivë e BE-së, dhe e Turqisë - si një vend me një trashëgimi të përbashkët historike me vendet e Evropës Juglindore.
Ballkani, përveç Kaukazit, Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore përbën rajonin kryesor botëror, ku direkt përplasen interesat ekonomike gjermane dhe turke, dhe me këtë edhe ato politike, citon raportin “Geopolitika.news”, raporton “zeri.info”.
SETA në raportin e saj përshkruan gjendjen në (sipas rendit alfabetik) Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Malin e Zi, Greqi, Kosovë, Kroaci, Maqedoni, Rumani dhe Serbi, dhe është e dukshme se në listë nuk përfshihet Sllovenia për të cilën autorët e dokumentit nuk shohin një të ardhme të saj në marrëdhëniet bilaterale me Turqinë në periudhën e afërt.
Autorët e tekstit e pranojnë se në periudhën e përmendur nuk ka pasur rritje të pritshme në lidhje me ndikimin ekonomik të Turqisë në rajon, pavarësisht nga përpjekjet e Ankarasë, të udhëhequr nga kreu aktual i shtetit, dhe aleancat turko-ballkanase që ende kanë një "natyrë emocionale". Partneri kryesor në rajon është bërë Bashkimi Evropian, ndërsa vendet kryesore në të cilat Turqia ka arritur t’i zbatojë me sukses projektet e saj ekonomike dhe politike janë vetëm Shqipëria dhe Kosova.
Shqipëria
Kur përmendet Shqipëria, e cila bashkë me Kosovën përbëjnë partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Turqisë në rajon, është e rëndësishme të theksohet se këtu më së miri pasqyrohet e gjithë plotësia e rëndësisë së faktorëve fetarë dhe kulturorë në marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Turqinë.
Një vend me shumicë absolute myslimane (duke përfshirë Kosovën, të vetmet në Ballkan, nëse lëmë mënjanë Bosnjën dhe Hercegovinën si njësi shtetërore multietnike dhe multikonfesionale), tani janë operacionale këto kompani dhe organizata turke: ENKA, “Gintaş”, “Armada”, “Metal Yapı”, “Aldemir”, “Servomatik”, “Çalık Holding/Türk Telekom”, “Makro-Tel/Hes Kablo”, “Albanian Airlines (Evsen Group)”, “Gülistan Foundation”, “Istanbul Foundation”, “Epoka University”.
Reformat liberale të ndërmarra në Shqipëri, si dhe fakti se ajo është anëtare e NATO-s dhe Bankës Botërore dhe në vazhdim e sipër janë negociatat e saj për anëtarësim në BE, kanë vendosur Shqipërinë në një lloj qendre rajonale "të tërheqjes" së investimeve të huaja direkte që arrijnë në 750 milionë euro në vit (në Evropën Juglindore në këtë parametër zë vendin e tretë, pas Serbisë dhe Kroacisë), duke bërë që ekonomia shqiptare të rritet në më shumë se 6% në baza vjetore.
Sipas të dhënave për vitin 2014, partnerët më të mëdhenj të tregtisë së jashtme shqiptare ishin këto shtete: Italia, Serbia, Spanja, Malta dhe Turqia, ndërsa Gjermania në vendin e tetë.
Ky është rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë në vitin 2006, sipas së cilës mallrat turke janë të vendosura në të njëjtën pozitë me ato të BE-së, kurse rreth 80% e tyre janë liruar nga dogana shqiptare (në të njëjtin vit, Shqipëria nënshkroi pëlqimin për Stabilizim dhe Asociim me BE-në). Sipas raportit të SETA-s, Turqia në vitin 2015 ka eksportuar mallra në Shqipëri në vlerë prej 287 milionë euro, ndërsa Gjermania ka eksportuar mallra në vlerë 223 milionë euro, transmeton "Zeri.info".
Ndërsa si investitorë në Shqipëri gjermanët zënë vendin e gjashtë, por pjesa më e madhe e tyre është e përqendruar në investime në infrastrukturën e transportit (p.sh. në aeroportin e Tiranës) dhe Telekomunikacionit (Telecom Albania). Totali i ndihmë direkte gjermane në Shqipëri (duke përfshirë dhe në mënyrë indirekte nëpërmjet Bankës Botërore) është rreth 1 miliard $. Analistët e SETA-s konsiderojnë se Turqia në Shqipëri mund të konkurrojë me Gjermaninë dhe në segmentin e produkteve të teknologjisë së lartë.
Kosova
Gjermania ishte një nga vendet e para që në vitin 2008 ka njohur shtetin e Kosovës dhe ka pranuar refugjatë kosovarë gjatë luftës së vitit 1998-99. Analistët turq thonë se Gjermania kishte një pjesëmarrje të konsiderueshme në rindërtimin e Kosovës, qoftë përmes fondeve të caktuara ose përmes biznesit të paligjshëm.
Shuma e ndihmës së drejtpërdrejtë financiare për Kosovën që nga viti 1998 vlerësohet të jetë rreth një miliard euro. Gjatë vitit 2015, vetëm nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim janë ndarë 30 milionë euro, duke bërë që Gjermania të renditet e dyta pas Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, pas anglishtes, gjermanishtja është gjuha më e rëndësishme e huaj që përdoret në Kosovë.
Analistët e SETA-s ekonominë e Kosovës e konsiderojnë si "dhuratë" - me prodhim minimal Kosova jeton nga ndihmat ndërkombëtare, duke përfshirë transferimet shtesë të parave nga diaspora kosovare në Gjermani dhe Zvicër. Nga GDP-ja totale e shtetit, 1/3 e saj mbështetet nga ndihmat e huaja dhe 10-15% në dërgesat e parave nga diaspora.
Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Kosovës, nga janari deri në nëntor të vitit 2015, në vend kanë hyrë 316 milionë euro investime të huaja direkte, nga të cilat 22% kanë ardhur nga Zvicra, 17% nga Turqia, 11% nga Britania e Madhe dhe Shqipëria, dhe 9 % nga Gjermania.
Në vitin 2013, Turqia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje të tregtisë së lirë. Gjatë vitit 2015, investimet turke në Kosovë arritën në 70 milionë euro, nga të cilat 40 milionë euro kanë të bëjnë me ndërtimin e projektit dhe operimin e aeroportit në Prishtinë dhe pjesën tjetër në sferën e energjisë.
Ky projekt e pozicionon Turqinë mjaft lart në kategoritë ndërkombëtare. Vlera e tij në total është rreth 140 milionë euro dhe implementohet nga një konsorcium i kompanisë turke “Limak” dhe “Aeroports de Lyon” (Francë). Konsorciumi “Limak-Calik” ka realizuar një projekt në lidhje me transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, kurse konsorciumi turk “Enka” dhe “Bechtel”-i amerikan investuan 700 milionë euro për ndërtimin e autostradës që do të lidhë Kosovën me Detin Adriatik. Në këtë mënyrë, Turqia në mënyrë indirekte do të ketë mundësinë e daljes në Detin Adriatik, sepse ndikimi i saj politik dhe ekonomik në Kosovë vazhdon të rritet, dhe tani tejkalon atë të Gjermanisë dhe çdo anëtari tjetër të BE-së.
Sipas të dhënave nga zyra tregtare turke në Prishtinë, në Kosovë operojnë 41 kompani investuese turke. Ato deri në fund të vitit 2015 kanë investuar 346 milionë euro dhe kanë krijuar rreth 6000 vende pune për njerëzit lokalë.
Në përgjithësi, në Kosovë operojnë 4.908 kompani të huaja, prej të cilave në pronësi turke janë 568 sish. Kompani me kapital të pastër turk janë gjithsej 325.
Në Kosovë janë aktive dhe tri banka turke: “Turk Ekonomi Bankasi” (TEB), “BKT” (Banka Kombëtare Tregtare – në pronësi të “Çalık”-ut) dhe “Türkiye İş Bankası”. Atje gjithashtu punojnë në mënyrë aktive disa kompani turke (të mëdha) të ndërtimit.
Në Turqi, përmes bursave studiojnë 120 studentë kosovarë dhe numri i përgjithshëm i studentëve nga ky vend është mbi një mijë.
Kosova me Shqipërinë përbëjnë të vetmet vende të Ballkanit ku eksportet turke dominojnë ato gjermane. Kosova nga analistët e SETA-s konsiderohet treg potencialisht fitimprurës për kompanitë turke, si dhe një platformë e favorshme për hyrjen e tyre në tregun e BE-së.
Është e rëndësishme të theksohet se kontaktet politike midis Turqisë dhe Kosovës janë shumë intensive dhe pozitive sipas Ankarasë. Kur në fund të vitit të kaluar, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bëri një vizitë zyrtare në Turqi, tha se ishte "Vizita e tij më e rëndësishme në vitin 2016" dhe po ashtu ai ka shprehur mbështetjen e tij të plotë ndaj Turqisë në luftën e saj me "organizatën terroriste të Fetullah Gulen-it" dhe në përgjithësi ndaj terrorizmit./Zëri. (Analizë e SETA-s rreth ndikimit të Turqisë në Ballkan)
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK