Zërat
Ilir Yzeiri
Ilir
Yzeiri

Përse Franca nuk ka faj!

Zërat January 10, 2017 - 12:41

Ne jemi komb folklorik dhe nuk jemi konstituuar si shtet konvencional. Ajo që po ndodh me Ramush Haradinajn, mund të shihet në shumë anë, por askush ndër shqiptarët nuk e sheh anën më të thjeshtë të kësaj ngjarjeje.

Franca dhe Serbia kanë një marrëveshje të dyanshme që të ndalojnë në vendet respektive ata persona që kanë një vendim-ndalimi në vendet e tyre. Nëse në Serbi ndodhet një person për të cilin Franca ka lëshuar urdhër-arrest, ajo është e detyruar ta ndalojë. Në klimën e sotme të mbushur me ngjarje terroriste, një marrëveshje e tillë ka një rëndësi të posaçme.

Mirëpo, në çarkun e kësaj marrëveshjeje ra dhe Ramush Haradinaj. Në këtë rast u përplasën dy botë, bota konvencionale që e njeh shtetin dhe anën formale ligjore dhe bota folklorike që e ka ngritur idenë e shtetit mbi vargje popullore, ku trimat i shkruajnë Evropës, i hakërrehen asaj me patetizëm qesharak apo me stil anakronik.

Kjo e fundit, bota shqiptare, pra Qeveria në Kosovë, në Tiranë dhe shqiptarët kudo që janë, duhet të binden se janë ende larg nga ndërtimi i shtetit funksional dhe konvencional. Nëse Serbia mban ende në fuqi dhjetëra urdhër-arreste për luftëtarët shqiptarë, ajo e bën këtë sepse shfrytëzon një të drejtë të vjetruar të integritetit territorial dhe luftëtarët shqiptarë i quan terroristë që iu janë kundërvënë institucioneve të shtetit serb.

Sipas kësaj të drejte Serbia nuk njeh procesin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe nuk e pranon Kosovën si shtet. Ndërkaq, Kosova qysh ditën që është krijuar si shtet më vete nuk ka menduar asnjë sekondë që të ndërtojë shtetin konvencional, me ligje, marrëveshje ndërkombëtare, por ka ndërtuar shtetin folklorik me sharje, vjedhje e korrupsion. Ndërkohë edhe Shqipëria nuk ka ditur dhe nuk di që të orientojë vëllezërit e saj për të ndërtuar një shtet formal. Ndër shqiptarë ka shpërthyer gara se cili do të shfaqet më garip, cili do të kujtohet si Skënderbeu apo Ismail Qemali, ndërsa ndërtimin e shtetit me ligje e konvencione e kanë lënë pas dore.

Kosova nuk diti ta shfrytëzojë mbështetjen e pamasë që i dha SHBA-ja dhe Evropa për të fituar pavarësinë. Është e paimagjinueshme që sot kriminelët, pra shteti serb që shkaktoi masakrën më të tmerrshme mbi ish-Jugosllavi e në Kosovë, veçanërisht të ketë kurajën që viktimën ta shpallë fajtor. Dhe jo vetëm ta shpallë fajtor, por të gjejë mekanizma ligjorë që ta realizojë këtë krim edhe në bashkëpunim me vendet që firmosën për ta bombarduar Serbinë. Kështu bëri edhe Franca. Firmosi për ta bombarduar Serbinë, por ka firmosur edhe një marrëveshje me Serbinë për ndalimin e të kërkuarve nga të dy shtetet. Nëse Serbia e ka shpallur në kërkim Ramush Haradinajn, ky nuk është faji i Francës, ky është turpi ynë i përbashkët që, megjithëse kemi mbështetjen më të madhe nga SHBA-ja dhe Evropa, nuk po dimë ta ndërtojmë shtetin konvencional. (mapo)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK