Zërat
Lis Bukuroca
Lis
Bukuroca

Të virgjër apo të zhvirgjëruar

Zërat January 10, 2017 - 12:31

Dje shkrova këtë status në facebook:

“E rrahin bijën për spital se seksi nga dashuria, para martesës, i paska humbur nderin krejt familjes. Thua se i dashuri i saj kishte fjetur me të gjithë! Dy muaj më vonë e martojnë me një njeri që nuk e dashuronte! Po a nuk humbet nderi, kur pa dashuri, detyrohet bija të bëjë seks tërë jetën në bashkëshortësi me një njeri që nuk e donte? Kafshatë që nuk kapërdihet është or vëlla injoranca kolosale!”

Një mik shtroi një pyetje përafërsisht kështu: “A do të martoje një vajzë të virgjër e pa dashuri, apo një me dashuri, por jo të virgjër.” Pyetja më bëhej edhe për fëmijët. Për ata nuk iu përgjigja, sepse për dashurinë e tyre, duhet të vendosin ata, e jo unë. Nuk është kompetencë e imja. Nëse unë duhet të intervenojë në martesën e tyre, domethënë si prind kam dështuar në vija të holla dhe të trasha. Domethënë kam prodhuar imbecilë, që nuk mund të zgjedhin as nusen apo burrin. Ata që janë në këtë derexhe psikologjike, ata nuk mund të zgjedhin as këpucët vet, por nëse janë në gjendje ta bëjnë, atëherë duhet të jenë gjendje edhe të zgjedhin se çfarë partnere, ose partneri adhurojnë për jetën e tyre.

Nëse fëmijët janë nuk janë të aftë të marrin vendime për dashuri dhe bashkëshortësi, atëherë prindi duhet të brengoset sepse gjatë edukimit, paska zhdukur individualitetin e tyre. Ata do të jenë të retarduar dhe kanë nevojë për mjekim!

Po çfarë do të bëja unë? Pa asnjë dyshim të dytën. Atë që nuk është e virgjër, që paska  qenë e dashuruar në një çast, kur unë nuk isha pjesë e jetës së saj, e as ajo e simes. Unë nuk kam pronësi mbi të kaluarën e saj, as mbi të tashmen, as mbi të ardhmen. Ajo është njeri, jo lopë që blihet dhe shitet. Unë mund të meritoj besnikërinë e saj, nëse vet jam besnik, por ajo mund të ndahet prej meje, sa herë të dëshiroj, sepse unë nuk posedoj njeri, por dashuri! Ky është ligj e epokës sonë.

Qëndrimi saj është për mua i rëndësishëm prej çastit kur është me mua. Me gruan pa dashuri, por të virgjër, nuk mund të jetohet tërë jetën. Himeni saj, nuk është paratregues për moralin e nesërm, as garantues për lumturi, sepse mua si burrë, nuk më duhet himeni, por njeriu! Gruaja ka një tru dhe ka fantazi si edhe burri. Kjo është e vërteta, që ne burrat nuk mund ta ndalojmë dhe uroj të mos zbulohet ndonjë aparat që mund të lexojë idetë, sepse mizogjinët, do ta blinin të parët!

Me njeriun duhet të jetoj, jo vetëm, por të jem edhe i lumtur për disa dekada. Për t'u bërë i lumtur, duhet të kem një njeri pranë vetes, që e dua, që e adhuroj, që e dashuroj dhe që më pëlqen kur shtrihemi apo kur zgjohemi nga shtrati. (Ora gjashtë e gjysmë. Sapo i bëra shoqes kafen, sepse unë zgjohem para saj. I përgatita dhe e bëj çdo ditë, sepse është bashkëshortja ime. Të huajave jo. Dhe shpesh shoqes i kanë thënë fqinjet gjermane, do të dëshironin për burrë një shqiptar si unë!)  Pra, nëse jemi burra me të cilët gruaja nuk krenohet, atëherë ajo mund të kërkojë rrugëdalej!

Është trishtim t'i preket këmba e ftohtë në shtrat një gruaja që nuk e duam thoshte Charles Bukowski në një poezi. Dhe, kur martohemi pa dashuri, ajo këmbë do të ndjehet pas disa muajve!

Në vitin 2016, në kohën digjitale, me liritë dhe të drejtat e njeriut në të gjitha kushtetutat e Europës, me barazinë gjinore në të gjitha, të mendohet dhe gjykohet si në epokën e qypit, nuk është habi, por tmerr! Këmbëngulja te himeni është refuzimi i të gjitha shkencave  dhe arritjeve njerëzore. I të gjitha dijeve. Është katapultim vullnetar në vitin zero.

Natyrisht se njeriu ka të drejtë të jetojë jetën sipas parapëlqimeve të veta, por të mendohet se një burrë që ka pasur seks para martesës nuk rrënon nderin e familjes, por njëkohësisht duke qenë të bindur se një vajzë e re, me seksin para martesës shkatërron dhe shndërron në gërmadha nderin e fisit, flet për hipokrizi të konsoliduar dhe për diskriminim mizogjinë.

Një shoqëri që ka nder mashkullor që nuk dëmtohet, ose që mund të rikrijohet, por nderi femërore rrënohet një herë e përgjithmonë, do të ketë një problem të madh qysh në shtëpi.

Nëse familja nuk është vatër dashurie, shteti na shfaqet si karikaturë. Sespe morali është i dyfishtë, sepse gratë ekzistojnë vetëm për të shutruar kujdestari ndaj burrave si ndaj foshnjave!

Gjakimi për shtet ligjor nënkupton edhe barazinë ligjore. Derisa ne të kërkojmë barazi në Europë, por krekosemi me pezullimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, atëherë vetëm dëshmojmë një fakt të madh: Jemi popull antikushtetues! Jo shtetformues! Dhe ky është ofendimi më i madh që mund t'i bëhet sot një kombi, sepse ajo e hedh atë në një shoqëri dhe mendësi tribale, ku me parime të kaluara, jetohet jeta sot, por duke shpërfillur në mënyrë të vrazhdë ligjet e epokës tonë, që na garantojnë paqen e brendshme dhe të jashtme.

Martesa pa dashuri, e ndikuar nga prindi, është vepër penale!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK