Zërat
Mentor Dida
Mentor
Dida

Ta avancojmë Kosovën ku çdokush është ndryshimtar

Zërat January 02, 2017 - 15:00

Bota gjithmonë e ka njohur ndryshimin, por ndryshimin që jemi duke e parë sot është duke e transformuar mënyrën tonë të jetesës, të punës dhe këtë e bënë duke ndërvepruar në një shkallë dhe gjerësi të paparë deri më tash. Teknologjitë i ulën barrierat e participimit, ashtu që çdokush mund të kontribuojë dhe të veprojë kolektivisht më shumë se kurdoherë më parë. Si rezultat, ne jetojmë në një moment vërtet historik, kur çdokush mund të bëjë ndryshim pozitiv. Pikërisht tash është momenti kur çdo njeri e kupton se mund ta ndryshojë botën për të mirë dhe e bën këtë. Të gjithë ne dëshirojmë të jetojmë në një botë ku çdo person i ri do të rritet për t’u bërë ndryshimtar i pjekur, i aftë për të ndërmarrë veprime kreative për t’i zgjidhur problemet shoqërore; një botë ku zhvillimi i ndryshimtarëve të rinj dhe praktika e ndryshimbërjes janë bërë normë. Megjithatë, si do të mbërrimë deri te ky përparim dhe pse është me rëndësi të bëjmë këtë?

Bota po ndryshon shumë shpejt, në fakt kjo botë është një botë tërësisht e ndryshme prej botës së prindërve tanë. Vetëm mendoni se në botën që jetojmë kompania më e madhe e taksive nuk e zotëron asnjë taksi në pronësi të vet – “Uber”. Ofruesi më i madh në botë i shërbimeve të akomodimit nuk ka asnjë pronësi në patundëshmëri – “AirBnB”. Burimi më i madh botëror i lajmeve dhe informacioneve nuk krijon asnjë përmbajtje informacioni – “Facebook”. Futuristi shumë i njohur amerikan, Thomas Fray, thotë se 60% e profesioneve pas 10 vjetësh, ende nuk dihet se çka do të jenë dhe do të shfrytëzojnë teknologji që nuk ekzistojnë sot. Ne po shohim se sot kemi profesione si: strateg i mediave sociale, menaxher i qëndrueshmërisë, profesione që para 5 vjetësh nuk ekzistonin fare. Gjithashtu, në mënyrën se si prodhohen produktet materiale është bërë një zhvendosje gjigande për shkak të teknologjive të automatizimit. Inteligjenca artificiale po zhvillohet me shpejtësi aq të lartë, saqë ka parashikime se një numër i madh avokatësh do të zëvendësohen nga këto teknologji të inteligjencës artificiale. “McDonald”-i është duke e hapur një pikë të veten që do të funksionojë tërësisht me robotë. Me fjalë të tjera, punët që kërkojnë përsëritje, memorizim dhe hierarki po zhduken fare, andaj na nevojitet shumë shpejt dhe seriozisht të mendojmë për pyetjen, cilat duhet të jenë synimet tona në botën ku e vetmja konstante është ndryshimi? Nëse 60% e profesioneve të ardhmërisë nuk ekzistojnë sot, si do ta sigurojë sistemi i edukimit se të rinjtë do të jenë të gatshëm të punojnë punën në profesionin që ende nuk ekziston dhe madje të përdorin teknologji që ende nuk janë shpikur?

Kjo pyetje e prek thelbin e asaj që “Ashoka”, kjo organizatë ndërkombëtare e ndërmarrësisë shoqërore ku punoj edhe unë, është duke e adresuar. “Ashoka” është pioniere e ndërmarrësisë shoqërore tash e 36 vjet, ajo i zbulon, i zgjedh dhe i mbështet disa nga ndërmarrësit shoqërorë kulminantë botërorë. Rrjeti prej mbi 3,300 anëtarë të dalluar (Fellow) të “Ashoka”-s është duke implementuar me sukses zgjidhje sistemndryshuese për problemet e njeriut dhe mjedisit, në pothuajse çdo lëmi ku ka nevojë, në më se 85 vende të botës.

“Ashoka” ka kuptuar se nëse të rriturit apo të rinjtë duan të përparojnë në botën ku e vetmja konstante është ndryshimi, ata duhet të zotërojnë shkathtësinë për t’u angazhuar përmes të bërit ndryshimin, ata duhet të bëhen Ndryshimtarë. Nga eksperienca e “Ashoka”-s, që buron nga puna që është bërë me mijëra ndërmarrës shoqërorë dhe njerëz të rinj, e mbështetur në hulumtime shkencore të gjera, ne kemi ardhur në përfundime kuptimplota për atë se çka do të thotë të jesh Ndryshimtar dhe çka është Ndryshimtaria. Ndryshimtaria nuk ka të bëjë me punën që ju e bëni. Ka të bëjë me atë se çfarë lloji i personit jeni ju. Është mënyra se si të jesh në këtë botë. Është ajo se çfarë është qasja jote, çfarë janë veprat e tua. Janë ndryshimet e përditshme që ia bën ti botës – ndryshimet që ta bëjnë jetën më të mirë ty dhe të tjerëve – ndryshimet që të sjellin dobi vetes dhe familjes tënde, shokëve e shoqeve tua dhe komuniteteve – ndryshimet që të ndihmojnë ty dhe tërë njerëzimit për të ecur përpara.

Sekretari i Departamentit të Edukimit të SHBA-së, Arne Duncan, ka thënë: “Faktori çelës i suksesit i çdo shoqërie që ecën përpara, qëndron në përqindjen e njerëzve që i ka ndryshimtarë. Ky është shkrim-këndimi i ri.”

Raporti PISA e ka bërë të qartë se Kosova duhet ta rimendojë sistemin e vet të edukimit dhe strategjinë. Raporti është “kambanë zgjimi” për ne që të krijojmë një sistem më të fuqishëm për edukim, sistem që në esencën e tij do të krijojë më shumë Ndyshimtarë. Unë besoj se sistemi më i fuqishëm i edukimit ngërthen në vete edukimin e zemërmirësisë dhe të mendjes së nxënësve. Imagjinoni kur në vend se të kemi nxënës që memorizojnë data historike, përkufizime teknike dhe formula komplekse të fizikës, ata aftësohen të praktikojnë empatinë përmes të kuptuarit të problemeve shoqërore në komunitetin e tyre, ata inkurajohen të krijojnë ekipe që do të gjejnë dhe do të zbatojnë zgjidhjet për këto probleme si pjesë e eksperiencës në klasë, ata bëhen të aftë të demonstrojnë një lloj të ri të udhëheqjes (lidershipi), në të cilin udhëheqës është ai që ndihmon të tjerët të bëhen udhëheqës.

Kjo është një qasje praktike e të mësuarit duke bërë, që i transformon të rinjtë nga të qenit pranues pasivë të informacioneve, në bashkëpunëtorë aktivë, që i edukojnë mendjet dhe po ashtu edhe zemërmirësinë e vet. Megjithatë, për të ndodhur kjo është e domosdoshme që edhe mësuesit të jenë Ndryshimtarë, sepse në botën bashkëkohore mësuesit po transformohen në mbështetës-cytës (fasilitatorë) të dijes dhe ata bëjnë mësim duke u bërë vetë shembull. Në mënyrë që të jenë në gjendje të përzgjedhin mësuesit e duhur, edhe bordet vendimmarrëse të sistemit të edukimit duhet të jenë vetë Ndryshimtarë, sepse vetëm ashtu do të mundnin të zgjedhin mësues të aftë, të cilët do t’i fuqizojnë në rolin e ndryshimtarit në shkolla. Në mënyrë që të kemi bordin me Ndryshimtarë ne na nevojitet që të kemi edhe udhëheqësit komunalë Ndryshimtarë, e kështu me radhë. Me fjalë të tjera, ne na nevojitet që çdokush të jetë Ndryshimtar. Si mund ta bëjmë realitet në Kosovë këtë ndryshim sistemi? Duket joreale të mendosh të krijosh këtë lloj ndryshimi, a po? Megjithatë, është e mundur dhe ja formula se si mund të ndodhë kjo dhe atë pa u zgjedhur në ndonjë post qeveritar. 

Kjo formulë mbështetet në qasjen “Jiu-jitsu” (xhiu-xhicu), ku ngjashëm si në artin marcial përdoret forca minimale për të bërë një punë maksimale. Qasja “Jiu-jitsu” është strategji që e përdor “Ashoka” për të transformuar sisteme, duke ndryshuar mendësinë kolektive dhe kjo bëhet në katër hapa:

Hapi i parë është identifikimi i “Komunitetit nxitës”. Shpesh na ndodh të përqendrohemi në njerëz që nuk janë Ndryshimtarë dhe ne mundohemi t’i bindim ata të bëhen Ndryshimtarë. Ndërsa, kjo është një qasje tjetër sepse përqendrohet në mbështetjen e krijimit të rrjetit të individëve që janë Ndryshimtarë të avancuar. Kur krijohet dhe pastaj mbështetet rrejti i Ndryshimtarëve dhe sigurohet mbarëvajtja dhe përparimi i punës së tyre, fillon lëvizja. Kur fillon lëvizja “Komuniteti nxitës” i identifikon partnerët që i nevojiten për të përparuar ndryshimin në sistem. Dhe ky është hapi i dytë, ku ndodh diçka si “Shitje me shumicë”. Ndërtimi i shtigjeve të bashkëpunimit në mes të “Komunitetit nxitës” dhe partnerëve të “Shitjes me shumicë”, në përpjekje për të krijuar ndryshime sistemore tregohet shumë i frytshëm, sepse vetëm kështu mund të arrihen ndryshime të qëndrueshme dhe në shkallë të gjerë. Kur një numër i mjaftueshëm partnerësh të “Shitjes me shumicë” i bashkohet lëvizjes fillon të zbatohet faza e tretë, e quajtur “Pika e ndryshimit”. Në këtë fazë arrihet një momentum i nevojshëm i lëvizjes që siguron se lëvizja nuk mund të ketë më kthim prapa. Faza e fundit është “Institucionalizimi”, në të cilën fillojnë ndryshimet e politikave sepse politikanët fillojnë të kuptojnë fuqinë e njerëzve dhe i frikohen pasojave nëse nuk do t’i bashkohen përpjekjeve për ndryshime sistemore.      

Përveç strategjisë “Jiu-jitsu” me katër hapa, një përbërës thelbësor për ndryshim sistemor është kur të rinjtë futen në veprim të ndryshimeve. Të rinjtë janë të fuqishëm dhe ne duhet të dëgjojmë zërin e tyre, t’i marrim parasysh seriozisht idetë dhe veprimet e tyre, ata duhet t’i përfshijmë në vendimmarrje.

Kosova është në një pozitë të shkëlqyer për t’u përfshirë në këto përpjekje sepse neve na duhet ndryshimi, neve na duhet përparimi, neve na duhet të bashkëpunojmë. I ka ardhur koha Kosovës së përparuar, ku çdo njeri është Ndryshimtar. Le ta bëjmë që të ndodhë kjo!

Autori është ndërmarrës social dhe koordinator në “Ashoka”, bashkëthemelues i Iniciativës për Prosperitet në Kosovë.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK