Zërat
Adnan Rrustemi
Adnan
Rrustemi

“Kryeministri” Mustafa kundër qeverisë “Mustafa”!

Zërat December 10, 2016 - 11:35

Qeveria “Mustafa” si shprehje e qartë, jo veç e dështimit, por edhe e heqjes dorë nga qeverisja, vazhdimisht po fshihet mbrapa arsyetimit të të pabërave, ndërkaq kritikon opozitën në dy çështjet e vetme që është përpjekur e të cilat nuk do të duhej as që t’i fillonte, siç janë “Zajednica” dhe Demarkacioni. E paqetë që nuk ka arritur t’i shtyjë këto tema, si i vetmi preokupim i këtyre viteve, ka bërë që të ikë nga zotimet parazgjedhore dhe t’i harrojë nevojat e njëmendta të qytetarëve. Pikërisht shmangia nga këto dy tema ishte mundësia që nuk u shfrytëzua asnjëherë nga Qeveria për të kthyer vëmendjen kah qeverisja e mirëfilltë dhe zhvillimi ekonomik, luftimi i korrupsionit e ndërtimi i shtetit të së drejtës si parakushte  reale për liberalizimin e vizave. Ndërsa, të ndalosh Qeverinë që të vazhdojë “Zajednicën” dhe Demarkacionin, përveçse mbrojtje e integritetit dhe karakterit unitar të Republikës, ishte pa dyshim edhe ndërhyrja më pozitive opozitare e qytetare në drejtim të kthimit të Qeverisë kah interesat e Republikës.

Përballë një qeverie që në orientim e vendime barrikadohet kundër interesave shtetërorë e pritjeve të qytetarëve, qeverisja e vërtetë duhet të lypet te roli i opozitës e kundërshtimi i qytetarëve, të cilët duke mos qenë në qeverisje për t’i përmbushur pritjet e qytetarëve, së paku penguan dëmin e pakthyeshëm ndaj shtetit. Kësisoj, Kosova gjatë këtyre dy vjetëve njëmend nuk kishte qeveri të saj që do të duhej të sillte dobi për Republikën dhe qytetarët, por gjithsesi kishte opozitë që parandaloi dëmtimin e paçmueshëm të vendit.

Jorrallëherë, protagonistë të qeverisë “Mustafa”, përgjithësisht zyrtarë të LDK-së të vijës së Isa Mustafës, kur ndodhen në rolin e justifikuesit të dështimit të Qeverisë për t’i përmbushur premtimet elektorale, liberalizimin e vizave apo edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dëshpërimisht rreken të akuzojnë opozitën se kinse nuk e ka lejuar Isa Mustafën që të përmbushë “programin” e tij, paçka, në fakt opozita e kishte bërë krejtësisht të kundërtën. Kështu, opozita dhe veçmas Lëvizja “Vetëvendosje” kundërshtonte Demarkacionin dhe “Zajednicën”, dy çështje apo tema që nuk ishin fare pjesë e vokabularit elektoral të kësaj mazhorance dhe të refuzuara nga pjesa dërrmuese e qytetarëve, ndërsa dy partitë politike të koalicionit kishin premtuar rreth 400 mijë vende pune së bashku e LDK-ja ishte zotuar për largimin e PDK-së nga pushteti, si një strukturë e korruptuar dhe kriminale.

E vërteta e deklaratave të drejtuesve aktualë të LDK-së, posaçërisht të Isa Mustafës se opozita po i pengon që të punojnë dhe se kjo e fundit është fajtore për mosliberalizimin e vizave, është krejtësisht e kundërta e saj. Është vetë Isa Mustafa që për t’i ikur përballjes me votuesit e tij pas premtimeve elektorale që i kishte dhënë po ndjek besnikërisht gjurmët e Hashim Thaçit.

I ndodhur kështu në qark, nga ku as nuk vazhdon, por as nuk kthehet dot; për të qeverisur nuk qeveris, ndërsa zgjedhjet e tmerrojnë, Isa Mustafa i braktisur së fundmi edhe nga Kadri Veseli pasi që votuesit e 2014-s i kishin ikur që atëherë kur kishte ngarendur në drejtim të PDK-së dhe kishte akomoduar SHIK-un, dehjen e tij mëton ta vërë standard mbarështetëror. Ai, jo që nuk po mundet të dalë nga qerthulli që ia kishte thurur vetes në këto dy vjet, por ai as nuk e  dëshiron një gjë të tillë qëkur e ka kuptuar se kjo është porta dalëse e tij nga Qeveria, por as për të qëndruar nuk rri dot.

Në njërën anë vjell vrer për sondazhet e publikuara, ndërsa mban ballin kur sondazhet e porositura nga vetë ai thonë të njëjtën gjë për rënien drastike të mbështetjes së qytetarëve për Qeverinë, në anën tjetër sa herë që flitet për zgjedhjet e parakohshme nxjerr dishepujt e paktë servilshumë  për të thënë se “koalicioni është stabil, vendi ka institucione” ani pse koalicioni nuk i ka votat, institucionet nuk funksionojnë, liberalizimi i vizave nuk ndodh, cilësia e arsimit renditet ndër të fundit në botë, barrikadat në Mitrovicë avancojnë në muri-ndarës, ndërsa Kadri Veseli është edhe kryeparlamentar, edhe kryeministër.

Kjo letargji e pakthyeshme e Isa Mustafës nuk mund të jetë e tillë edhe për shoqërinë dhe për qytetarët. Nuk mund të sillemi sikur po qëndron në këmbë diçka që tashmë të gjithë e dinë se ka rënë përtokë. Madje edhe Isa Mustafa është i vetëdijshëm se Kosova tashmë formalisht ka institucione që praktikisht nuk funksionojnë së paku prej një viti. Por, ai synon që edhe të tjerët të sillen si ai brenda iluzionit se kinse Kosova ka institucione e ai është kryeministër. Shoqëria dhe qytetarët po kërkojnë t’i japin fund edhe formalisht diçkaje që është fundosur dhe kështu të kthehet vullneti i tyre në institucione si përfaqësim e si interesa. Duke parë nga kjo, zgjedhjet më shumë se rruga për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje janë mekanizmi që mundëson gjendjen e dëshiruar nga qytetarët dhe të nevojshme për Republikën. Pikëpamja e raporteve pozitë-opozitë ka bërë që kudo ku ka dështuar Qeveria ka përfituar Republika. Paçka që do të duhej të ishte ndryshe; kudo që dështon Qeveria të dështojë edhe Republika.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK