Zërat
Arbana Xharra
Arbana
Xharra

Lladrovci, xhokeri i djegur i Kadri Veselit

Zërat December 06, 2016 - 10:37

Rezultati i zgjedhjeve në Drenas është kryekëput dështim i Kadri Veselit. Ndonëse aktivizoi gjithë kabinetin qeveritar, ministra e zyrtarë të lartë të PDK-së nëpër fushatë nuk pati sukses. Megjithatë, ky nuk ishte testi i parë që dështoi Veseli. Me t’u zyrtarizuar si pjesë e PDK-së, Hashim Thaçi ia la në dorë fushatën në zgjedhjet e fundit lokale, edhe pse Veseli, vetë me prejardhje nga Mitrovica, u mund nga “humoristi” Agim Bahtiri. Diçka që ne nuk e kemi vërejtur nga fillimi është se Veseli nuk i është futur garës vetëm për ta fituar elektoratin, por edhe vetë Hashim Thaçin. 

Gara në Drenas nuk kishte të bënte me Ramiz Lladrovcin, por me Hashim Thaçin. Kadri Veseli deshi të tregojë se e ka të sigurt bastionin e PDK-së edhe pa Thaçin në fushatë, por që e zuri në befasi rezultati. Këtë sinjal duhet ta kapë dhe ta ketë të qartë se nuk ka humbur Ramiz Lladrovci, sepse në një bastion të sigurt të PDK-së secili kandidat do të kishte fituar. Veseli sikurse Isa Mustafa kur e humbi Prishtinën qe i bindur se me duar në xhepa do të dalë fitues. 

Por ja që sikur po harrojmë se koha po fluturon shpejt e bashkë me të edhe epoka e “të fortit”. Është e natyrshme sepse me kalimin e viteve fillon e zbehet forca e pushtetit, gjeneratat ndryshojnë, vijnë kohëra të tjera kur mendësia emancipohet. Instinkti i gjykimit dhe i ndëshkimit zhvillohet me trendin e ndryshimit kohor. Ky proces i ndryshimit ka filluar edhe në mentalitetin e votuesit të Kosovës. Për secilin dëshpërim në qeverisje përgjigjja ndaj nesh ka qenë: “Ndëshkoni me votë”.

Qysh nga mbarimi i luftës, kur përmendet Drenica, sikur është pllombuar në kokat tona se ai është bastion i PDK-së, duke qenë se kjo parti ka fituar secilën herë bindshëm aty. Ky perceptim ka krijuar bindje se kjo pjesë e Kosovës është e PDK-së dhe se i ka punët më së miri. Në fakt, jo shumë kohë më parë isha në një vizitë tek një mike imja në Skenderaj dhe teksa po ecja rrugëve nuhasja skamjen e mbuluar me asfalt. Në Drenicë ka varfëri sikurse edhe në Gjakovë, Kaçanik e Mitrovicë...

Por votuesi atje nuk ia fal udhëheqësve të dalë nga dera e tyre. Kadri Veseli nuk ka qëndrim të qartë për shumë çështje madhore. Ne ende nuk e dimë nëse ai është për kalimin ose jo të Demarkacionit sikurse edhe për shumë tema të tjera. Veseli ka provuar të mbajë balancë, ngreh e mos këput, njëkohësisht ka ndezur luftë për dominim nga Thaçi, duke harruar se votuesi të ndëshkon.

Kjo është hera e parë që nga paslufta që zgjedhja e kryetarit të Drenasit do të përcaktohet në rundin e dytë të zgjedhjeve, pasi që PDK-ja në vazhdimësi kishte siguruar fitore bindëse pa u detyruar të shkojë në balotazh.

Derisa në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013 kandidati i PDK-së, ish-kryetari Nexhat Demaku, kishte fituar rreth 64 për qind të votave, në zgjedhjet e së dielës Lladrovci ka fituar rreth 45 për qind të votave apo 19 për qind më pak se në zgjedhjet paraprake.

Në zgjedhjet lokale në Drenas - 2000 PDK-ja pati fituar 84,5% të votave, dy vjet më pas zgjedhjet në Drenas - 2002 PDK-ja sërish merr 82,20% të votave. Rënia në Drenas është rënie e PDK-së në tërë Kosovën. Numri i vogël i votuesve në këtë komunë është mesazh për Kadri Veselin. Ai edhe mund të vazhdojë me të njëjtin avaz, por që në këtë rast Kadri Veseli është humbësi e Hashim Thaçi fituesi, kurse Ramiz Lladrovci një xhoker i djegur në dorë të Kadri Veselit. Zgjedhjet në Drenicë do të jenë luftë bajraktarësh brenda PDK-së.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK