Zërat
Arian Lumezi
Arian
Lumezi

Projektbuxheti për 2017-n: Buxhet i zhvillimit apo investimit politik?

Zërat November 29, 2016 - 13:30

Buxheti është një prej instrumenteve kryesorë ekonomik të shtetit. Ai hartohet për vitin pasues nga Ministria e Financave në koordinim me të gjithë organizmat financiarë të shtetit dhe dërgohet për miratim tek deputetët e Kuvendit. Përmes parave publike, të cilat duhet të ndahen proporcionalisht nëpër komuna dhe dikastere qeveritare, Qeveria investon në projekte kapitale dhe i shpenzon ato në fusha si shëndetësia, arsimi, infrastruktura, rendi e siguria dhe të gjitha segmentet tjera.

Projektbuxheti për vitin 2017, i proceduar në Kuvendin e Kosovës nga Qeveria e Kosovës në Komisionin për Buxhet dhe Financa, parasheh një rritje të buxhetit nga viti paraprak për rreth 300 milionë euro, duke arritur kështu shumën e 2 miliardë eurove. Mirëpo, kundërshtarët e këtij mendimi thonë se buxheti real nuk tejkalon shumën e 1 miliard e 725 milionë eurove. Kjo për shkak se Qeveria e Kosovës në buxhetin ri ka planifikuar të shtojë rreth 300 milionë euro fonde nga kategori jobuxhetore si Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Trusti Pensional. Krahas kësaj, është parashikuar edhe rritje e borxhit publik.

Vërejtje në Projektbuxhetin e 2017-s ka edhe për mënyrën e ndarjes së buxhetit nëpër komuna dhe caktimit të prioriteteve për investime nga Qeveria. Sipas këtyre vërejtjeve, buxheti është më tepër i orientuar nëpër komunat, të cilat qeverisen nga partitë e koalicionit në pushtetin qendror, duke bërë kështu ndarje elektorale të parave publike. Pos anës elektorale, mangësi është konsideruar edhe orientimi i buxhetit në ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë. Përveç ndarjes nëpër komuna, janë dhënë vërejtje edhe për ndarje të pamjaftueshme të mjeteve për sektorin e drejtësisë dhe atë të arsimit. Sipas këtij arsyetimi, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik nëse nuk funksionon si duhet sistemi i sigurisë (gjykatat e Policia). Sa i përket arsimit, është dashur t’i jepet më shumë rëndësi stimulimit të shkollave profesionale, duke qenë se numri i universiteteve në Kosovë është më i madh se që duhej të ishte. Krahasimisht duke marrë për bazë kryeqytetin evropian Brukselin, që ka vetëm dy universitete publike, kurse Kosova me numër përafërsisht të njëjtë banorësh ka shtatë universitete, pa numëruar institucionet jopublike të arsimit të lartë. 

Në anën tjetër, Qeveria mbron mendimin se rritja e buxhetit do të ndikojë në përkrahjen e investimeve në sektorët që më parë kanë qenë të diskriminuar, edhe pse me anë të buxhetit nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet e vendit, pasi ai është vetëm instrument për krijimin e parakushteve për zhvillim ekonomik. Viti fiskal 2016 ishte më tepër vit stabilizues, duke qenë se rritja e pagave në sektorin publik në vitin 2014 ishte e dëmshme për stabilitetin buxhetor. Për më tepër, ajo rritje shkaktoi humbjen e investimeve që do të sillnin 2 mijë e 500 vende të reja të punës. Rritja e buxhetit këtë vit ka ardhur me rritjen e të hyrave nga taksat për rreth 6 % që ka sjellë edhe rritjen e shpenzimeve kapitale për rreth 220 milionë euro nga viti paraprak. Sa i përket rritjes së borxhit publik, hartuesit e buxhetit kanë mbrojtur vendimin duke thënë se borxhi mbetet brenda kornizave ligjore dhe se ai do të përdoret për investime kapitale dhe jo rritje të dëmshme të pagave.

Edhe pse projektbuxheti është ndarë nëpër komuna në përputhje me ligjin, duke bazuar në numrin e popullsisë dhe kritere të tjera, ka ende mundësi për ndarje më të mirë të tij. Por, gjithashtu është theksuar se buxheti ka fleksibilitet të kufizuar për shkak të projekteve të papërfunduara. Ndër çështjet që Qeveria pretendon t’u ketë dhënë prioritet në këtë projektbuxhet janë përgatitja e të rinjve për tregun e punës dhe Ligji për Sigurime Shëndetësore, i cili duhet të fillojë të implementohet këtë vit. Ndër shpenzimet që i janë shtuar buxhetit janë edhe pensionet e veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së, të cilat janë kufizuar përmes një neni të veçantë. Neni 24 i këtij ligji thotë se shpenzimet në këtë drejtim nuk mund të tejkalojnë shumën prej 50 milionë eurove brenda vitit 2017, duke marrë parasysh se numri i veteranëve të regjistruar nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Pjesëtarëve të UÇK-së është më i madh se që ishte planifikuar në fillim. Prandaj shihet si opsion rishikimi i këtyre listave dhe ndërrimi i statusit se kush ka të drejtë mbi pensionet, përndryshe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur brengosjen se këto lista të fyera do të dëmtojnë rëndë buxhetin e shtetit.

Në fund, palët si politike, ashtu edhe ato civile pajtohen se diskutimi rreth buxhetit dhe planifikimi i mirëfilltë i tij janë shumë të rëndësishme dhe duhet të bëhen më tepër. Gjithashtu, vlerësohet se elementet kryesore, të cilat duhet të shndërrohen në prioritete në këtë dhe projektbuxhetet e ardhshme janë segmentet e arsimit, drejtësisë, si dhe shpenzimeve kapitale. Një pikë që duhet të diskutohet dhe të krijohet është strategjia mbi orientimin e investimeve kapitale në Kosovë, që do të mundësonte zhvillimin ekonomik. Kosova duhet të ketë një synim të qartë mbi ekonominë dhe se si projektohet ajo pas pesë apo dhjetë vjetëve, në mënyrë që edhe projektbuxhetet e viteve pasuese të jenë më mirë të menaxhueshëm.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK