Zërat
Avni Rudaku
Avni
Rudaku

Rinia dhe teknologjia si dy potenciale të mëdha për shoqërinë

Zërat November 23, 2016 - 13:17

Si po e shfrytëzojnë teknologjinë dhe rrjetet sociale të rinjtë kosovarë? Sa kanë nevojë për edukim formal dhe joformal rreth mënyrave të shëndetshme të përdorimit të rrjeteve sociale për aftësim profesional, organizim më efikas shoqëror e të ngjashme?

Cilat janë anët e errëta të teknologjisë, internetit, mediave sociale dhe mënyrës se si të rinjtë i përdorin sot këto arritje njerëzore? Të gjithë pa përjashtim shpalosën rëndësinë e internetit e të rrjeteve sociale për zhvillim shoqëror, nëse përdoren ashtu siç duhet.

Po ashtu sikurse u pajtuan të gjithë se rinia kosovare po e shfrytëzon teknologjinë më së shumti për argëtim dhe me shtim sjelljesh të tjera devijuese (krimet kibernetike, shantazhim, kërcënim, shkelje të privatësisë, etj.), e më së paku për punësim, organizim shoqëror, edukim, trajnim, informim, karrierë dhe zhvillim i të menduarit kritik.

Të rinjtë nuk po janë aq të hapur dhe protestues kundër dukurive negative në shoqëri. Në përgjithësi mungon edukimi në masë të konsiderueshme për përdorimin e drejtë të teknologjisë dhe medieve sociale. Shumica prej nesh, pa dallim, përmendin shpesh potencialin e madh që ka Kosova për shkak të popullatës së saj të re si grupmoshë mbizotëruese.

Debatet e ndryshme që mbahen theksojnë shpesh potencialet e rinisë kosovare, madje edhe specifikisht në fushën e teknologjisë informative, programim, dizajnim, etj. të cilat mund t’i ndihmojnë rinisë për punësim jashtë vendit nga shtëpitë e tyre (outsource).

Në botë janë bërë të njohur indusët për punën në distancë me qindra kompani të huaja, ndërsa rinia kosovare nuk është larg kësaj nëse hiqen gradualisht dyshimet e kompanive të huaja për aftësitë profesionale të të rinjve tanë, të studentëve tanë.

Nëse jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytetet e tjera kosovare arrijmë të ofrojmë më shumë treg për studentët e këtij profili, të lidhur direkt me teknologjinë informative, atëherë rinia kosovare mund të bëhet sikur indusët e shquar në programim.

Pasi që në Kosovë ka mundësi të mëdha për punësim në këtë drejtim, atëherë fakultetet gjegjëse duhet të ndihmohen nga institucionet shtetërore që të bëhen më joshëse për të rinjtë përmes rritjes së bursave në këto lëmi.

Përveç shfrytëzimit të teknologjisë dhe rrjeteve sociale për punësimin e të rinjve, aftësimin dhe trajnimin e tyre, janë mjaft të rëndësishme edhe mënyrat e duhura të përdorimit të tyre nga rinia.

Të gjithë kemi përshtypjen dhe pajtohemi se rinia kosovare e shfrytëzon teknologjinë në masën më të madhe për argëtim, kalim të kohës së lirë, komunikim miqësor, shfryrje frustrimi kolektiv dhe shprehje pakënaqësish sociale e ekonomike dhe më së paku për edukim, selektim informatash e faqesh të duhura për të fituar bursa, dije, trajnime, certifikata, njohje me arritjet globale në fushat e tyre profesionale dhe krahasimi me to; njohja e gjuhëve të huaja nga një mori programesh që ofrohen online etj.

Të rinjtë tanë më shumë sillen vërdallë rrjeteve sociale si “Facebook”, “Instagram”, “Snapchat” për fotografi, për mahi e klikime video-shakash, videoaksidentesh se si janë përplasur fatkeqësisht veturat në rrugë etj.

Askush nuk e përjashton kohën e nevojshme për argëtim, por këtu bëhet fjalë për pjesën më të madhe të kohës së rezervuar vetëm për argëtim e jo edukim, informim dhe mendim kritik për ato që lexohen online.

Dhe kjo përshtypje nuk është vetëm perceptim, por shpesh edhe përfundim që rezulton nga shumë debate.

Anët e errëta të rrjeteve sociale mbeten edhe mungesa e vetëdijesimit të rinisë kosovare për mënyrën e menaxhimit të kohës së qëndrimit në to; mungesa e mjaftueshme e edukimit mbi teknologjinë dhe avancimet që mund të rrjedhin prej saj nëse përdoret në mënyrë të duhur, të dobishme dhe kreative.

Po ashtu, shumë kërkesa, pakënaqësi, ankesa, të cilat mund të shprehen në formë më të strukturuar dhe të organizuar, nuk nxiten nga rrjetet sociale. Rinia kosovare përmes rrjeteve sociale mund të realizojë shumë më shumë organizime shoqërore, ndonëse nuk mungojnë në tërësi ato.

Këto organizime shoqërore mund të jenë organizime të ngjarjeve letrare, shkencore, muzikore, artistike; për shprehjen e pakënaqësisë në mungesë të kushteve të volitshme, papunësi e varfëri të gati gjysmës së popullatës; adresimi i ankesave për shërbime të dobëta publike e projekte të zvarritura, si projekti komunal kosovar “smartcity”, i lakuar si mundësi, ku mund të përcillen kërkesat online të qytetarëve në drejtori të caktuara lokale dhe publike, etj.

Kur bëhen bashkë këto dy potenciale me orientime të drejta, në një anë rinia dhe në anën tjetër teknologjia, shumica nga ne pajtohemi se janë forcë e pamohueshme emancipuese për zhvillim të gjithmbarshëm shoqëror e njerëzor, ashtu sikurse mund të jenë forcë prapavajtëse nëse orientohen në mënyra të gabueshme të kalimit qind për qind vetëm në argëtim të lirë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK