Zërat
Denis Nushi
Denis
Nushi

Kontributi i mobilitetit të fuqisë punëtore në zhvillimin e kapaciteteve humane dhe atyre ekonomike

Zërat November 08, 2016 - 11:38

Prioriteti i Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale është zhvillimi i kapitalit njerëzor në mënyrë që të arrihet ngritja e potencialit maksimal të të gjithë kosovarëve. Me fjalë të tjera, Ministria përqendrohet në popullatën e Kosovës dhe punon për një jetë me dinjitet, që përfshin edhe punësimin e qytetarëve brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës, duke shikuar trendet e emigrimit dhe dëshirës për të emigruar, posaçërisht tek të rinjtë që nuk shohin perspektivë në të ardhmen e afërt.

Në vazhdën e krijimit të masave për parandalimin e emigrimit ilegal, angazhimi i organeve shtetërore qeveritare, joqeveritare, si dhe partnerëve zhvillimorë shënon rritje të dukshme që nga janari i vitit 2014 karakterizohet si periudhë e shpërthimit të valës së emigrimit të kosovarëve në shtetet e zhvilluara të Perëndimit. Mundësitë për mobilitet të fuqisë punëtore perceptohen si nga më të suksesshmet në ofrimin e masave legale të emigrimit në një anë, si dhe adresimit të nevojave të tregut lokal dhe atij ndërkombëtar të punës, në anën tjetër.   

Ideja dhe procesi i “migrimit qarkor”, të cilin Ministria po e përkrah duke u bazuar në praktikat rajonale dhe atyre të Bashkimit Evropian me mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm nga shteti gjerman -  përmes projektit “Dimak” të GIZ-it dhe disa të tjerë - shihet si mundësi shumë e nevojshme. Kontributi përmes përvojës profesionale dhe shprehisë së punës së fituar nga vendet më të zhvilluara shihen si aspektet më pozitive në këtë proces. Theks i veçantë i vihet mospërputhshmërisë së kapaciteteve të tregut të punës për t’u përgjigjur kërkesave të mijëra studentëve që dalin nga universitetet kosovare nga drejtimet e ekonomisë dhe të juridikut, ndonëse kërkohen punëtorë në sektorët teknikë, si ato të përpunimit të drurit dhe metalit, bujqësisë, IT-së, inxhinierisë dhe disa fushave të tjera specifike. Mospërputhshmëria e fuqisë punëtore me tregun e punës në vend referohet edhe si dukuri që po ndikohet nga zhvillimet demografike, ku Kosova karakterizohet me popullsinë më të re në Evropë për nga mosha (18-24) dhe një kapacitet i tillë është humbje po të mos shfrytëzohet si fuqi punëtore drejt zhvillimit ekonomik.

Duke pasur parasysh këto mundësi apelohen të rinjtë kosovarë që të mos marrin vendime të shpejta dhe si zgjidhje emigrimin ilegal, sepse për të interesuarit ka mundësi legale që të gjejnë punë në shtetet e BE-së. Çdo i treti kosovar mes moshës 18 dhe 36 vjeç planifikon për të emigruar dhe më shumë se 10 mijë kosovarë deri më sot kanë aplikuar për të marrë leje pune në terma legalë. Ky aspekt duhet cilësuar si një sukses i madh në Kosovë, duke e pasur parasysh numrin e lartë të shënjuar në emigrimin ilegal vetëm në dy vjetët fundit. Remitancat dhe investimet nga diaspora korrespondojnë me 15% të prodhimit të brendshëm bruto të Kosovës. Përveç vlerave monetare duhet veçuar edhe zhvillimin e kapitalit social dhe “brain gain”, “përfitimin” e trurit, proces i cili ka për qëllim të kontribuojë te migrimi qarkor.

Ndërsa si element negativ u cilësua ikja e trurit/“brain drain”, fenomen ky që me mekanizma të duhur shtetërorë mund të parandalohet sikurse edhe mund të shfrytëzohet si kapital human dhe profesionalitet i atyre që janë aftësuar në shtetet e zhvilluara.

Problemi kryesor vazhdon të mbetet kthimi i individëve që janë punësuar në vendet e BE-së për një kohë të caktuar dhe se kontributi i këtyre njerëzve vlerësohet si më se i nevojshëm në Kosovë. 

Pra, mobiliteti i fuqisë punëtore nuk nënkupton vetëm lëvizjet jashtë shtetit kosovar, por edhe kthimin në vendlindje dhe kontributin (potencial) për zhvillimin njerëzor. Diaspora kosovare ka dëshmuar dhe vazhdon të korrë suksese në fusha dhe sektorë të ndryshëm në mbarë botën. Një kapacitet i tillë duhet të shfrytëzohet në mënyrën më efikase të mundshme. Fenomeni i “de-skilling” ose humbja e shkathtësive është ajo që konsiderohet si dukuri ende më negative që po shkaktohet nga shfrytëzimi i remitancave për mbulimin e shpenzimeve të përditshme sociale dhe jo në shpenzime për  edukim, aftësim apo zonat që mund të shpijnë drejt formave të ndryshme të punësimit.

Mbetet si faktike se ky problem ka përmasa të mëdha. Për të qenë më të saktë, sipas hulumtimeve dhe analizave, çdo i dyti kosovar (posaçërisht të rinjtë) planifikon emigrimin në momentin e parë kur u ofrohet rasti. Vërehen masa të shtuara për parandalimin e vazhdimit të emigrimit masiv të kosovarëve dhe planet e të rinjve në Kosovë vazhdojnë të përqendrohen tek braktisja e vendit amë drejt shteteve më të zhvilluara në BE, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo tani më shumë përmes mënyrave legale. Më specifikisht, është Gjermania shteti që po fokusohet më shumë në ofrimin e masave informuese dhe këshilluese rreth emigrimit legal dhe përshtatjes/“matching” së kërkesave të tregut vendor dhe atyre të shteteve të BE-së, në partneritet me trupat shtetërorë.

Kjo “fuqi” nuk duhet marrë parasysh vetëm nga ana monetare dhe investimeve në vendlindje. Arsimimi i suksesshëm në universitete me renome botërore, përvojat profesionale në kompani të suksesshme, shpikjet e ndryshme - posaçërisht ato në fushën e teknologjisë informative - që ndryshojnë mënyrën e jetës së përditshme, punimet akademike që vlerësohen lart nga mendjet më të ndritura të këtij shekulli në nivelin ndërkombëtar, biznesmenë të cilët kanë arritur t’i zgjerojnë bizneset dhe kanë fitime të jashtëzakonshme falë menaxhimit dhe “leadership”-it efikas, etj. janë disa shembuj të shfrytëzimit të fuqisë punëtore mobile për ngritjen e zhvillimit njerëzor në Kosovë. Arritja e nivelit të të menduarit kritik dhe produktiv në nivelet më të larta sa i përket zhvillimit socio-ekonomik dhe e ashtuquajtura “know-how” ose aftësitë aplikuese për një zhvillim të qëndrueshëm njerëzor konsiderohen të jenë nevoja esenciale që duhet përmbushur sa më shpejt që është e mundur në kontekstin e Kosovës. Është e nevojshme që mentaliteti i emigrimit të fuqisë punëtore të zhvendoset kah ideja e mobilitetit të fuqisë punëtore si mundësi që nevojitet të shfrytëzohet në mënyrën më efikase dhe jo të adresohet si potenciale për humbje - apo ikje të trurit. Emigrimi sidoqoftë po ndodh dhe do të vazhdojë të ndodhë, mirëpo legalizimi i këtij procesi mund të sjellë shumë beneficione në favor të Kosovës.

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK