Zërat
Diellza Bakija
Diellza
Bakija

Perceptimet e rinisë për çështjet gjinore

Zërat October 25, 2016 - 14:13

Një ndër vlerat më demokratike që duhet ushqyer një shtet dhe që konsiderohet si primare është barazia gjinore.

Që vendi ynë të zhvillohet duhet punuar drejt eliminimit të diskriminimit (gjinor) në familje, në arsim, në shoqëri dhe në çdo fushë tjetër. Ligjet në Kosovë konsiderojnë si diskriminim të drejtpërdrejtë gjinor çdo trajtim jo të barabartë të një individi në krahasim me një individ të gjinisë tjetër, në rrethana të njëjta apo të ngjashme.

Pavarësisht faktit se ende nuk është punuar mjaftueshëm drejt  arritjes së barazisë gjinore, rinia ferizajase beson që kjo mund të arrihet. Siç mund të dokumentohet, masat afirmative të tilla si kuotat gjinore, janë duke përmirësuar gradualisht përfaqësimin e grave në sfera të ndryshme.

Barazia gjinore do të thotë pjesëmarrje e barabartë e grave dhe burrave në të gjithat fushat e jetës, pozita të barabartë, mundësi të barabarta për të gëzuar të gjitha të drejtat e tyre dhe për të vënë në shërbim potencialet e tyre individuale në zhvillimin e shoqërisë, si dhe të kenë përfitim të barabartë nga të arriturat e këtij zhvillimi.

Megjithëse, koncepti i barazisë gjinore ka filluar të trajtohet madje edhe nëpër familje, ka ende shumë sfera ku gratë dhe vajzat vazhdojnë të diskriminohen , si p.sh. në trashëgimi të pronës. Pavarësisht faktit që ligji parasheh trajtim të barabartë, si për gratë njashtu edhe për burrat, realizimi i kësaj të drejte nuk është i kënaqshëm.

Gratë nuk janë edhe të informuara se çfarë nënkupton heqja e dorës nga prona ose edhe se si mund të ushtrojnë këtë të drejtë. Shpesh, për shkak të normave dhe traditave kulturore ato vazhdojnë të mos e kërkojnë të drejtën e tyre për trashëgimi.

Edhe pse pjesëmarrja e gruas në mënyrë të barabartë në të drejtën e pronës dhe trashëgimisë garanton mirëqenie ekonomike dhe sociale për gjysmën e popullatës në Kosovës, gratë aktualisht janë shumë më pak titullare të pronës.

Gratë/vajzat vazhdojnë të jenë më të ekspozuara po ashtu ndaj dhunës emocionale, fizike dhe seksuale. Madje, ka edhe të kuptuar të limituar se çfarë në fakt është kjo dhunë, cilat janë shkaqet që shpijnë drejt dhunës në baza gjinore etj.

Në të njëjtën linjë, stereotipet për role gjinore bëjnë shpesh që gratë të jenë të diskriminuara edhe në tregun e punës dhe pjesëmarrjes në hapësirë publike. Po ashtu, shpesh të njëjtat stereotipe bëjnë që edhe vetë gratë të jenë diskriminuese ose edhe që të zmbrapsen nga zgjedhjet për një karrierë jo “tipike” për to.

Ato shpesh shtyhen të marrin profesione që konsiderohen si më të përshtatshme për gra, si p.sh. mësuese, në mënyrë që të mund ta prioritizojnë rolin e tyre si nëna në të ardhmen. Ndërsa burrat pësojnë nga këto stereotipe, duke ua pamundësuar për të marrë pushim prindëror si baballarë.

Përtej dallimit burrë/grua qëndron një gjë më esenciale e ajo është e drejta njerëzore. Në ambientet tona tranzicioni ynë i stërzgjatur, dramatik ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë dukuri negative. Për këtë nevojitet një transformim kulturor i shoqërisë si një proces i gjatë dhe kompleks, i cili kërkon jo vetëm apel, por edhe transformim të ligjeve dhe krijim të barazisë në punë, karrierë, vendimmarrje dhe përfaqësim.

Sipas të rinjve dhe të rejave, barazia gjinore duhet të jetë kriter themelor në çdo nismë dhe aspekt. Në mënyrë që të arrijmë ndryshime pozitive në një të ardhme të afërt, duhet të fillojmë, të gjithë ne, të veprojmë drejt këtyre synimeve dhe të sfidojmë stereotipet gjinore duket promovuar barazinë gjinore.

Për këtë rol të rëndësishëm duhet të luajnë edhe institucionet relevante duke siguruar implementim të plotë të ligjeve në fuqi.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK