Zërat

Europa ime: Ndryshimet e Berlinit

Zërat October 23, 2016 - 14:52

Kur erdha para njëzet vjetësh në Berlin, më dukej sikur kisha veshur një pardesy dy numra më të madhe nga masa ime, kaq shumë hapësirë mbetej mes meje dhe këtij qyteti.

Brenda meje, falë dijeve të mëparshme për të, kishte më shumë Berlin, nga sa ofron vetë Berlini. Kështu, volumi i saj ishte i mbushur me ornamentatikën e pamasë që kishin krijuar Walter Benjamin, Berthold Brecht, Walter Ruttmann, madje bashkëatdhetari im i madh, historiani i artit Oto Bihalji, nga koha e avantgardës heroike të viteve njëzet ka kontribuuar në këtë histori, zemra e zgjeruar e këtij qyteti është mbushur edhe prej Nabokov si dhe rusëve të tjerë një shekull më parë.

Atje ku Gombrowicz i ulur në një stol në Tiergarten mendonte për vdekjen dhe ku Pasternaku shkroi këtë shënim të gëzueshëm: Berlini më dukej si një qytet  djelmoshash të cilëve ditë më parë u kishin dhuruar armë brezi dhe helmeta, shkopinj dhe fyej, biçikleta dhe kostume, aty kishte rezidencën Ivo Andrić si ambasador i mbretërisë së largët jugosllave dhe një pozicion si attaché kishte aty edhe i madhi poet i gjuhës serbe Miloš Crnjanski. Vetëm se atij shefi i vet i kishte rekomanduar, që si poet të mos punonte, por vetëm të shëtiste sipas qejfit në Berlin.

Kështu edhe unë falë bursës kisha një fushë të hapur për shëtitje, e megjithatë unë shkruaja për frikërat e mia në një ditar, sepse kisha përjetuar shumë keq. Unë gjithashtu pyesja veten se ku do të ndihesha mirë në muajt e ardhshëm, sepse unë përfytyroja që së pari duhej strehuar një Chodorovskij e më pas do ta kisha radhën unë.

Por, shpejt doli se isha unë ky Chodorovskij dhe se për mua kishte një vend në këtë qytet, me kusht që unë të mësoja se si të veproja me ashensorin e markës “Stigler” në rrugën “Mommsenstraße”, ndonëse pa sukses, u mundova ta siguroj kujdestarin e shtëpisë që pajisje të ngjashme ekzistojnë edhe në vendin prej nga kam ardhur.

Më vonë gjithçka zuri vend dhe unë vendosa ekuilibrin. Gjatë lëvizjeve në pjesën lindore të qytetit unë konstatoja se Berlini me ndërtesat e vjetëruara në rrugën “Oranienstraße” i ngjante disa pjesëve të Beogradit: Berlini largohej prej berlinizmit dhe gjithnjë e më shumë bëhej qyteti i këndshëm i së ardhmes sime. Sikur kishte marrë disa veçori të Beogradit dhe të ishte bërë qyteti im i dikurshëm i zmadhuar, në rezerva.

Unë nuk e di saktë se kur një qytet bëhet tjetri, që i ngjan të mëparshmit, por jo  tërësisht. Ashtu si edhe rruga ime e pushtuar prej ndërtesave shumëkatëshe, që vetëm u ngjajnë atyre të mëparshmeve, ndonëse unë nuk mund të konstatoj saktë, se nga vjen ky dallim. Më duket se këtë Berlin unë e kam ndërtuar me kohë duke praktikuar berlinizimin tim. Unë e kam konsideruar berlinizimin si një lloj profesioni timin, pavarësisht aktiviteteve të tjera të mia, berlinizimi si zanat, si tregti.

Megjithatë, haluçinacionet dhe lojërat e shpirtit tim që do të ishin të përshtatshme për eksplorime psikologjike, poetike dhe filozofike, nuk janë gjithçka. Mua më duhej të qetësoja fantazmat e mia letrare, duke iu përkushtuar njerëzve dhe shoqërisë përreth. Papritur mësova se këto nuk ishin më të njëjtat. Ishte më e lehtë të restauroheshin fasadat e vjetëruara, të ndërtohej sheshi “Potsdamer Platz” dhe të shndërrohej rruga “Friedrichstraße” në një “Via Condotti” atraktive, se sa të realizohej ajo kthesë, e cila ziente në ndërgjegjen e njerëzve.

Unë kisha ardhur pak vite pas rënies së murit, për të jetuar këtu, ende e ndieja entuziazmin për këtë ngjarje, që vazhdoj ta konsideroj si më të rëndësishmen e shekullit të kaluar. Gradualisht u bë e qartë, që e gjitha nuk do të përfundonte me puthjet e atyre adoleshentëve për habinë e kufitarëve të RDGJ-së, të cilët e ngritën me mospërfillje binarin e kufirit në Portën e Brandenburgut. Kjo mospërfillje u përhap në të gjithë jetën tonë të Berlinit, por çfarë tani, kur fati i murit dhe simboli i tij kërcënues nuk ekzistojnë më?! Berlinit i doli një problem tjetër, pikërisht atëherë kur zgjidhi problemin më të rëndësishëm: si të jetojë?

Koha tregoi që njëzëshmëria e asaj vjeshte 1989 pak nga pak u shpërbë e gjatë kësaj kohe u shumëfishuan çështjet që prekin jo vetëm Berlinin, por edhe Evropën e botën. Rezultoi, që substanca e fishekzjarreve të paqes ka një alternativë malinje, sërish nisën të shpërthejnë bombat si në kohën e Fraksionit të çmendur dhe irracional të ushtrisë së Kuqe. Dhe sërish, si shumë herë të tjera në histori, shkaktarët e kaosit nuk e kanë domosdoshmërisht të qartë, se çfarë përfaqësojnë ata me agresivitetin e tyre, shumë të rinj shkaktar trazirash, ndonjëherë nuk e dinë se çfarë do të thotë kryqi i thyer famëkeq që ata e vizatojnë nëpër muret tona. Ne duhet ta pranojmë, që midis nesh ka dallime të pashmangshme dhe se ne duhet të vazhdojmë të jetojmë me këtë.

Njerëzit asnjëherë nuk ngopen as me të mirën e as me të keqen. Edhe në kushtet më të mira njeriu zbulon vuajtjen e tij personale, tek secili është shumë pranë pragu në të cilin hedh hapin në pikëllim e hidhërim. Po aq e lehtë është të biesh në dhomën tjetër të vetëdijes sonë, në dhomën e së keqes.

Kjo është pjesa e shpirtit tonë, e kthyer nga negativja, e cila në varësi të rrethanave mund të aktivizohet shumë shpejt. Po kështu edhe Berlini si çdo vend tjetër i jetës njerëzore është një qytet i shumëllojshëm dhe si të gjitha metropolet një shumëllojshmëri, një enciklopedi e shumë gjërave.

Për çdo qytet mbetet një problem se si të vazhdojë të ekzistojë kur ai ndalet së qeni diçka e veçantë dhe bëhet një vend i zakonshëm qëndrimi në vetëdijen e ndokujt. Një herë Christo e mbështolli Rajshtagun me mëndafshin e tij, por pas disa ditësh e zbuloi sërish, në mënyrë që ai të mbetet ai që është.

Kjo ndodhi edhe në vetëdijen time, unë vazhdoj të jetoj në një Berlin të mbështjellë, por asnjëherë nuk do ta harroj sharmin kur ai para njëzet vjetësh ekzistonte në mbështjelljen e padijes sime. (DW)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK