Zërat
Muharrem Xhafa
Muharrem
Xhafa

Ku ndahen dy Enverët për çështjen e Kosovës

Zërat October 20, 2016 - 19:02

Përgjatë 4 a 5 ditëve të fundit është shkruar jo pak për kritikat (vlerësuar si absurde) të ministrit të jashtëm të Prishtinës, Enver Hoxhaj, në adresë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Hoxhaj i ka konsideruar ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës thëniet e kryeministrit Rama në bisedimet me kryeministrin serb, Vuçiç, për njohjen e pavarësisë së Kosovës prej Serbisë! Po kështu, pa mend e pa vend janë vlerësuar edhe kritikat e Buzhalës, të gazetarit kosovar, i cili shkruhet se flet me gjuhën e SHQUP-it të Tiranës etj.

Jo vetëm prej ministrit të jashtëm, prej gazetarëve ose prej kosovarëve të tjerë, qe janë përfshirë në këtë “debat”, i paraqitur edhe si një “çarje” mes Tiranës e Prishtinës, çka nuk besoj të jetë kështu, duhet një reflektim i thelluar, referuar historisë sonë kombëtare, po edhe së sotmes! Është çështje e tyre po autoritetet më të larta të shtetit të Kosovës nuk i kanë kundërshtuar a komentuar qëndrimet e mendimet e shprehura në deklaratat e shkrimet që kemi lexuar!

Çfarë është përfolur ka nevojë për një reflektim, që do bërë pa hezitim, së pari nga këndej kufirit shtetëror! Se vërtetë secili që shkruan a flet shpreh mendimin e tij, po problemi është delikat e të imponon, para se të shkruash a të flasësh, të mendosh thellë e të bësh shumë kujdes! Se, në rastin e një gabimi, i bëhet keq Shqipërisë, u bëhet keq shqiptarëve, jo të tjerëve!

Sa lexojmë e dëgjojmë në media, dikush është në anën e kryeministrit Rama dhe hedh kritika të forta në adresë të përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës e të shtypit kosovar! Dikush tjetër i adreson kritika të forta opozitës e Berishës, sepse këta fërkojnë duart e mbajnë qëndrim të njëjtë me gazetarët e qeveritarët e Kosovës kundër Ramës e qeverisë së tij! Jo e mençur!

Për hir të së vërtetës nuk më kanë pëlqyer as mua deklaratat e ministrit të jashtëm të Kosovës dhe çfarë ka thënë Buzhala në shkrimit e tij! Po kështu, të gabuara i vlerësoj dhe deklaratat e Berishës e të përfaqësuesve të opozitës në Shqipëri të hedhura kundër Ramës për çfarë ky ka deklaruar në bisedë me Vuçiçin në Beograd!

Po unë nuk do të gjykoj mbi deklaratat e Ramës, as për çfarë është shkruar në mbështetje të Ramës, as përse janë zemëruar përfaqësuesit e Kosovës e është reaguar prej atyre gati-gati si PD-ja e Berisha në Tiranë, as për ndonjë “aleancë ndërshqiptare” e për “rrënjët” e saj! Sepse kam mendim tjetër për të thënë, që dua t’ia drejtoj kryeministrit shqiptar, Edi Rama! E nëse vlen edhe të tjerëve!

Kryeministri ynë nuk duhet të dëgjojë apo të merret me çfarë i sugjerojnë servilët e tij, kushdoqofshin ata, po të çmojë mendimin e cilitdo, qoftë ky edhe i kundërshtarëve të tij politikë, kur ata i thotë diçka në të mirë të Shqipërisë e të Kosovës, qe i shërben, njëherësh, edhe forcimit të marrëdhënieve me shtetin fqinj, Serbinë!

Qeveria dhe kryeministri Rama i dinë vetë punët e tyre. Po do t’i thosha kryeministrit tri gjëra:

Që të mos tërhiqet asnjë fije për çfarë i ka thënë Vuçiçit në Beograd për Kosovën, sepse ky qëndrim para së gjithash i bën mirë Kosovës!
Që të mos përfshihet fare në debatin e nisur dhe të mos zemërohet hiç për çfarë thuhet lart e poshtë, po të punojë me bisedime të mençura e në rrugë diplomatike të zgjuara me shtetin e Kosovës për të bindur ata shqiptarë të Kosovës, ministra a të tjerë, se t’i kërkosh Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës, e shtetit të Kosovës, t’i thuash se Trepça është e Kosovës, nuk ka kurrfarë gabimi!
T’i ruhet grackës së vjetër të Serbisë, që tërë jetën është përpjekur të fusë shqiptarët në grindje, që ajo të nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e vetë shqiptarëve!

Enveri i madh nuk ra kurrë në grackën e serbëve!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK