Zërat
Nart Orana
Nart
Orana

Ku mësojnë qytetarët për qytetari aktive?

Zërat October 11, 2016 - 14:51

Qytetaria aktive shpeshherë mendohet të jetë një element kyç që çdo shoqëri që i përket një demokracie të shëndoshë e përmban në vete. Për një shoqëri në zhvillim sikur ajo e Kosovës prezenca e një qytetarie aktive është edhe më kritike, duke e marrë parasysh rolin transformues që e luan në formimin e një etosi që do ta mundësonte praninë e një demokracie të mirëfilltë.

Përkundër kësaj rëndësie, qytetaria aktive shpeshherë shihet si diçka abstrakte dhe si rrjedhojë lindin keqkuptime se çka përbën këtë koncept. Edhe pse themeli bazë i qytetarisë aktive, të qenit qytetar aktiv, nuk është i kufizuar vetëm në pjesëmarrje në procese të mëdha, kryesisht politike, sikur mund të jetë pjesëmarrja në zgjedhje ҫdo katër vjet.

Në fakt mund të marrë shumë forma, nga iniciativat më të vogla lokale sikur ato për ta pastruar ndonjë rrugë të lagjes, që ndërmerren nga grupe të vogla qytetarësh deri te nisma më masive që përfshijnë në vete shtresa të ndryshme dhe të shumta shoqërore sikur ato të viteve ’90-të. Më specifikisht sipas Katalin Szeger nga “Kurt Lewis Foundation” dhe Andrej Nosko nga “Open Society Think Tank Funds”, qytetari aktive do të thotë përfshirja e individëve në komunitetet lokale të tyre dhe në demokraci në të gjitha nivelet, prej nivelit të fshatit, qytetit e deri te aktivitetet mbarëkombëtare.

Duke e parë rëndësinë në shoqëri të qytetarisë aktive, atëherë shtrohet pyetja se si mund ta shtyjmë dhe stimulojmë shoqërinë tonë që të bëhet më aktive? Meqenëse të qenit qytetar aktiv është pjesë e pandashme e mendësisë së një individi, roli i sistemit arsimor dhe familjes është kritik në stimulimin e saj në fazat e hershme të formësimit të një personi.

Sistemi i tanishëm arsimor në Kosovë nuk është që nuk u jep bazë të mjaftueshme teorike mbi qytetarinë aktive nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, por dështon në përkthimin e asaj baze teorike në një përvojë konkrete praktike pa të cilën është e pamundur rritja e një qytetari aktiv.

Mësimdhënësit e lëndëve shoqërore luajnë rol kyҫ në zhvillimin e qytetarëve aktivë dhe është esenciale që ata të jenë shembull përgjatë atij procesi. Problem i theksuar momentalisht është fakti që shumë prej mësimdhënësve që ligjërojnë mbi qytetarinë aktive, në të shumtën e rasteve në klasa të Edukatës Qytetare, rrallëherë kanë përvojë personale të qytetarisë aktive dhe si rezultat dështojnë ta përçojnë mesazhin e duhur tek audiencat e tyre. Kështu, përgatitja adekuate e mësimdhënësve, ofrimi i mundësive praktike, si dhe shndërrimi në obligues i iniciativave vullnetare të studentëve do të ndihmonin që të instalohet një kulturë i qytetarisë aktive tek individi në një fazë sa më të hershme.

Mediet, si në shumë fusha të tjera, po ashtu kanë rol transformues edhe sa i përket qytetarisë aktive. Një problem i theksuar në shoqërinë kosovare është se sa lehtë dekurajohet nga ndërmarrja e iniciativave të ndryshme të qytetarisë aktive, të mëdha dhe të vogla, diçka që shpeshherë ndihmohet edhe nga mediet.

Kështu, duke i mbuluar kryekëput proceset e mëdha politike dhe duke mos u lënë vend për mbulim iniciativave dhe nismave të vogla qytetare, ato të cilat shpesh kanë rezultate konkrete në terren, qytetarët mbesin pa shembuj pozitivë të qytetarisë aktive dhe si rezultat mund të lindë apatia qytetare.

Po ashtu mbulimi i tanishëm i iniciativave të tilla duhet të ndryshojë, ku shpeshherë konsiderohen dhe raportohen si të dështuara për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve, në vend se nisma e iniciativës si e tillë, pa marrë parasysh numrin e të pranishmëve, të raportohet si diçka pozitive.

Në përgjithësi, në shoqërinë kosovare të dominuar nga të rinjtë, konsiderohet se ka dijeni dhe vullnet të mjaftueshëm për t’ju bashkuar iniciativave, po shpesh u mungojnë instrumentet për ta shprehur dhe guximi për ta iniciuar atë vullnet.

Për këtë arsye është tejet e rëndësishme që të intervenohet herët në mendësinë e qytetarëve në mënyrë që të krijohet si zakon i natyrshëm asocimi me të tjerë rreth çështjeve të interesit të përbashkët.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK