Zërat
Besim Zymberi
Besim
Zymberi

Një kishë (objekt) ortodokse shqiptare në Kosovë!

Zërat September 25, 2016 - 13:10

Antonio Belushi, prift arbëresh i konfesionit ortodoks, ditë më parë tha se 27 herë kishte qenë në Kosovë, kryesisht në ditët e manifestimit shkencor-kulturor të Seminarit tradicional të Gjuhës Shqipe. Mbase askush deri më sot, nuk e ka menduar se në tokën e të parëve të tij, nga e cila ishin përzënë me dhunë pas pushtimit osman, at Antonio Belushi, nuk ka pasur dhe nuk ka ende një tempull ku t’i drejtohet Zotit, në gjuhën e nënës.

Në Rahovicë të Ferizajt, para disa muajsh u zbuluan mbetjet arkeologjike të një tempulli të krishterë, që gjatë shekujve, doemos se do të jetë ripërshtatur edhe si tempull ortodoks. Disa nga arkeologët tanë, e quajtën si të pavlerë për t’u ruajtur dhe dhanë rekomandime për ta mbuluar, ndonëse u kundërshtuan nga disa kolegë tjerë të tyre. I tmerrshëm dhe antihistorik ishte vendimi i fundit i Ministrisë së Kulturës së Kosovës, që gjetjet në Rahovicë të mbulohen, për shkak se nuk paraqitkan ndonjë interes të veçantë arkeologjik…!?

Shumica e tempujve të besimit iliro-shqiptar, në formë të projektuar dhe të elaboruar, janë zhdukur, apo ngulfatur nën tokë nga pushtuesit e ndryshëm. Madje, mbi themelet e tyre janë ndërtuar tempuj të religjioneve të ardhura nga larg, me të vetmen ide, të tjetërsimit të identitetit të tyre autentik, kulturor e nacional, iliro-shqiptar!

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kishat e vjetra shqiptare, të cilat, sidomos pas pushtimeve sllave, janë rrënuar dhe mbi themelet e tyre janë improvizuar kisha serbe, me efekte të tmerrshme kundër kulturës shqiptare.

Vëllezërit tanë të gjakut, të konfesionit ortodoks, nga Shqipëria, nga Maqedonia së fundmi, nga Italia e Jugut, vendet e Perëndimit, Bullgaria, Rumania, Ukraina etj., frekuentojnë në ditët e sotme shpesh Kosovën. Disa prej tyre, tanimë kanë krijuar edhe marrëdhënie familjare me bashkëkombësit e tyre në Kosovë, nëpërmjet martesave. Shumicës prej tyre, për arsye të ndryshme, ju rastis që të qëndrojnë më gjatë në Kosovë. Në tokën e tyre, në atdheun e tyre, ndonëse ende të ndarë, po tani, jo të paarritshme, bashkëkombësit tanë ortodoksë nuk kanë ku të kryejnë një rit, nuk kanë ku të shënojnë një çast përkushtimi ndaj Zotit.

Edhe rasti i një ish-diplomati amerikan, që kishte shërbyer në Kosovë për më shumë se pesë vjet, ishte qortues në këtë drejtim. Michael McClelan, zyrtar i lartë i ish-Zyrës së SHBA-së në Kosovë, ishte i krishterë i konfesionit ortodoks. Në vitin 2004, kishte shfaqur pakënaqësinë me djegien e kishave serbe në Kosovë, duket shfaqur edhe brengën e tij personale se mund të mos i mbetej kishë në Kosovë, ku do të mund të lutej…!?

Të njëjtin problem mund ta kenë edhe miq bullgarë, arvanitas-shqiptarë të Greqisë si dhe besimtarë të konfesionit ortodoks nga mbarë bota. Të gjithë që vinë në Kosovë, do të duhej të mirëpriteshin nga një kishë ortodokse shqiptare, tolerante dhe mikpritëse, për kryerje të ritualeve fetare.

Po ashtu, bashkëkombës shqiptarë nga viset jashtë Kosovës, mund të vendosen përfundimisht për banim në Kosovë. Rrjedhimisht, fare natyrshëm ata edhe mund të vdesin këtu dhe do të ishte e papranueshme që të mos mund të varroseshin me ritet përkatëse fetare.

Besoj se për arsyet e thëna më lart, është e nevojshme që në Kosovë, së paku në një pikë qendrore të saj fillimisht, dhe me kohën, edhe në qendrat tjera të mëdha, të ketë një kishë (objekt) ortodokse shqiptare, që do t’u mundësonte besimtarëve shqiptarë ortodoksë të të gjitha viseve të manifestonin besimin e tyre nëpërmjet riteve të rregullta. Do të ishin të mirëpritur edhe mysafirët e konfesionit ortodoks, pa marrë parasysh origjinën etnike të tyre.

Në fund të fundit, shqiptarët janë një popull, dhe pa marrë parasysh kufijtë ndërmjet tyre, identitetin kulturor duhet ta kenë të arritshëm e të prekshëm njësoj, në tërë shtrirjen gjeografike etnike. Pjesë e identitetit kulturor të shqiptarëve, janë edhe religjionet. Në veçanti, qasja tolerante dhe e emancipuar ndaj tyre, ka bërë që me shekuj të ruhet suksesshëm homogjeniteti kulturor nacional gjeografik. Në ndërdijen kulturore nacionale shqiptare, fetë janë integruar si vlerë e përbashkët, me tërë kujdesin që të mos cenojnë strukturën themeltare identifikuese kulturore, nacionale. Rreziku prej tyre nuk ka qenë i vogël, por ka qenë vetëm si pasojë e instrumentalizimit politik prej pushtuesve brutalë! Ndërsa, një kishë ortodokse shqiptare, nuk është aspak jashtë traditës së shqiptarëve në këto troje!

Një kishë ortodokse shqiptare në Kosovë, do të ishte edhe një nderim i veçantë ndaj bashkëkombësve tanë ortodoksë, dhe në mënyrë të veçantë ndaj heronjve të atdhetarizmit e gjuhës shqipe, si Papa Kristo Negovani, at Stath Melani, at Irakli Pylli, Fan Stilian Noli, Pandeli Sotiri, Petronini Luarasi, Konstantin Kristoforidhi etj., (deri te at Nikollë Marku sot), të cilët bënë të pamundurën për ruajtjen dhe emancipimin e identitetit nacional të shqiptarëve, nëpërmjet luftës deri në martirizim, kundër ndikimit grek që, pikërisht nëpërmjet kishës synonte shkombëtarizimin e shqiptarëve!

Do të ishte nder që një kishë ortodokse shqiptare në Kosovë, të mbante emrin e Fan Nolit, atdhetarit të madh që bëri të pamundurën dhe ia arriti, bashkë me atdhetarët e kohës, ta legjitimonin dhe krijonin Kishën e Pavarur Ortodokse Shqiptare.

Për të qenë edhe më domethënës realizimi i mundshëm i një ideje të tillë, kjo kishë do të duhej të ndërtohej nga vetë populli, me kontributin parësor të afaristëve shqiptarë. Në një kishë ortodokse shqiptare në Kosovë, sigurisht se edhe një diplomat amerikan si Michael McLelan do të ndjehej më mirë në ritualet e tij, sa herë të vizitonte Kosovën!

Një Kishë Ortodokse Shqiptare në Kosovë do të reflektonte idenë e pastër hyjnore e kulturore, kombëtare, Noliane dhe të paraardhësve e pasardhësve të tij, të devotshëm ndaj zotit e atdheut! (shqip)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK