Zërat
Enis Sulstarova
Enis
Sulstarova

Pse jemi kundër Demarkacionit?

Zërat August 25, 2016 - 12:27

           Më 29 gusht është thirrur një tubim në Tiranë, para Ambasadës së Republikës së Kosovës, për të protestuar mbi Marrëveshjen që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar me atë të Malit të Zi për Demarkacionin e Kufirit të Përbashkët. Ky tubim do t’i bashkëngjitet tubimeve të mbajtura dhe atyre që po mbahen anembanë Kosovës për ta penguar ratifikimin në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes në fjalë. Shumëkush mund të pyesë se përse qytetarët e Republikës së Shqipërisë duhet ta kundërshtojnë këtë marrëveshje dhe t’i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës që të mos e ratifikojë atë.

 Jemi kundër Demarkacionit sepse jemi për të vërtetën. Si rrallëherë në politikën shqiptare e vërteta ka dalë në shesh dhe duket qartë për ata që duan ta shikojnë. Specialistët më të mirë të Kosovës, shkencëtarë të nderuar dhe të përkushtuar dhe që mbi të gjitha kanë dëshmuar se janë edhe qytetarë të denjë të republikës së re, e kanë vërtetuar katërçipërisht se me këtë vijë demarkacioni Kosova humbet mbi 8,200 hektarë që do t’i kalojnë Malit të Zi. Banorët e zonës, që sigurisht kanë një njohje të terrenit kanë ngritur edhe ata zërin protestues, mirëpo Qeveria e Kosovës ka bërë veshin e shurdhët edhe ndaj tyre.

Kufijtë e Kosovës janë përcaktuar në kohën e Jugosllavisë si ndarje administrative e tani ata janë shndërruar në kufij shtetërorë. Ekzistojnë dëshmi të sakta dokumentare për vijën e kufirit që e ndan Kosovën me Malin e Zi që nuk janë mbajtur parasysh nga Komisioni Shtetëror i ngarkuar me punën e Demarkacionit. Komisioni në vend që të demarkonte kufirin aty ku ka ekzistuar historikisht dhe juridikisht, ka vendosur për një kufi të ri që hyn deri në 5 km në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në vend që ta shqyrtonte me kujdes punën e Komisionit dhe ta ballafaqonte me shkencëtarët e fushës e ka miratuar vijën e re kufitare pa asnjë transparencë publike, duke pretenduar me arrogancë se Kosova nuk humbet asnjë milimetër katror, thënie kjo që marrë në vetvete është absurde, por edhe përbën objekt për ndjekje penale në dritën e fakteve që janë paraqitur për humbje të mëdha territoriale. Pra, me protestën e 29 gushtit, duam të bashkojmë zërin tonë me qytetarët e Kosovës për të thënë të vërtetën, me besimin që Kuvendi i Kosovës do ta dëgjojë.

Jemi kundër Demarkacionit sepse mbrojmë territoret shqiptare. Kufijtë që ndajnë kombin shqiptar në disa shtete janë në vetvete të padrejtë. Sidoqoftë, krijimi i Republikës së Kosovës në kufijtë e saj të tanishëm ishte një zhvillim pozitiv politik, që jepte shpresë se korrigjimi i padrejtësive historike ndaj kombit tonë kishte filluar. Demarkacioni i tanishëm cenon këtë shpresë, sepse tregon se si shqiptarët vazhdojnë të humbasin territore të shteteve  të njohura ndërkombëtarisht, në shek. XXI, në kohë paqeje, si pasojë e keqqeverisjes nga politikanët e tyre. Njëjtë siç ndodhi disa vite më parë me demarkacionin e vijës kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë. Atëherë ratifikimi i marrëveshjes së mbrapshtë u pengua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Tani është shansi i madh që Kuvendi i Kosovës të sillet me përgjegjshmëri kombëtare dhe të dërgojë një mesazh të fuqishëm se shqiptarët mësojnë nga historia e tyre tragjike.

Jemi kundër demarkacionit sepse e duam Kosovën një republikë sovrane. Çështjet e demarkacionit zgjidhen nga palët e interesuara direkt, ose me Arbitrazh Ndërkombëtar. Është e palejueshme që çështja e demarkacionit midis Kosovës e Malit të Zi të vendoset si kusht për liberalizimin e vizave, siç po pretendon Qeveria e Kosovës dhe po thonë edhe disa burokratë e parlamentarë brukselas. Demarkacioni kufitar i pambyllur me Greqinë nuk ka penguar aspak liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë. Për më tepër, anëtarë të BE-së nuk i kanë mbyllur akoma çështjet e demarkacionit kufitar, siç është shembulli i Sllovenisë me Kroacinë. Prandaj do të mblidhemi më 29 gusht në Tiranë për të dhënë edhe mesazhin se nuk mund të jepet territor për viza!

Jemi kundër demarkacionit sepse kundërshtojmë arrogancën qeveritare dhe mbështesim demokracisë. Si rrallëherë më parë, në Kosovë janë mbledhur mbi 205,000 firma për peticionin që kërkon rishikimin e Demarkacionit. Subjektet politike opozitare e kanë kundërshtuar marrëveshjen qeveritare në fjalë dhe kanë kërkuar rinegocim me Malin e Zi. Përballë fakteve kokëforta për dëmin e krijuar, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur që të sillet me më shumë kokëfortësi. Nga anëtarë të saj kanë dalë edhe zëra që ka thënë se i kemi dhënë fjalën Malit të Zi dhe nuk kemi si e kthejmë mbrapsht! Protesta në Tiranë do të jetë një kujtesë më shumë për Kuvendin e Kosovës se demokracia nuk ka se si të veprojë kundër interesave shtetërore, kombëtare e qytetare.  

*As. Prof.  në Universitetin e Tiranës, Departamenti i Shkencave Politike

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK