Zërat
Dr. Muharem Cërabregu & Dr. Muhamet Sadiku
Dr.
Muharem
Cërabregu
&
Dr.
Muhamet
Sadiku

Stafeta e ish-rinisë dhe vija kufitare

Zërat August 13, 2016 - 13:21

        Puna e deritanishme e një grupi të shkencëtarëve entuziastë e rezimuar në Raportin shkencor: “Demarkacioni Kosovë - Mali i Zi”, ka shpërfaqur kompleksitetin e studimeve gjeografike lidhur me fenomenin e demarkacionit Kosovë - Mali i Zi. Sensibilizimi i kësaj teme, që është keqmenaxhuar dhe drejtuar gabimisht, ka krijuar shqetësime të papara në opinionin e gjerë. Kjo ka nevrikosur vendimmarrësit sa që punëtorët shkencorë janë kërcënuar me përgjegjësi. Tanimë është humbur esenca e përgjegjësisë. Ajo do duhej të banonte në rrugët e zyrtarëve që bien vendime të gabuara e jo për shkencëtarët që realitetin e shohin nëpërmjet parimeve dhe inputeve shkencore. Duhet pranuar se edhe në komunizëm kishte përpjekje që t’u mbyllet goja atyre që studiojnë dhe bëjnë përfundime shkencore. Kishte personalitete që nuk çanin kokën për shqetësimet komuniste.

       Përvoja ka treguar se presionet dhe mosdurimi ndaj shkencëtarëve nuk mund të mbahen gjatë, sepse popullata i njeh të përkushtuarit shkencorë dhe ata që dëshirojnë t’i shërbejnë politikëbërjes së drejtë.

Resurset humane në funksion të zhvillimit

       Rasti i republikave perëndimore të ish-Jugosllavisë, tregon më së miri se si ruhen dhe shfrytëzohen resurset humane, pavarësisht se kur janë krijuar. Sllovenisë nuk i ka penguar aspak qeverisja e ish-komunistëve, tanimë të transformuar në parti politike social-demokrate: Milan Kuçan, ish-kryetar i LKS & Janez Dërnovshek, Ish-kryesues i Kryesisë së RSFJ-së, për të përgatitur vendin për tranzicion dhe integrime në BE. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në rastin e Kroacisë: Partia e transformuar komuniste (PSD) e Ivica Raçanit e kishte përafruar Kroacinë para dyerve të BE-së. Edhe pse PSD-ja i kishte humbur zgjedhjet, mandatari i ri, Ivo Sanader, kishte kërkuar që disa nga ministrat që ishin të involvuar në integrime në BE dhe kishin bërë diferenca pozitive, të vazhdojnë punën edhe në Qeverinë e tij. Në të dy rastet çfarëdo strukture që kishte fituar, kishte ndjesi kombëtare për tranzicion dhe integrime të BE dhe Euro-Atlantike.

        Edhe Kosova në të kaluarën kishte krijuar kapacitete shkencore për të kuptuar gjendjen ekzistuese dhe për ndërtimin e vizionit afatgjatë për pavarësi dhe për t’u përgatitur për sfida të karakterit politik. Në këtë sens nuk mund të mos përmendet Fakulteti Filozofik (të gjitha departamentet), Juridik, Ekonomik, ASHAK-u, RTP, Rilindja, Shoqatat (Lidhja) e shkrimtarëve dhe të tjerë. Të gjitha këto institucione edhe pse vepronin në rrethana të një sistemi komunist, kanë qenë preokupuese për tejkalimin e gjendjes ekzistuese. Të gjitha këto institucione dhe asociacione edhe tani janë të gatshme të kacafyten me probleme dhe vështirësi të shtetndërtimit të Kosovës. Këto resurse janë krijuar në të kaluarën, por, edhe tani mund të shfrytëzohen me sukses në Kosovën e pavarur.

           Aktualisht çështja politike më e diskutueshme në Kosovë mbetet Asociacioni i Komunave Serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi. Që të dyja nuk mund të implementohen pa konsensus të gjerë shoqëror. Imponimet dhe presionet nuk garantojnë zhvillim të lirë dhe të papenguar të Kosovës. Lidhur me demarkacionin, janë tejet të papranueshme disa arsyetime nga liderët institucionalë se kinse Kosova nuk do të humbë asgjë. Në të vërtetë të gjithë ata që ishin liderë të sistemit komunist do të duhej të kishin informata esenciale për kufijtë e vërtetë të Kosovës. Në të kaluarën të gjithë në ish-Jugosllavi kishin të drejtë të flisnin dhe të komentonin historinë dhe të tanishmen e vijave kufitare, por assesi ndonjë personalitet publik kosovar. Sepse në raste të tilla, kufijtë e Kosovës sillnin çmenduri për Serbinë unitariste dhe gjeneralët e ushtrisë jugosllave. Për kufijtë vendosnin të tjerët.

       Por ishte një ngjarje që ndërlidhej me kufijtë administrativë të Kosovës me të tjerët. Ishte çështja e stafetës së Titos e cila dorëzohej çdo të 25-in maj të vitit. Herën e fundit Titos iu dha në vitin 1979 nga një kosovare. Por këtu ka diçka që nuk mund të kalohet lehtë. Përgatitjet për marshin e stafetës bëheshin nga rinia socialiste në çdo republikë dhe krahinë me mbikëqyrje federative. Bile, bëhej garë së cila republikë / krahinë po e bënte punën më së miri. Këtë e bënte edhe Kosova në organizim nga liderët e rinisë socialiste. Por çdo herë bëhej diçka që sot kinse nuk u kujtohet protagonistëve rinorë të asaj kohe. Sa herë që stafeta kalonte nga Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, të rinjtë kosovarë e merrnin apo e dorëzonin stafetën pikërisht në vijat kufitare legjitime të Kosovës me të tjerët. Në këtë kuptim nuk bëheshin kurrfarë kompromise. Edhe të donte ndonjë delegacion të shkelte vijën administrative në mes të republikave dhe krahinave, kjo politikisht dhe vendoshmërisht pengohej. Njohësit e kësaj ceremonie tregojnë se shkarje nuk kishte dhe në mes të komunave në ish-Jugosllavi, funksiononte kadastra komunale. Pala malazeze sigurisht se nuk i ka harruar këto “rregulla” të marshit së stafetës dhe duhet t’u binden fakteve shkencore, politike, historike e të tjerë. Këtë besoj se e kanë të qartë edhe ish-liderët e rinisë socialiste të Kosovës, sepse vetëm në raste të tilla kosovarët mund të barrikadoheshin në kufijtë e vet legjitimë. Apo, së paku mund të flitej për vijën kufitare. Por, vetëm në këso raste. Sa për ekzistimin e kufijve të Kosovës, duhet përmendur se në vitet 1980 - 1982, Kosova e pranonte stafetën nga serbët afër Ribariqit. Serbët synonin që kosovarëve t’ua dorëzonin stafetën në Ribariq, në brendi të Kosovës duke injoruar kufijtë ekzistues. Stafeta e ish-rinisë ishte pranuar pikërisht edhe në vijën kufitare të Kullës së Rozhajës. Megjithatë, rinia e atëhershme nuk e pranoi një gjë të tillë. Ata këmbëngulën për marrjen e stafetës pikërisht në kufi të Kosovës me Serbinë. Edhe tani disa ish-liderëve të rinisë së asaj kohe u kujtohet një situatë e elektrizuar rreth kufijve. Si kundërpërgjigje kosovarët disi si me dhunë ua morën serbëve në kufi stafetën. Kjo tregon se edhe atëherë çmohej kufiri i Kosovës me të tjerët, bile, edhe mbrohej. Kështu rinia  tregoi se më shumë e dinë Kosovën dhe kufijtë e saj se sistemin monist. Këto kanë qenë obligime që ta tregojnë edhe disa ish-liderë që aktualisht punojnë në sistemin e vendimmarrjes së Kosovës së pavarur.

           Ekziston edhe një rast tjetër i cili e reflekton më së miri realitetin topografik në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Në të vërtetë, nëpër institucionet e arsimit në Mal të Zi nëpër muret e klasave ishte varur një hartë me kufij administrativë legalë të Malit të Zi që kufizohej me Kosovën. Kjo kishte qëndruar me  vite të tëra. Ishe ky një realitet topografik i varur nëpër muret e klasave të shkollave malazeze. Do të donim që malazezët të varin nëpër shkolla të tyre hartat e njëjta.

           Edhe në rastin e demarkacionit dëgjohen komente mbi fqinjësinë dhe bilateralen, dhe ndërkombëtaren. Duke pasur parasysh se Kosova mbetet një projekt ndërkombëtar i pavarësisë, atëherë mund të thuhet se nuk kemi të bëjmë me çështje thjesht bilaterale. Në Kosovë çdo gjë ka karakter multilateral. Edhe në rastin e kufirit me Malin e Zi, Kosova së shpejti do të kufizohet me kufij të NATO-s. Por se NATO-ja dëshiron të ketë kufij të qëndrueshëm dhe të qetë dhe që kufiri të respektohet nga të gjitha palët. Prandaj në demarkacion insistojmë që vija kufitare të jetë e qëndrueshme dhe të vërteta.

Hinterlandi i Pejës

          Edhe para se të dakordohej demarkacioni i vërtetë nga Kosova, pala malazeze faktikisht ka bërë diversion në territorin që është i Kosovës. Atje do të ndesheni me forca policore, ushtarake dhe administratë qeverisëse. Kjo sjellje nuk i kontribuon fqinjësisë dhe bashkëpunimit të mirë. Pala kosovare tregon vullnet të mirë për fqinjësi. Lidhur me këtë duhet theksuar rolin e Hiderlandit të Pejës në raport me rrethinën e vet gravitues. Peja me ekonominë, tregtinë, arsimin dhe resurset e veta është bërë qendër gravituese edhe për disa qytete të Malit të Zi. Kështu Peja ishte bërë qendër vitale edhe gjatë të gjitha periudhave historike për Malësinë e Pejës nga Vermoshi dhe Sanxheku deri të Pazari i Ri. Ky karakter i Pejës duhet të begatohet edhe nëpërmjet raporteve bilaterale ndërshtetërore. Fqinjësia dhe thellimi i partneriteteve Kosovë - Mali i Zi, do të reflektohet pozitivisht në sforcimin e pozitës së Hiderlandit të Pejës. Ky organizim siç thuhet i një “shteti të ri” do të sjellë përfitime për të dy anët e kufirit. Për të promovuar edhe më shumë konceptin tradicional të Hiderlandit të Pejës, duhet mirëkuptim i të dy qeverive dhe përkushtim për liberalizim të jetës së qytetarëve në të dy anët. Pas zgjedhjes së kontesteve ndërkufitare, duhet sforcuar përpjekjet për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkufitar nëpërmjet flukseve tregtare dhe biznesore.

  Komisioni federativ, vetëm një herë

       Komisioni federativ i caktimit të vijave kufitare, mes republikave dhe krahinave, i ka definuar kufijtë një herë dhe përgjithmonë. Nuk mbahet në mend se pas Komisionit të Gjillasit është formuar diçka e ngjashme. Kjo do të thotë se ndryshime spekulative nuk kanë kaluar në asnjë kuvend të republikave dhe krahinave. Kjo ka ndodhur edhe me Kuvendin e KSA. Pra kufiri shtetëror i Kosovës me të tjerët ishte përcaktuar herën e fundit në Komisionin e Gjilllasit. Lëkundjet e kufirit në kohën e Rankoviqit dhe të Millosheviqit ishin spekulative dhe synonin shpërbërjen e substancës shqiptare dhe ngushtimin e Kosovës. Kjo paraqet trashëgimi topografike të qëndrueshme. Këto vija kufitare edhe sot janë bërë kufij shtetërorë në mes të ish-republikave dhe krahinave. Nga e gjithë kjo duhet theksuar se komuniteti i shkencëtarëve që ka punuar në raportin shkencor, assesi nuk mund të etiketohen si nacionalist dhe ekspansionist. Raporti identifikon faktet shkencore të vijës kufitare. Jemi të vetëdijshëm se edhe pas pavarësimit të Kosovës, shumë vise të banuara me shqiptarë, vazhdojnë të jetojnë në viset etnike të cilat janë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Kërkesa është tejet logjike, sepse flitet për kufijtë legalë të Kosovës.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK