Zërat
Julian Zyla
Julian
Zyla

Reforma: 4 fitues, 2 humbës dhe Edi Rama

Zërat July 24, 2016 - 13:46

Reforma në drejtësi na bëri të gjithë fitues. Përveç një lloji të caktuar gjykatësish e prokurorësh, të cilët mund të nisin ta shohin me më tepër interes këtë e idenë e emigracionit, për të cilën duket se flasin të gjithë. Po politikanët? Kush fitoi prej saj, politikisht? Kush humbi? Përgjigjet nuk mund të jenë veçse subjektive.

Megjithatë, sa i përket komunikimit, katër prej protagonistëve ishin fitues, gjatë tratativave të gjata për Reformën. Zoti Meta, Ambasadori Lu, ish-kryeministri Berisha dhe kryetari i Komisionit të Posaçëm Xhafaj ose arritën të përmirësonin pozicionin e tyre politik ose luajtën në maksimumin e lejuar nga rrethanat. Dy ishin humbës, duke mos luajtur në mënyrë strategjike.

Kryetari i PD Basha, i cili mund të ketë arritur atë që donte në aspektin juridik, u duk të anashkalonte imazhin e tij si udhëheqës i forcës së dytë më të madhe në vend, ndërsa Presidenti Nishani humbi sepse vendosi të mos paraqitej. Po kryeministri Rama? Ai nuk humbi, por as nuk fitoi gjithçka që mund të ofrojë një moment i tillë historik.

Fituesi i parë, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ishte si çiklistët në momentet e fundit të garës. Maratona e tij në pistën e reformës në drejtësi u përmbyll me një sprint marramendës. Shumëkush mendoi se ai do të mund të rrëzohej prej shpejtësisë dhe kurajos së madhe, përkrah sprintuesve me shpatulla të mbrojtura, si ai i skuadrës amerikane. Por Kryetari i LSI tregoi edhe një herë se e njeh mirë sportin e politikës dhe atë të komunikimit strategjik.

Fituesi i dytë, dhe ndoshta më i përgëzuari nga shqiptarët në rrjetet sociale, ishte Ambasadori Lu. Pas këtij burri të suksesshëm qëndruan dy gra të forta: Ambasadorja Vllahutin dhe Ndihmës Sekretarja Nuland.

Nuk mund të mohohet që kjo treshe i kaloi ujërat territorialë të diplomacisë, duke notuar e duke bërë banjo dielli në plazhin e politikës shqiptare. Deklaratat e tyre ishin leksione komunikimi politik, por ndoshta edhe diplomatik. Por ç’rëndësi ka! Momentet historike duan kurajo dhe një dozë të lehtë shkeljeje rregullash, për mirë. Thank you!

Fituesi i tretë, z. Berisha, mbylli mirë një tjetër paraqitje politike, në atë që vështirë se mund të quhet beteja kryesore apo më e vështirë e karrierës së tij. Ish-Kryeministri tregoi maturi dhe aftësi komunikuese të denja për një politikan që ka ndikuar më shumë se kushdo tjetër tranzicionin shqiptar.

Fituesi i katërt mund të quhet edhe Presidenti i Reformës në Drejtësi. Z. Fatmir Xhafaj, duke mos fshehur asnjëherë pozicionimin e tij politik përkrah partisë së vet dhe kryetarit të saj Rama, arriti të shfaqej para njerëzve si eksperti të cilin nuk mund ta kapje dot në debat, sepse të nxirrte detaje nga Reforma që ti si gazetar ose si kundërshtar nuk i dije dhe aq mirë.

Fjalimi përpara miratimit të Reformës ishte i ekuilibruar dhe i denjë. Me siguri ishte një fjalim i përgatitur prej kohësh. Por, si një verë e kuqe e mirë, vetëm mund të ishte përmirësuar ndërkohë.

Zoti Basha doli para kamerave duke shpallur triumfin, pas miratimit të reformës. E vërtetë, ai është udhëheqësi i opozitës në këtë moment historik, kur një reformë kushtetuese u miratua unanimisht. Por ai humbi mundësinë e konsolidimit të imazhit të tij si udhëheqës i pavarur e i kujdesshëm. Arsyeja? Deklaratat e veçanta nuk mjaftojnë.

Ato janë si shigjetat të cilat kundërshtari mund t’i thyejë, një nga një. Ato duhet të jenë zbatim i një plani më të gjerë, të një strategjie. “Të themi kështu.” nuk mjafton. Duhet menduar pse po e bën këtë, në rrafshin afatgjatë. Si do të reagojë kundërshtari politik? Si do të reagosh ti ndaj asaj përgjigjeje? “Të themi kështu?” “Më mirë jo.”

Presidenti Nishani ishte mungesa e madhe e kësaj finaleje. Shiriti i tij i kapitenit arriti të kalonte sa te Kryetari Meta, te Ambasadori Lu. Sa te zoti Xhafaj te Kryeministri Rama.

Edhe pse ai e zotëron vendin e “të parit” me Kushtetutë, këtë herë ai vendosi të mos luajë. Ai qëndroi jashtë politikës, por edhe jashtë momenteve delikate e historike. Gjithsesi, mbetet kapiteni ynë, me kushtetutë.

Kryeministri Edi Rama nuk mund të kategorizohet. Ai nuk humbi.  Fitoi?  Shumëçka. Por jo gjithçka. Zoti Rama kishte mundësinë të ishte më tepër institucional, në këtë zhvillim historik.

Mjafton të shohim fjalimin e fundit për të kuptuar se si Kryeministri vendosi të mjaftohej me një fitore. Por ai mund të kishte zgjedhur edhe “fairplay”. Mund të kishte përgëzuar të huajt, por edhe shqiptarët, përfshirë opozitën. Të bërit politik ose debat nuk i shkon momentit të ngritjes së kupës. Një fitore e madhe, e ngushtë.

Por ai, së bashku me LSI-në dhe opozitën, megjithë lojën shpeshherë të ashpër e plot ndërhyrje të parregullta kanë meritën, që pavarësisht cilësisë së lojës, na dhanë rezultatin që donim.

Tani jemi më afër kualifikimit…

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK