Infrastruktura i lë jashtë Evropës!

Sport June 02, 2016 - 10:22

Feronikeli dhe FC Prishtina kanë mbetur jashtë Evropës. UEFA ka konstatuar se këto dy klube nuk i plotësojnë kriteret, mbi të gjitha atë të infrastrukturës, duke mos i lejuar të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve, respektivisht Europa League. Shtëpia e futbollit evropian i ka njoftuar të dyja klubet me këtë vendim. Pa dyshim, kjo është një goditje e fuqishme për futbollin kosovar, pak kohë pas pranimit në UEFA e FIFA

UEFA ia ka dhënë një goditje të fuqishme futbollit kosovar të mërkurën mbrëma. Në fakt, shtëpia e futbollit evropian ka vendosur t’i lë jashtë garave evropiane Feronikelin dhe Prishtinën.

Zyrtarët e UEFA-s iu kanë telefonuar drejtuesve të të dyja klubeve, duke i njoftuar ato se nuk i plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, respektivisht Europa League. Për “Niklin” është përmendur kriteri financiar dhe ai infrastrukturor, të cilët nuk i plotësojnë, kurse për “Bardhekaltrit” pengesë ka qenë mbi të gjitha infrastruktura.

“Të mërkurën na ka thirr një zyrtar i licencimit nga UEFA, i cili na ka njoftuar se nuk kemi arritur ta kalojmë pragun e licencimit. Në fakt, sipas tij, ne kemi ngecur në aspektin e infrastrukturës dhe atë financiar. Na është kërkuar pasqyra financiare për dy vjetët e fundit dhe nuk kemi mundur ta rregullojmë aq shpejtë, ndërsa zyrtari i UEFA-s më tha se as ndeshjen si vendës nuk mund ta luajmë në një shtet tjetër, pasi kjo do të lejohej vetëm në raste lufte”, thotë për “Zërin” drejtori i Feronikelit, Artan Berisha.

Kampioni planifikonte që ndeshjen si vendës në rrethin e parë ta zhvillojë në Shqipëri, në rast se stadiumi i Mitrovicës dhe ai i Prishtinës nuk i plotësojnë kriteret.

Sipas tij, nga pesë kritere, kampioni i Kosovës i ka plotësuar tre: atë sportiv, administrativ dhe të stafit, por që nuk e kaloi ‘provimin’ në atë financiar dhe infrastrukturor, që janë më të rëndësishmit.

Image

“Kjo mund të jetë zhgënjyese për futbollistët, pasi e kanë pritur shumë këtë ditë, por ne si kryesi jemi në rregull, pasi e dinim se nuk kishim kohë t’i rregullonim të gjitha gjërat, edhe pse provuam dhe bëmë gjithçka. Zyrtari i UEFA-s më tha se, që nga tash duhet të punojmë për plotësimin e kritereve për sezonin e ardhshëm. Ne do ta bëjmë këtë gjë, do t’i përvjelim mëngët qysh tash, për të qenë gati në edicionin e ardhshëm”, vazhdoi Berisha.

Prishtinën ia pa sherrin infrastrukturës

Gjithashtu, një “JO” e ka marrë të mërkurën edhe fituesi i Kupës së Kosovës, FC Prishtina. Ky klub ka ‘ngelur’ mbi të gjitha në aspektin infrastrukturor, pasi prishtinasit konsiderojnë se në aspektin financiar ishin shumë “OK”.

Drejtori Sokol Krasniqi gjithashtu e ka marrë një telefonatë nga UEFA dje, e cila ia ka kumtuar lajmin, duke i treguar se aspekti i infrastrukturës është pengesa kryesore e kryeqytetasve.

“Dy zyrtarë të UEFA-s më informuan zyrtarisht që për këtë edicion FC Prishtina nuk është licencuar. Arsyet do të na dërgojnë me shkrim, por na treguan se ndër arsyet kryesore të këtij refuzimi është se nuk i plotësojmë kriteret në aspektin e infrastrukturës”, tha Krasniqi për Zërin.

Prishtinasit ankohen se UEFA i ka zënë në gjumë Qeveritë e deritashme të Kosovës dhe FFK-në, të cilat nuk kanë bërë sa duhet në rregullimin e infrastrukturës, e që sherrin gabimeve të tyre ua pa tash edhe FC Prishtina, që mbeti pa gara evropiane.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk e kanë komentuar vendimin, duke thënë se të enjten do të zbardhet gjithçka, kur UEFA do ta japë vendimin final rreth dy klubeve kosovare.

E vetmja e mirë nga krejt kjo punë është se Feronikelin dhe Prishtinën megjithatë do t’i pasojë një shpërblim nga UEFA në aspektin financiar, edhe pse nuk dihet ende saktë se nga sa para do t’i marrin, për sukseset e arritura këtë sezon në nivelin nacional.

Sidoqoftë, mohimi i pjesëmarrjes së tyre në garat evropiane është një grusht i fortë, pasi të dyja klubet ishin bërë gati për debutim në arenën ndërkombëtare. /Zëri/