Bashkëshortja e Icardit e ka një mesazh për Cristiano Ronaldon

Sport November 06, 2018 - 15:30
Detajet

Bashkëshortja dhe agjentja e sulmuesit të Interit, Mauro Icardit, Wanda Nara i ka dërguar një mesazh rivalët të zikaltërve dhe yllin e tyre të ri, Cristiano Ronaldon.

Interi fitoi 5-0 ndaj Genoas në fundjavë në Serie A, në një takim në të cilin Icardi u la në stol, me Wandan që e ka krahasuar situatën e tij me atë të Ronaldos në Serie A, duke ngritur pyetjen nëse kampioni në fuqi ka luks për ta ulur në stol sulmuesin e vet njëlloj si Interi, transmeton Gazeta Express.

Juventusi kryeson në renditjen e Serisë A me 31 pikë nga 33 të mundshme pas një fillimi tejet të mirë në rrugë për ta mbrojtur titullin, me Interin në vendin e dytë me 25 pikë pas 11 ndeshjeve.

“Mauro nuk i ka luajtur tri ndeshje. Ai i ka gjashtë gola dhe është shumë pranë Cristianos (i cili i ka shtatë). Do të doja ta shihja Cristianon duke qëndruar i qetë në stol derisa ekipi i tij i shënon pesë gola, në një ndeshje në të cilën ai do të mundë t’i shënonte tri”, ka thënë Wanda për emisionin italian “Tiki Taka”.

Wanda, po ashtu e pranoi se burri i saj ka marrëdhënie të mira me Lionel Messin, edhe pse në media thuhet ndryshe.

Ajo insistoi se të dy duan ta shohin Messin duke u paraqitur në takimin e sotëm ndaj Interit në Ligën e Kampionëve.