Prishtina, për fitore dhe kualifikim në Champions League

Sport September 20, 2018 - 11:25

Klubi i basketbollit Z Mobile Prishtina do ta nisë sonte eksperiencën evropiane për sezonin 2018/19, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit do të kenë punë me kampionin aktual dhe të shumëfishtë holandez Donar Groningen në kuadër të rundit të parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00.

Për basketbollistët kryeqytetas kjo është një sfidë shumë e rëndësishme, para ndeshjes së kthimit, që do të luhet dy ditë më vonë në Holandë.

Megjithatë me përkrahjen e tifozëve, të cilët pritet të jenë në numër të madh të enjten në palestër, klubi më i madh kosovar shpreson të triumfojë dhe kështu të krijojë avantazh para duelit të kthimit në Holandë.

“Kundërshtari është shumë i fortë dhe me eksperiencë, por para publikut tonë gjithmonë kundër gjithkujt kemi shanse të fitojmë. Edhe ne e kemi bërë ekipin e mirë, por problemi kryesor është që nuk kemi pasur shumë kohë të ushtronim së bashku për shkak të Përfaqësueses së Kosovës dhe dy lojtarëve të rinj që kanë ardhur të dielën”, ka thënë basketbollisti i prishtinasve, Dardan Berisha për “Zërin”.

“Por, prapë se prapë ne do ta japim 100 për qindëshin për të arritur fitore. Shpresoj në sallë të mbushur dhe atmosferë të zjarrtë. Një prej arsyeve që kam ardhur këtu është publiku, i cili është fantastik kështu që ndjenja gjithmonë është tepër e mirë. Shpresoj që të enjten ‘Plisat’ dhe krejt tifozët e Prishtinës dhe të basketbollit të jenë aty, sepse na nevojitet shumë përkrahja e tyre”, ka shtuar basketbollisti pejan.

Kthehen në Ligën Ballkanike

Z Mobile Prishtina është kthyer në Ligën Ballkanike.

Menaxhmenti i ekipit dhe ai i ligës kanë arritur marrëveshje për rikthimin e klubit të fuqishëm kosovar në këtë ligë.

Prishtinasit kishin marrë pjesë në Ligën Ballkanike për katër vjet në mes të 2013 dhe 2017 me plot sukses, ku e kishin fituar dy herë titullin e kampionit.

Pas një viti mungese Prishtina kthehet në ligë me një sponsor të fuqishëm dhe ambicie më të mëdha.

“Menaxhmenti i BIBL-së është i lumtur t’ju njoftojë me rikthimin e Z Mobile Prishtina dhe e mirëpret këtë ekip. Natyrisht, me këtë skuadër do të rritet kualiteti dhe garat do të jenë më konkurruese në ligë”, ka shkruar “balkanleague.net”.

Krahas prishtinasve, në Ligën Ballkanike sezonin e ardhshëm do të marrë pjesë edhe klubi tjetër kosovar, Bashkimi.

Ledri, nënkryetar i klubit

Z Mobile Prishtina ka njoftuar të mërkurën përmes kryetarit të saj Blerand Stavileci se Ledri Vula tash e tutje do të jetë nënkryetar i klubit. /Zëri/

Liga e Kampionëve

Faza kualifikuese

E enjte

20:00 Z Mobile Prishtina – Donar Groningen