Kampionat me presion

Sport August 18, 2018 - 13:34
Lexo detajet
Image

Pas pak muajsh pushim nga kampionati i kaluar, i cili e prodhoi Dritën kampione të Kosovës dhe Prishtinën nënkampione e fituese të Kupës – duke i kualifikuar të dyja ato edhe në gara evropiane – është koha për një sezon të ri, i cili do të fillojë të shtunën, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Dhe kampionati i ri pritet të jetë edhe më i zjarrtë sesa ai i kaluari. Kjo për shkak se gjysma e ekipeve e ëndërrojnë titullin, kurse gjysmën e skuadrave tjera i pret sfidë e vështirë për t’u ikur katër pozitave të poshtme.

Natyrisht, presioni më i madh do të jetë mbi Dritën, e cila prioritet do ta ketë mbrojtjen e titullit të kampionit në mënyrë që të shkojë sërish në kompeticionin e Ligës së Kampionëve, prej të cilit së fundmi i nxori rreth 1 milion euro.

Mirëpo, nën presion të jashtëzakonshëm do të luajë edhe Prishtina, e cila pavarësisht investimeve të mëdha qe disa vjet nuk ka arritur dot ta marrë titullin e kampionit, të cilin kryeqyteti po e pret tash e pesë vjet.

Presion hiç më të vogël nuk do të ketë as Llapi, i cili qe dy-tri vjet po e kërkon kualifikimin në gara evropiane, por që po dështon, për shkak se nuk po e arrin dot as titullin e as Kupën në kampionatin vendor.

Kjo i ka shtyrë llapjanët që ta provojnë arritjen te suksesi me Bylbyl Sokolin në vend të Tahir Batatinës, i cili tani prej pozitës së drejtorit ka bërë investime të mëdha në blerjen e futbollistëve mjaft të shtrenjtë për të arritur deri te titulli.

Para të madhe në këtë verë ka shpenzuar edhe Feronikeli në rrugën që ia ka mësyrë drejt titullit. Nëse sivjet nuk e arrin objektivin, klubi nga Drenasi rrezikon të goditet keq nga dëshpërimi.

Presionin këtyre kandidatëve për titull do t’ua shtojë edhe më shumë konkurrimi për trofeun “Kampion” i Trepçës ’89, e cila ka bërë ndryshime revolucionare në skuadër, ku trajneri Gugash Magani ka ofruar futbollistë me të cilët beson se mund të përfundojë në vendin e parë.

Shumë lehtë mund të ndodhë që kësaj valle t’i hyjë edhe ndonjë skuadër tjetër, siç bie fjala për Gjilanin ose për Ballkanin. Ky i fundit posa është inkuadruar në elitë dhe do të provojë befasi. Drenica, Ferizaj, Flamurtari e KEK-u parashihen “duke u përplasur” keq në luftën e mbijetesës duke iu paraqitur rrezik edhe kandidatëve më të mëdhenj për titull.

Sidoqoftë, në krejt këtë presion së shpejti pritet të ndodhë diçka e mirë për klubet elitare. Ato janë në pritje të konfirmimit të UEFA-s se nga sezonin i ardhshëm në garat e saj do të shkojnë tri ekipe nga Superliga kosovare e jo vetëm dy sa kanë shkuar në dy edicionet e kaluara. Tash e tutje kampioni pritet të shkojë në kompeticionin e Ligës së Kampionëve, kurse nënkampioni dhe fituesi i Kupës do të shkojë në garat e Ligës së Evropës.

Superliga – Xhiroja e parë

E shtunë

Feronikeli – Trepça ’89 (16:45)

E diel

Drita – KEK-u (16:45)

Liria – Ballkani (16:45)

Flamurtari – Ferizaj (16:45)

Llapi – Drenica (16:45)

E hënë

Prishtina – Gjilani (19:45). /Zëri