Prej parakualifikimeve

Sport April 25, 2018 - 11:51

Liga e dobët dhe mossuksesi në debutimin në garat evropiane do t’u kushtojë klubeve kosovare. Për dallim nga sezoni i kaluar kur e kishin nisur nga zeroja, respektivisht nga rrethi i parë kualifikues, sivjet klubet kosovare do të nisin gjithçka nga minusi. Kampioni dhe fituesi i Kupës do të luajnë fillimisht në fazën parakualifikuese, shkruan sot "Gazeta Zëri".

Megjithëkëtë, ky lajm i keq përmban diçka të mirë: Dy klubet që do të startojnë prej parakualifikimeve do t’i marrin paratë e njëjta sikurse në vitin e kaluar, kur kishin filluar nga kualifikimet evropiane

Dy klube të futbollit do ta përfaqësojnë përsëri Kosovën në garat evropiane në edicionin e ardhshëm. Por, ashtu siç kishte paralajmëruar “Zëri” muaj më parë, këtë radhë kampioni dhe fituesi i Kupës do të nisin gjithçka nga faza parakualifikuese në Ligën e Kampionëve, respektivisht Europa League.

Të martën Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka konfirmuar se dy skuadrat kosovare do të marrin pjesë në fazën parakualifikuese, ndërsa kampioni do të bëjë gara në Champions në Gjibraltar, ku në grup do të jenë, veç kampionit nga mikpritësi, Gjibraltari, edhe kampioni i Andorrës e San Marinos.

Ndeshjet do të zhvillohen në fund të muajt qershor dhe shorti do të hidhet para fillimit të garave. Fituesi nga ky grup do t’i vazhdojë kualifikimet e rregullta në bazë të fituesve të grupeve të tjera.

Menaxheri për licencimin e klubeve në FFK, Bajram Shala, thotë se në bazë të koeficientit të futbolli kosovar klubet e këtushme duhet të luajnë fillimisht në fazën parakualifikuese e jo direkt në rrethin e parë kualifikues, siç bënë edicionin e kaluar dhe debutues Trepça ’89 dhe FC Prishtina.

“Në këtë fazë luajnë klubet që i përfaqësojnë katër ligat me rejtingun më të ulët në ranglistën e UEFA-s. Për klubet tona ka qenë vështirë që për një edicion të arrijnë pikë të nevojshme për të kaluar në vendin e 51-të në ranglistën e UEFA-s. Por, nëse do të kishin arritur rezultate të mira dhe do të kishin kaluar disa runde kjo ka qenë e mundshme. Por, duhet pasur parasysh që ka qenë shumë vështirë e realizueshme. Sidoqoftë, do të ishte e padrejtë t’i fajësojmë dy klubet që na kanë përfaqësuar vitin e kaluar për rankingun aktual të ligës sonë. Duhet të kalojë pak më shumë kohë që të mundë të arrijmë përmirësime në këtë ranking”, theksoi fillimisht për “Zërin” Shala, duke i hedhur poshtë spekulimet e muajve të fundit që thoshin se Kosova mund të përfaqësohet me tri klubet në edicionin 2018/19.

“Duke u bazuar në rezultatet e dy klubeve që kanë marrë pjesë edicionin e kaluar, këtë sezon vetëm dy klube do të marrin pjesë në garat evropiane. Numrin e pjesëmarrësve e definon UEFA duke u bazuar në rezultatet e klubeve që marrin pjesë në garat evropiane, përkatësisht rangimin e ligës”, sqaron ai.

 

Megjithatë, i marrin paratë

 

Zbritja e klubeve kosovare në një rang më të ulët, nga rrethi i parë kualifikues në atë parakualifikues, kishte zgjuar dyshime nëse dy klubet që do të luajnë në Evropë do t’i pranojnë benefitet nga UEFA, siç i bënë sezonin e kaluar ’89-shi dhe Prishtina.

Për këtë çështje çdo dyshim e heq zyrtari i FFK-së.

“Te pjesa financiare nuk ka ndryshim. Ndryshimi i vetëm ka të bëjë me mënyrën e kualifikimit, përkatësisht me aspektin sportiv, por jo me atë të pjesës financiare. Është plotësisht e njëjtë”, siguron Shala.

Me këtë rast kampioni i Kosovës do t’i përfitojë 260 mijë euro si shpërblim që është shpallur kampion dhe 220 mijë të tjera për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, që në total i bie 480 mijë euro. Kurse fituesi i Kupës së Kosovës, i cili do të marrë pjesë në Europa League, do t’i marrë nga UEFA 215 mijë euro.

Klubet kosovare e thyen akullin edicionin e kaluar duke debutuar në garat evropiane. Ky fakt i ka shtyrë klubet të organizohen dhe të përforcohen dhe ky edicion ishte njëri prej më cilësorëve pas luftës. Drita dhe Prishtina shihen favorite për të luajtur në Evropë në edicionin 2018/19.